Fushata e tensionuar në Kukës zbuloi gjurmët e Vladimir Gjutës

Dita

I dyshuari për atentatet ndaj familjes së ministrit Saimir Tahiri dhe kërcënimit të tij me SMS, Vladimir Gjuta, i ka surprizuar drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit jo vetëm për maskimin me paruke dhe shtimin në peshë për të mos u njohur, por edhe me strategjinë e lëvizjeve që kryente për të mos lënë asnjë gjurmë. Asnjë bisedë telefonike me të njohurit e tij pasi i trembej përgjimeve, asnjë komunikim elektronik në e-mail apo rrjetet sociale dhe mbi të gjitha takimet i kryente vetë personalisht duke përdorur korrierë. Policia e Shtetit kishte dyshime se ai prej 5 muajsh ndodhej në Shqipëri dhe nuk ishte arratisur, pasi gjente elementë dhe shenja të prezencës, por asnjëherë nuk e kishte lokalizuar dot.

Derisa një telefonatë e përgjuar rastësisht dhe një incident elektoral në Kukës e kanë nxjerrë më zbuluar 35-vjeçarin. Gjatë marrjes në pyetje nga vetë kryepolici Haki Çako, Gjuta ka mohuar të jetë autor i atentateve, duke thënë se do të dorëzohej vetë në polici pas zgjedhjeve. Por surpriza ka qenë gjetja e një pistolete tip “Glock”, e larë në ar, me inicialet “V.Gj.”, të të dyshuarit dhe mbi të gjitha me silenciator të personalizuar, që u gjet në makinë, përveç listës me emrat e shtabit elektoral të kandidatit të majtë Hasan Halilaj, që dyshohet se Gjuta do i kërcënonte gjatë këtyre tre ditëve, deri në 21 qershor. Ndërsa ka nisur një hetim i përbashkët me policinë italiane dhe angleze për pasurinë e 35-vjeçarit dhe aktivitetin kriminal jashtë vendit.

 

Mjeshtri i fshehjes

Prej muajit shkurt të këtij viti, kur ndodhën 2 atentatet me bomba ndaj familjes Tahiri në Tiranë në shenjë hakmarrjeje dhe u identifikua si organizatori i grupit me 7 anëtarë, Vladimir Gjuta rezulton se nuk ka dalë nga territoret shqiptare. Ai ka qenë vetë në Kosovë dhe ka përdorur kufirin në shtigjet që ka njohur, ose është fshehur në Kukës dhe Tiranë. Në muajin maj ministri Tahiri ka denoncuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se kishte marrë mesazh kërcënues me tekstin; “Lëre rëhat familjen Gjuta, ndryshe do kesh pasoja!”. Pas mesazhit u krijua dyshimi i fortë se qëndronte Vladimiri dhe se ishte nisur brenda territorit me numër shqiptar. Këtu nisën veprimet operacionale dhe gjurmimet, por nuk e zbuluan dot deri të enjten në mbrëmje. Burime policore thanë se 35-vjeçari nuk përdorte telefona apo rrjete sociale dhe postë elektronike. Gjithçka e bënte me korrier dhe takimet i kryente vetë.

 

Zbulimi rastësor

Nëse situata zgjedhore në Kukës nuk do të ishte tensionuar ditët e fundit, mbase Vladimir Gjutaj sipas policisë do vijonte ehde për pak kohë i fshehur. Ai lëvizte nga Tirana në Kukës i lirë, pasi përdorte paruke si maskim dhe kishte shtuar shumë në peshë. Një telefonatë ditën e enjte, se kishte pasur probleme me disa persona në Kukës që pengonin fushatën e kandidatit të opozitës, ka bërë që grupi hetimor të kapte bisedën dhe të krijonte dyshimin se pas zërit fshihej Vladimir Gjuta. Në këto hetime mësohet se kanë ndihmuar edhe ekspertë të FBI-së dhe Italisë, pasi Gjuta ishte një ndër personat më të kërkuar dhe që kishte kthyer në shënjestër ministrin e Brendshëm. U lokalizua zona e telefonatës së kryer dhe u ndoq nga Tirana mjeti i dyshuar, deri tek tuneli i Kalimashit, ku iu vunë prangat nga RENEA.

 

Pistoletë ari me iniciale

Por zbulimi surprizë do të vinte mëngjesin e ditës së djeshme. Rreth orës 03:00, agjentët kontrolluan dy makinat e bllokuara, veturën “Opel” me targa kosovare të Blerim Thaçit, nga Prizreni, ku udhëtonte Gjuta dhe mjetin “Benz” që e ndiqte nga pas, e drejtohej nga Indrit Ademi, nga Kukësi. Në këtë të fundit, brenda baterisë, u zbulua arma pistoletë tip “Glock”. Por befasia ka qenë se arma ishte e larë në flori dhe kishte inicialet e të kërkuarit, “V.Gj.”, ndërsa pranë gjendej edhe një silenciator po i personalizuar në ngjyrë ari.

 

Rrëfimi i Gjutës

Pasi është përcjellë për në Policinë e Tiranës, bashkë me dy të ndaluarit e tjerë, Vladimir Gjuta është marrë në pyetje nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Përgjigjet e 35-vjeçarit kanë qenë të shkurtra dhe mohuese. Ai pranoi se qëndronte i fshehur, pasi policia e përndiqte pa të drejtë. “Do të dorëzohesha vetë pas zgjedhjeve. Nuk kam kryer asgjë nga ato që akuzohem. Nuk i vura unë bombat tek familja e ministrit”, është shprehur Gjuta. Gjithashtu ka mohuar përfshirjen në krimet e tjera për të cilat akuzohet, si kërcënimin me SMS të ministrit, apo kanosjen e mbështetësve të kandidatit të majtë Halilaj në Kukës apo qëllimin e listës me emrat e mbështetësve të kandidatit, që iu gjet në makinë. Sipas policisë, telefonata e kapur bënte fjalë për problemet në Kukës dhe që i dyshuari ka marrë përsipër për t’i zgjidhur, ndaj është nisur për udhëtim. Dyshohet se ai do shantazhonte mbështetësit e kandidatit të majtë dhe për këtë mbante një listë me emra.

 

Prokuroria kërkon ndihmën e Anglisë dhe Italisë për pasurinë e Gjutës

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që heton dosjen për të dyshuarin Vladimir Gjuta, thanë se do kërkojnë ndihmën e homologëve anglezë dhe italianë, për të zbardhur aktivitetin dhe burimin e pasurisë së 35-vjeçarit. Në bazë të këtij hetimi dhe ligjit Antimafia, nëse provohet përfshirja në trafiqe dhe aktivitet kriminal jashtë vendit, ashtu edhe siç dyshohet, atëherë mund t’i kërkohet gjykatës sekuestro e pronave të tundshme dhe të patundshme. Madje mësohet se edhe në operacionin e të enjtes, kanë ndihmuar ekspertë të FBI-së amerikane dhe policisë italiane që operojnë në Shqipëri pranë institucioneve tona, me qëllim zbulimin e të kërkuarit që maskohej.

 

Masa e arrestit

Sot pritet që Vladimir Gjuta dhe dy miqtë e tij të dalin në Gjykatën e Krimeve të Rënda për masë sigurie. Në fakt, 35-vjeçari e ka një masë arresti me burg në mungesë dhe paraqitja e tij do bëhet për konfirmim të saj, në lidhje me atentatet ndaj familjes së ministrit Tahiri, për të cilën u arrestuan 5 persona dhe ende në kërkim është nipi i Gjutës, Baftjar Bruka, që akuzohet si ndërtuesi i bombave me telekomandë. Por ndaj 35-vjeçarit pritet të shtohet edhe akuza e “armëmbajtjes pa leje, për shkak të pistoletës së personalizuar që u kap. Kurse për miqtë e tij rëndon akuza e përkrahjes së autorit të krimit dhe moskallëzimit.

10 shkurt

Dita kur u hodh në erë me bombë C4 të telekomanduar farmacia e babait të ministrit të Brendshëm, afër Spitalit nr. 5 në Tiranë, duke shkaktuar dëme materiale. Një tjetër bombë u vendos afër banesës së prindërve, te “Vasil Shanto”, por shpërthimi dështoi dhe u gjet nga kalimtarët. Ekspertizat e kryera zbuluan se ishin përdorur mbi 10 numra telefoni dhe nga IMEI u gjet shitësi i kartës, telefonit dhe më tej zonat ku u veprua. Hetimet çuan tek disa pjesëtarë të fisit Gjuta dhe miqtë e tyre. Si organizator u identifikua Vladimir Gjuta.

 

E kaluara e Gjutës dhe zanafilla e inatit me ministrin Tahiri

 

Vladimir Gjuta aktualisht zotëron disa prona dhe biznese në Tiranë. Pjesën më të madhe të kohës ka qenë emigrant. Posedon edhe lokalin e njohur te “Rruga e Elbasanit”, “Vila Gjuta”. Emri i tij do të dilte në skenë fillimisht më shumë se dy vjet më parë në Kukës, kur konfliktohet me një pronar karburanti dhe përleshen me armë. Nga beteja pati tre të plagosur, përfshi edhe nipin e Gjutës, Baftjar Bruka. Por pas alibisë së dhënë gjykata i liroi. Gjuta sipas policisë ka qenë i skeduar jashtë vendit për krime të ndryshme. Kurse në Shqipëri, është akuzuar edhe për armëmbajtje, sulm ndaj efektivëve të policisë dhe kanosje. Ankesa e ministrit Tahiri tek Nishani për lirimin e tij në vitin 2014 mendohet të jetë zanafilla e përplasjeve. Më tej kontrollet e shumta në bizneset e tij që bënte policia. Hetimet vijuan me bllokimin e makinave luksoze të tij, ndërsa një tjetër përplasje ndodhi në qershor 2014, kur sipas policisë ai refuzoi të vinte në dispozicion pamjet e kamerave të sigurisë që kishin filmuar dy vrasësit me motor të bankierit Artan Santo. Një aksion i policisë te “Rruga e Durrësit”, ku Gjuta dhe një miku i tij u shtrinë barkazi në tokë nga specialet dhe pamjet u transmetuan në media, duket se shënoi edhe nisjen e hakmarrjes.

 

 

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *