(Ribotohet pas kërkesës së mjaft lexuesve të “Dita”, me disa ndryshime esenciale)
Mos mendo që je i humbur,
dhe kur fati bëhet dreq,
se asgjë s’është e pamundur,
dhe në çastin më të keq!
Fatit kurrë nuk i dihet,
vetëm dritën mbaj në mënd,
se patjetër diku fshihet,
yll’ i artë i fatit tënd!
Mendimet që kob afrojnë,
krejt nga mendja t’i largosh,
se ato të errësojnë,
dhe asgjë s’mund të shikosh!
Se t’u mbyll ty sot një derë,
mos vur kujën-o njeri,
se një tjetër më me vlerë,
do të hapet përsëri!
Kot mos mërmërit në dhëmbë,
s’ka formula magjiplote,
si një lis të madh në këmbë,
do të ngrejë veç forca jote!
Veç besim jepi mendimit,
dhe do ndizesh porsi zjarri,
se fuqia e besimit,
ngre të vdekurin nga varri!
Mos shih ëndrra kot së koti,
me thesare krejt të ndritshme,
mjafton të të fali Zoti,
vetëm Bukën e Përditshme!
Largo mendimet e frikshme,
ndize shpresën fort në sy,
është Buka e Përditshme,
më e madhja siguri!
Kjo formulë që kur u tha,
lartësoi një të vërtetë,
të përditshmen kush e ka,
është nga mbretërit më i qetë!
Ndaj e mbajti njerëzia,
gjallë shpresën dhe besimin,
në të kundërt babëzia,
jetës krejt ia prish kuptimin!
As prej varrit-as prej Ferrit,
s’mund të shohë njeriu dritë,
dhe në qofsh në fill të perit,
mos u dorëzo asnjë ditë!
Me mjegull mos e vish synë,
mendo djepin ku je tundur,
sa ke shpirt e sa ke frymë,
asnjë gjë s’është e pamundur!
Mos u mbyt në dete loti,
mos mallko të ligat mote,
edhe në s’beson tek Zoti,
beso tek fuqia jote!
Që në ditën që ke lindur,
fati yt me dritë u gdhënd,
ndaj jeto dhe ji i bindur:
“Ti je Zot’ i fatit tënd!”
Gjirokastër, 8.06.2013 – Tiranë, 13.06.2016

E magjishme
Brilliant,no comment!!!!