Si e parashikoni fushatën elektorale? (OSBE ka thënë se do të jetë e egër)…
Jam e bindur se edhe kjo fushatë do jetë e ngjashme me ato që kemi kaluar. Fyerjet e shpifjet do jenë kryefjala dhe të gjitha të mbështjella me një demagogji, e cila na bën për budallenj të gjithëve. Nuk kam asnjë dyshim që z. Berisha do jetë më gojështhurur se asnjëherë tjetër më parë dhe do mashtrojë me doza të stërmëdha. Ndërkombëtarët si gjithnjë do bëjnë “qokën” e do flasin për zgjedhje të lira e të ndershme, por që në fund do pajtohen me rezultatin, cilido qoftë ai. Sondazhet sërish do përpiqen të turbullojnë mendjen e të pavendosurve por, që në fund, asnjë sondazh nuk del as përafërsisht i saktë. Fjalën “e egër” e lidh me situatën e rëndë ekonomike. Pra, nëse do ketë shkallë acarimi, do jetë si pasojë e gjendjes ekonomike, që sa vjen e po rëndohet. Ndaj dhe Berisha do përpiqet që ta shpërngulë vëmendjen e popullit nga kjo situatë, nëpërmjet demagogjisë së shfrenuar. Kjo do ta bëjë shumë të sforcuar sjelljen politike të pozitës.
Ndërkohë them se opozita aktuale, tepër e “moderuar” për kohën që kalojmë, besoj do të forcojë tonet, nëse e kërkon me të vërtetë pushtetin. Ajo duhet të bindet përfundimisht se pushtetin nuk e lëshon me vullnet Pozita. Ndaj që tani duhet të përgatisë veten institucionalisht, për të zhvilluar një fushatë me objektiva konkretë.
Por “egërsinë” unë do ta shikoja në momentin e shpalljes së fituesit. Nëse do ta kapërcejmë këtë fazë, atëherë kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt demokracisë. Në 22 vjet demokraci, nuk mbaj mend ndonjë palë zgjedhje të pakontestuara. Nuk besoj që z. Berisha të jetë përgatitur për humbje, dhe pse mund ta parashikojë këtë. Kjo pikë e fushatës mendoj se do jetë e egër. Madje dhe e paparashikuar.