Më shumë se 4 mijë oficerë policie do të jenë në gadishmëri të plotë ditën e sotme gjatë funeralit të ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher.
Arkivoli i Thatcher do të udhëtojë nga Westminster për në Katedralen e Shën Palit, aty ku në mesditë do të bëhet funerali.
Mendohet se 2300 njerëz nga 170 vende të botës do të marrin pjesë në këtë funeral. Do të jetë e pranishme edhe Mbretëresha Elizabetë.
Margaret Thatcher, kryeministrja konservatore e Britanisë së Madhe gjatë periudhës 1979-1990, ndërroi jetë më 8 prill, në moshën 87-vjeçare.
Ekspertë e historianë vazhdojnë të diskutojnë trashëgiminë e saj, veçanërisht në arenën ndërkombëtare. Një pjesë e tyre mendojnë se Thatcher do të mbahet mend më shumë për politikat e ashpra ekonomike të tregut të lirë që zbatoi gjatë pushtetit 11-vjeçar nga viti 1979 deri më 1990-tën, për të cilat mund të thuhet se hodhën themelet e një revolucioni ekonomik në Britani.
Por Zonja e Hekurt luajti një rol të rëndësishëm edhe në skenën ndërkombëtare, veçanërisht në një kohë e tensioneve të luftës së ftohtë mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit.
Thatcher ishte udhëheqësja e parë perëndimore që arriti në përfundimin se Mihail Gorbaçov mund të ishte një tip tjetër politikani sovjetik. Pavarësisht zërave kundër, ajo vazhdon të konsiderohet një lidere e madhe e shekullit të 20-të, ndërsa gazeta “Financial Times” e përshkruan si figurën me të cilën duhet të krahasohen udhëheqësit e ardhshëm britanikë”.