Fushaj rikthehet te Vllaznia

anazapta

Sa herë që e pyet drejtorin e klubit “Vllaznia”, Armir Grima, për skuadrën që ende nuk e ka siguruar 100% qëndrimin në Superiore, megjithëse kampionatit i ka mbetur vetëm 90 minuta, merr një përgjigje standarde: “Duhet që për sezonin e ardhshëm të ndryshojë mënyra e drejtimit, në të kundërt do të vazhdojmë të vuajmë ashtu si këtë sezon, madje mbijetesa do të jetë shumë më e vështirë”. Dhe Grima nuk mjaftohet me kaq, por është i gatshëm të largohet nëse nuk i hapet rrugë ndonjë grupi biznesmenësh, për të ndihmuar financiarisht këtë emër të madh të futbollit shqiptar, si dhe ta menaxhojë atë për t’u kthyer në nivele të larta. Dhe koha po tregon që kjo është mundësia e vetme.

Tani në vitin 2014, të pretendosh ende që një skuadër e elitës mund të mbahet nga Bashkia është thjeshtë ta kesh lënë mendjen peng që më shumë se 25 vjet më parë dhe të mos kesh pasur më kontakte me të. Në qytete të mëdha apo të vogla, skuadrat e futbollit, ku përfshihen edhe ato të moshave, por edhe të sporteve të tjera, janë vetëm një faturë financiare e papërballueshme nga institucionet që drejtojnë qytetet, të cilat me buxhetet e tanishme e kanë të vështirë të përballojnë edhe shërbimet e domosdoshme të komunitetit. Veç kësaj, si mund të qëndrojë pranë skuadrës një kryebashkiak, që mund të mos jetë ndonjë tifoz i madh, por që ka edhe një mal me impenjime, kur domosdoshmërisht kërkohet e kundërta. Pra presidenti të jetë mundësisht pjesë e klubit. Këtu edhe dy pastruese që fshijnë rrugën në darkë të vijnë një herë në tri ditë, sikur punojnë “part-time” dhe ne presim që Lulzim Basha, apo Lorenc Luka t’i japin Gilbertos, ose një futbollisti tjetër të nivelit të tij, 10 mijë euro në muaj, për të na zbukuruar ekipin e futbollit. Dhe në fakt, për një drejtues të një institucioni shtetëror nuk ka se si të jetë normale, që një punonjës i një prej ndërmarrjeve që ka në varësi (disa klube të futbollit janë ndërmarrje të bashkisë), të paguhet të themi katër herë më shumë se vetë kryetari.

Shembulli më i mirë janë sukseset e Kukësit, të cilat nuk janë të rastësishme dhe mbi të gjitha na kanë bindur, se nuk mundet të mbijetosh gjithmonë duke goditur me grusht gjoksin dhe treguar me gisht historinë e pasur të klubit. Safet Gjici ka shpenzuar shumë nga paratë e tij që nuk ia ka falur njeri, por edhe i qëndron skuadrës pranë pothuajse në çdo ditë të javës dhe në të gjitha javët e muajit. E kujt më shumë se atij do t’i dhimbte ky investim, për të kërkuar më pas me ngulm sukseset. Po ashtu Ardian Takaj në Korçë, që del vit për vit kampion që kur njerëzit janë të veshur me xhupa dhe titullin e ngre kur dalin në rrugë me kanotjere. Ndërsa shembulli i fundit i dështimit të një drejtimi shumëmilionësh nga bashkia është ai i Vlorës, kur pasi nuk gjeti më burime alternative, Shpëtim Gjika u kujdes për të gjetur sponsorë, madje nga jashtë vendit, për ta shpëtuar Flamurtarin nga falimentimi.

Lulzim Basha e hapi krahun dhe e ktheu sërish Refik Halilin, që së bashku me Morinën e shpëtuan Tiranën nga një katastrofë sportive, rënien për herë të parë në histori në kategorinë inferiore. Dhe kur e ndërmorën këtë bashkëpunim, arsyeja e vetme ishte jo sepse Basha donte të tregohej dashamirës, por sepse u dorëzua dhe e kuptoi se nuk i kishte më mundësitë ta shpëtonte një pjesë të Tiranës së tij. Ndërsa i fundit që heq dorë nga kokëfortësia është kryebashkiaku i Shkodrës, që duket se e ka pranuar përsëri Valter Fushën në rolin e presidentit të Vllaznisë, pasi është një nga ata që e di si funksionon, madje dikur e ka mbajtur këtë skuadër në nivele të larta. Pra të jesh në majë, duhen presidentë… nuk bëhet me kryetarë.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • VLLAZNINE DUHET TA MARRE BISNESI ME I SUKSESSHEM DHE PERSONI QE E ÇON VLLAZNINE TE TITULLI KAMPION SE KA TIFOZERI KUDO DHE BISNESI SERIOZ DOTE DALE ME FITIM ME VLLAZNINE KAMPIONE .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *