Funerali i Pafundmë

redaktor

Pa guxim do t’i shkruaj këto fjalë, sepse sot ndjej gjithçka përveç ndjenjës së lartuar të guximit. Jetojmë në një kohë ku nuk është më e vështirë të shkruash se çfarë mendon, por të shkruash se çfarë ndjen në fakt, nuk ka qenë kurrë e lehtë. Kur më thanë që e njëjta shtëpi botuese, botonte librat e tij, Visar Zhitit, nuk pyeta dhe u interesova më për asgjë. Vendosa ta botoja aty librin tim, me ëndrrën naive që pas botimit, do të qëndronte në krah të librave të tij, në raftin e librave të zyrës së atij botuesi. Mësova ta dua ashtu siç shkruante ai, në heshtje e në hije. Pa shumë zhurmë e vëmendje. Larg çdo projektori, polemike, dileme që çdo i “madh” tjetër i letrave shqipe, është mësuar të ndajë shqiptarët në ata që e duan dhe ata që jo. Shqiptarët nuk mund të ndahen në pro e kundër për të. Dilema e shqiptarëve për të, është të mësojnë ta duan e ta kuptojnë më shumë. Mësova ta dua e ta kuptoj, kur në “Kujtesa e Ajrit” shkruante për vlerat më të mëdha njerëzore, për brengat më të thella të shpirtit, për vullnetin e mendjes së njeriut për të ruajtur kthjelltësinë para dhembjes, përdhunimit moral, vrasjes shoqërore, burgosjes fizike.

Sot, shpirti i të gjithëve ne, vuan ikjen e gabuar, të pakuptimtë, aksidentale të një fëmije që po jepte dita-ditës provat që nesër do të bëhej një burrë i madh. Një djali të vogël e të ri, që guxonte të ëndërronte për një vend ku të parët, atin e tij e kishin sakatosur e mohuar deri në fund. Këto janë dhembje të mëdha për ndërgjegjen e vendit tonë. Shqipëria nuk mund t’i përballojë këto humbje. Këto ikje kështu, janë të padrejta. Nuk mund të largohesh nga një fluturim! Nuk mund të jetë kaq e thjeshtë! Po sot, në të njëjtën qelizë që na bën të vuajmë këtë ikje, vuajmë edhe diçka tjetër – Brengën e njëmijtë, të atij që vetëm vuajti. Nuk mund të jetë kaq e padrejtë kjo tokë! Ky dhè nuk mund t’i masë njerëzit kështu! E ndjejmë bashkë me të, të gjithë dhimbjen. Me ty, që i dhe shqiptarëve aq shumë me fjalët e librat e tu. Që ndonëse u përçmove vazhdove dhe u shkrove në kohëra pa shpresë dhe në kohëra me shpresa gënjeshtare. Ti këtë e dije! Ti dije sa gënjeshtare mund të ishte kjo jetë dhe luftove që t’i hapje sytë kujtdo. Ty, që të vetmet dredhi që të fali jeta, ishin kaçurrelat (siç shkruan në libër) por që nuk i rezervoi të njëjtin fat birit tënd. Atij, që flokët e tu kaçurrel i trashëgoi aq shumë nga ty.

Të erdhi sërish “Kohë e Britmës”, ty që na paralajmëroje që këto kohëra kthehen e rikthehen pa marrë lejë, pa i pritur. Ashtu arrogante, imponuese dhe ta pashpirta. “Funerali i pafundmë” t’u bë ende edhe më i pafundmë, t’u zgjat, t’u përjetësua. Nga humbja më e madhe që mund të përjetojë një njeri, një baba, një artist. Na e përjetësove edhe ne, sepse me veprën e jetën tënde na ritregove se jeta qenka vërtetë kështu, një “Ferr i çarë” që nuk di të të falë paqe. Që të ngrin parajsat e të lë pezull në kohë, në hapësirën e çmendurive njerëzore, padrejtësive të jetës e fatit të fshehur e dinak. Mësuam të të duam, sepse mësove të na hapësh sytë. Të na gjendeshe sa herë që kishin nevojë për dikë që ndiheshe si ne. Dhe ne sot, të gjendemi afër. Ndonëse e dimë, që për shpirtin tënd do të ishte më e lehtë të humbje të gjitha fjalët që ke shkruar deri më sot. Besona, edhe ne do të donim të kishim humbur fjalët e tua që na pasuruan si komb, vetëm dhe vetëm, që shpirti yt dhe i gruas tënde, të mos ndjente kurrë këtë dhembje sot.

Është e çuditshme që fjalët e fundit për birin tënd, të të shkruhen po ty! Shpirti i tij, qoftë përjetësisht i bekuar. Lundroftë i lumtur dhe i lirë në Qiellin e të vërtetave deri në ditën e mishërimit sërish në këtë tokë. Ndoshta në formën e një luleje që çel gjithmonë e para, ndoshta si një lehtësim për këdo që shpirtin e tij e pushton dhembja. Ndoshta, edhe si një hije gati e padukshme buzëqeshjeje, në fytyrën e prindërve të tij.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *