Fushatë e ‘përgjakur’ në Afganistan: 46 të vdekur e 68 të plagosur

Edona Llukacaj

Fillimi i fushatës për zgjedhjet presidenciale në Afganistan i ka përshkallëzuar tensionet në këtë shtet.

Një tubim zgjedhor në provincën Parvan është përgjakur nga shpërthimi i një bombe vetëvrasëse. Sipas raportimeve, të paktën 24 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 30 të tjerë të plagosur. Autoritet pohojnë se mes tyre ka edhe gra e fëmijë.

Në tubim ndodhej edhe presidenti afgan, Ashraf Ghani, i cili sapo kishte filluar të mbajë fjalën e tij, kur shpërthimi ndodhi. Ghani raportohet të jetë mirë dhe të mos ketë marrë plagë.

Shpërthimi në Parvan u pasua nga  një tjetër shpërthim vetëvrasës në Kabulin qendror, ku raportohet se kanë mbetur të vrarë të paktën 22 persona dhe janë plagosur 38 të tjerë.

Përgjegjësinë për të dyja sulmet e morën militantët talibanë.

Militantët talibanë kishin paralajmëruar se do t’i përshkallëzonin sulmet për t’i dekurajuar njerëzit në mënyrë që ata të mos votonin në zgjedhjet presidenciale të 28 shtatorit.

Kjo deklaratë ka ardhur edhe pasi bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve u ndërprenë javën e kaluar nga SHBA pas një sulmi.

Bisedimet që nuk përfshinin autoritet qeveritare të Afganistanit, kishin si qëllim arritjen e një marrëveshjeje për tërheqjen e mijëra trupave amerikane nga Afganistani, raporton Dita, duke iu referuar mediave nderkombetare.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *