(Vijon nga dje)
Sërish akuzat e opozitës ishin për mospërgatitjen e një regjistri unik votuesish (që nuk ishte arritur të bëhej as gjatë 5 viteve të qeverisjes së PD-së), për falsifikim të listave të votuesve, duke hequr prej tyre anëtarët e njohur të opozitës. Denoncohej prania e dy palë listave “A” dhe “B”. Shumë votues ishin lënë jashtë votimit, gjë që e kishte stimuluar shpallja e listave përfundimtare të votuesve shtatë ditë me vonesë, në kundërshtim me ligjin, si dhe ndarja e pabarabartë në kryesimin e KQZ-ve…
—————————
Situata e fushatës elektorale që do të shoqëronte mbajtjen e zgjedhjeve 2000 për pushtetin vendor do të rezultonte, fillimisht, e qetë, por në dy javët e fundit ajo do të acarohej befasisht, duke ndezur fitilin e eksplozionit tashmë të njohur të akuzave dhe kundërakuzave të paprincipta. Shkak i ngritjes së temperaturës politike u bë një atentat i dështuar i ndërmarrë ndaj ish-presidentit, Sali Berisha, tashmë i shndërruar në kryetar i partisë më të madhe të opozitës. Ngjarja kriminale ndodhi në dt. 26 shtator, në qytetin e Fierit, ku Berisha kishte shkuar për të mbajtur takim me elektoratin. Sipas burimeve jo zyrtare, dhe atyre zyrtare, të opozitës e Ministrisë së Rendit, gjithçka ishte zhvilluar në sheshin qendror të qytetit, gjatë kohës kur Berisha po dilte në podium. Personi që do të konsiderohej atentator quhej Enver Kapaj. Sikurse u raportua, i mbështetur nga persona të tjerë, të paidentifikuar, Kapaj tentoi të hidhte në drejtim të kreut të opozitës një granatë. Kjo gjë nuk u bë e mundur të realizohej, pasi Kapaj u bllokua prej pjesëmarrësve në miting, ndërsa ishte duke e nxjerrë granatën nga xhepi. Më tej, ai u bllokua në një mjedis deri sa mbërriti policia që e mori dhe e izoloi në komisariatin e policisë…
Kaq u desh që opozita të acarohej e të mos i ndalte denoncimet për manipulim të zgjedhjeve dhe përdorje të pushtetit për fitore me çdo kusht. Akuzat ishin për mospërgatitjen e një regjistri unik votuesish (i cili nuk ishte arritur të bëhej as gjatë 5 viteve të qeverisjes së PD-së), për falsifikim të listave të votuesve, duke hequr prej tyre anëtarët e njohur të opozitës. Denoncohej prania e dy palë listave “A” dhe “B”. Shumë votues ishin lënë jashtë votimit, gjë që e kishte stimuluar shpallja e listave përfundimtare të votuesve shtatë ditë me vonesë, në kundërshtim me ligjin, gjë që nuk i linte kohë votuesve të verifikonin praninë. Po ashtu, opozita denoncoi ndarjen e pabarabartë të kryesimit të KQZ-ve. Megjithëse pas këtij kundërshtimi u vendos që KQZ-të të vepronin sipas kryesimit të tyre nga PD-PS, në raportin 50 me 50, opozita u shpreh se: “socialistët e kanë dhunuar këtë akord duke marrë, padrejtësisht kryesimin e pjesës më të madhe të KQZ-ve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i kryesuar nga Fotaq Nano, nuk ka ndërhyrë fare për të balancuar komisionet”, -denoncoi PD, dy ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Ky deklarim vinte pasi mbrëmjen e vontë të dt. 30 shtator 2000, pra një ditë para mbajtjes së votimeve, nga ana e opozitës ishin vëzhguar disa qendra votimi nëpër rrethe të ndryshme të vendit. Dhe çfarë ishte konstatuar?
* * *
Në kundërshtim me ligjin që detyron mosshtimin e subjekteve të tjera, pas hartimit të proces-verbalit nga Komisioni, në Fushë Krujë, ditën e shtunë, u shtua subjekti politik Partia Social Demokrate(PSD). Kështu në fletën e votimit, ku duhej të ishin gjashtë kandidatë, u bënë shtatë.
Në komunën Çudhë, po në Fushë Krujë, në kundërshtim me ligjin, sekretari i Komisionit të Zgjedhjeve, Vesel Xaka, rezultonte të ishte njëherësh edhe kandidat për këshilltar i PS-së për komunën.
Në komunën Bubq, po në Fushë Krujë, nga tetë qendra votimi, PS kryesonte shtatë, me kryetar, sekretar, kurse PD vetëm një.
Në Fier ishin shtuar rreth njëmbëdhjetë mijë persona të panjohur nëpër listat e votuesve dhe në pesë komuna nuk ishte zbatuar raporti 50-50 i kryesimit të komisioneve. Lidhur me këtë raport, dilte se në rrethin e Matit, PD nuk kishte asnjë kryesues. Po e njëjta gjë konstatohej në fshatin Cepo, të Gjirokastrës, në Berat, Vlorë, Sarandë etj. Në Pukë e Librazhd raportohej për fletë votimi mangët etj.
“Është krijuar një konfuzion total me listat e votimit, i cili synon, mesa duket, përjashtimin e mëse 40 përqind të shqiptarëve nga votimi, gjë që do ta bënte të pavlefshëm çdo rezultat të këtij votimi”, -do të deklaronte Berisha, nëpërmjet një mesazhi drejtuar shqiptarëve një ditë para mbajtjes së votimeve, duke i bërë thirrje të paraqiteshin të dielën para kutive të votimit në qendrat e tyre të banimit, duke marrë të gjitha përgjegjësitë qytetare që u takonin. “Qeveria shqiptare ka vonuar jashtë çdo lloj afati dhe ka manipuluar në mënyrën më skandaloze listat e votimit”, -ishte denoncimi i Berishës. Që listat ishin të fryra e të papastruara e tregoi edhe një dokument, i publikuar në RD, dt. 3 tetor 2000, fq.1, e sipas të cilit rezultonte se ish-udhëheqësi komunist, “Ramiz Alia, i dtl. 18/10/1925, dilte të ishte votues edhe i QV me nr. 143, edhe i asaj me nr. 276. Po i tillë dilte të ishte edhe shtetasi Eqerem Rifat Aliaj, i dt. 14/01/1962, që dilte votues në QV nr. 150 dhe nr. 60, Flamur Nelo Aliaj, i dtl. 28/11/1958, që duhej të votonte në QV me nr. 132 dhe nr. 27, Merita Shefki Aliaj, dtl. 01/06/1968, që duhej të votonte dhe në QV nr. 150 dhe në atë me nr. 60, etj. Ndërkohë që denoncohej ky akt antiligjor, bëhej fjalë për rreth 200 mijë zgjedhës të përjashtuar nga e drejta e votimit. Në total ky numër ngjitej në mbi 600 mijë. Këtë e denoncoi opozita, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Edi Paloka, i cili në një deklaratë për shtyp u shpreh se: ”…gjatë procesit të regjistrimit janë lënë jashtë listave të votimit 600 mijë votues, shifër kjo e konfirmuar edhe nga OSBE. Përveç kësaj në Ministrinë e Pushtetit Lokal u hoqën prej listave të dërguara së paku 300 mijë votues, nga të cilët vetëm në Tiranë 74 mijë votues, duke u përdorur si kriter mospjesëmarrja e tyre në referendumin e vitit 1998 për kushtetutën”. Duke shpënë më tej denoncimin e bërë më parë nga Minarolli, për praninë e dy palë listave të votuesve, Paloka dha skemën e funksionimit të tyre, me qëllim manipulimi. “Listat tek të cilat u pretendua se do të regjistroheshin të gjithë ata që kishin kuponin blu dhe atë të verdhë jo vetëm që nuk u plotësuan, por, në të kundërt, prej qeverisë u paraqitën dy lista “A” dhe “B” tek të cilat ishin përjashtuar 300 mijë vetë (lista “A”) dhe lista “B” që paraqiste në masën 97% një falsitet, një numër emrash pa asnjë lidhje, në qendrat e votimit. Karakterin fiktiv të kësaj liste e ka pohuar zyrtarisht edhe nënkryetarja e KQZ-së, Mimoza Arapi”.
Sipas Palokës, ”…drejtuesit e trojkës europiane, KE, ODIHR dhe OSBE, që vëzhguan zgjedhjet, pranuan se në listat e votuesve ka patur parregullsi. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Ahrens tha se i kishte paraqitur ankesat e tij kryeministrit Ilir Meta, dy herë, nëpërmjet letrave që i kishte dërguar. ”Ne u munduam që të ndërhyjmë për t’i përmirësuar gjerat, por kur ne ndërhymë treni ishte nisur”, -u shpreh Ahrens gjatë një konference shtypi të mbajtur më dt. 02 tetor 2000. Përfaqësuesi i ODIHR-it, Eugenio Polizz, konstatoi: ”Zgjedhjet mund të anulohen nga KQZ apo gjykatat në ato vende ku verifikohet se mungesat e votuesve kanë ndikuar drejtë për drejtë në rezultatin e zgjedhjeve, por misioni i KQZ është i dyshimtë për karakterin e njëanshëm politik që pasqyron ky institucion, ndaj është e kuptueshme se sa objektiv mund të jetë ai në kontestimin e zgjedhjeve”.
Kundërveprimi
Nënkryetari i Komisionit Zgjedhor vendor, për Tiranën, Luan Daci dha dorëheqjen, duke deklaruar për shtypin e median: ”Me gjithë këmbënguljen time një mujore, pranë të gjitha institucioneve kompetente brenda KQZ, nuk u bë e mundur dhe nuk u realizua nga qeveria korigjimi i listave paraprake dhe ballafaqimi i tyre me listat legjitime, që grupet treshe hartuan pas vajtjes derë më derë. Këto institucione i obligonte kodi zgjedhor për verifikimin, korigjimin dhe regjistrimin definitiv të votuesve në regjistrin kombëtar të tyre”.
Denoncimet e opozitës dhe të shtypit të pavarur vazhdonin të bënin fjalë për shpërndarjen me shumicë të kartave të identitetit të votimit, me emra personash të panjohur që ishin vendosur nëpër listat e votuesve tetë orë para fillimit të procesit të votimit.
Dhuna policore vazhdon
Në fshatin Kazije, të rrethit Kavajë, komuna Kryevidh, policë me fuoristrada dhe targa të huaja kanë rrahur për vdekje anëtarin e PD-së, Avni Lushkja. Policia e Kavajës, ditën e votimeve ka rrëmbyer dhe ka futur në mënyrë brutale në furgon anëtarin e kryesisë së PD-së, Engjëll Cara. Akti ishte kryer në prezencë të shefit të komisariatit, Fadajev Kërpaci. Në komunën e Kryevidhit ishte keqtrajtuar Haki Veza, kandidat i saj dhe një komisioner. Policia e Kavajës kishte rrahur barbarisht qytetarin Naim Haxhiu, përfaqësues i PD-së në QV. Komisar Kërpaçi i kishte deklaruar nënkryetarit të QV, Besnik Xhihani, se nëse nuk do lejonte të votonin personat që ai kishte paraqitur, me një listë shtesë, e që njiheshin si militantë të PS-së, ai do t’i vinte prangat…
Në Librazhd, shefi i rendit, Vladimir Duro kishte kërcënuar sekretarin e komisionit të QV nr. 3, Hilmi Dashi, përfaqësues i PD-së…
Në fshatin Mazhë e Vogël, komuna Bubq e rrethit Krujë, ishin dëbuar me dhunë policore nga komisionet gjithë përfaqësuesit e opozitës. Në komunën Budëll, policia kishte hyrë me forcë në QV dhe kishte votuar vetë. Po e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në komunën Gjerbës të rrethit Skrapar. Në Korcë policia kishte ndërhyrë në QV nr. 33, duke manipuluar rezultatin. Në Durrës qenë izoluar në komisariatin e policisë 40 aktivistë të Partisë Demokratike, vëzhgues, komisionerë, etj.
Një faksimile mbështetëse (me identitetin e shtetasit Artion Theodhor Jani, dtl. 05.05.1983), denonconte futjen në votime të minorenëve që ende nuk kishin mbushur moshën ligjore. Flitej për rreth 100 mijë të tillë që thuhej se kishin votuar për PS-në, ndërsa bëhej fjalë për futjen nëpër listat e votimit edhe të personave të vdekur. Denoncimi vinte nga Velipoja dhe Elbasani, ku pretendimi shoqërohej me faksimile, prej të cilave dilte se kishin votuar edhe persona të vdekur vite më parë, por fenomeni ishte i shtrirë në të gjithë vendin.
Nesër: QEVERIA META, SI PRESIDENCA BERISHA