Fundosja e partive politike franceze

Ornela

Për Alain Duhamel, profesor i shkencave politike, “dekadenca e partive është e pakthyeshme”.

Partitë politike franceze po fundosen. Sociologët dhe historianët druhen se bëhet fjalë për një dekadencë të “pakthyeshme”. Vetëm “Fronti Kombëtar” (FN, ekstremi i djathtë) i Marine Le Pen po i shpëton një krize globale të sistemit nacional të partive. PS, partia e presidentit Francois Hollande, ka humbur 145 mijë militantë në vetëm 10 vjet. Në 2006-ën,  PS kishte 280 mijë militantë, sot ka pothuajse 135 mijë. Republikanët (LR, ish Unioni për Lëvizjen Popullore) partia e Nicolas Sarkozy, ka humbur 140 mijë militantë që prej 2007- ës. Nga 370 mijë militantë ka arritur në 230 mijë.  Por pavarësisht kësaj rrjedhjeje militantësh, PS dhe LR mbeten partitë e mëdha të Francës.

Dekadenca e tyre ndoshta është më pak e rëndë se fundosja historike e PCF, të majtave ekstreme dhe ekologjistëve. PCF dhe partia e gjeneralit De Gaullle patën miliona militantë mes Çlirimit (1945) dhe 1978-ës. Nga kjo datë, komunistët dhe konservatorët filluan një proces zmbrapsjeje historike. PS mes 1975 dhe 1981 ishte partia kombëtare në rritje. 14 vitet e presidencës së Mitterand (1981-1995) e fundosën në një krizë identiteti që u përshpejtua gjatë presidencës së Hollande i zgjedhur president muajin maj të 2012-ës.

Në të majtë tre apo katër grupe antikapitaliste dhe trockiste jetojnë një dekadencë historike në përballje mes tyre. Formacioni i një Fronti të majtë (FDI) ka rënduar fragmentimin majtist. Nga ana tjetër, ekologjistët francezë janë ndarë mes tyre duke u përballur në çdo gjë që është thelbësore, duke filluar që nga çështjet e mbrojtjes deri tek kritikat ndaj qeverisë aktuale socialiste. Përballë kësaj panorame të ballkanizmit politik të paprecedent, vetëm FN e Marine le Pen shpëton nga zjarri i madh i kotësive dekadente.

Mes 30-35% e punëtorëve francezë votojnë FN prej një dekade. Risi radikale dhe e jashtëzakonshme:  34% e çifteve gay francezë votuan partinë e Marine le Pen në zgjedhjet rajonale të dimrit të shkuar. Alain Duhamel, profesor i shkencave politike e komenton në këtë mënyrë për “Le Parisien” fundosjen të partive politike franceze: Partitë tradicionale do të ruajnë një funksion burokratik dhe do të koordinojnë fushatat elektorale. Por funksioni i tyre politik ka filluar të zmbrapset prej vitesh. Dekadenca e tyre ndoshta është e pakthyeshme”. /DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *