Në një nga ditët e fushatës zgjedhore milionere, fushatë që ka muaj të tërë që zien anë e mbanë vendit, qytetarëve të shurdhuar nga daullet e sazet e propagandës zyrtare për “vendin e tretë të botës me zhvillimin më të shpejtë ekonomik”, iu dha lajmi se Ministria e Financave , që merr borxh edhe për të paguar rrogat e zyrtarëve ,paska gjetur (nuk e thotë se ku) një milionë euro për të pajisur zyrat e veta(!)
Pasi kanë rrahur kryq e tërthor mbarë vendin më të varfër të Europës me muaj e muaj të tërë të një fushate zgjedhore të parakohshme e prandaj të jashtëligjshme, pushtetarët na njoftuan dje se paskanë vendosur më në fund që brenda afatit ligjor të fushatës zgjedhore të “mos përdorin asnjë mjet zyrtar. Se këtë e kam bërë vetëm unë e vetëm unë do ta bëj prapë e prapë e prapë”…
Na siguron për këtë bëmë pushtetare vetë brigadieri i vrerosur i pushtetit aktual të Tiranës , a thua se nuk e kanë parë e nuk e kanë dëgjuar shqiptarët të bëjë fushatë të pandërprerë për 22 vjet të gjatë. Dhe jo vetëm që qytetarët e këtij vendi të varfër e të varfëruar ca më keq nga pushtetet e babëzitura e kanë parë dhe e kanë dëgjuar aq gjatë, por i kanë hequr në shpinë të gjitha gjëmët që u ka sjellë sokëllima e tij fushatë pas fushate zgjedhore. Të këtij vendi në tranzicion të zgjatur e aq të rënduar, veç të tjerash, edhe për “arsyen e mosarsyes” që na kanë dëshmuar pushtetarët e kësaj fushate të paprerë për 22 vjet të tërë. Një fushatë e çuditshme që nis me muaj e me muaj të tërë para kohe dhe që merr me vete miliona euro nga taksat e qytetarëve të këtij vendi , qytetarë aq të varfër sa gati një numër i madh prej tyre e marrin dhe bukën me listë. Një fushatë aq e shtrenjtë milionere, që nuk zhvillohet në Amerikën e begatë, por në Shqipërinë e tranzicionit, kur edhe për automjetet e policisë nuk ka fonde për të blerë karburantin e nevojshëm. Një fushatë zgjedhore milionere, që po zhvillohet në një kohë kur ekonomia e rrënuar po e shpie vendin drejt falimentimit financiar.
Një fushatë ku nuk pasqyrohen fare shpenzimet zgjedhore të partisë në pushtet e këtej marrin shembull dhe partitë opozitare me pjesën e tyre në bizneset me mbështetje politike. Madje pushteti arrin deri aty sa të na garantojë se mospasqyrimi i shpenzimeve partiake gjatë fushatave zgjedhore përbën një sekret të sigurisë kombëtare… Kot nuk gjeti pushteti aktual një ekspert aq të shquar për “këshilltar për sigurinë kombëtare”, si zotëria e tij Toma (jo ai i Kolegjit Zgjedhor që na shpalli humbësin fitues të zgjedhjeve, por ai Toma amerikan i pushuar nga detyra e sekretarit të sigurisë në vendin e vet, ai Toma i madh amerikan që tanimë na erdhi si përgjegjës i një firme private për të nxjerrë ca dollarë më shumë me sigurinë kombëtare të Shqipërisë së varfër, edhe duke i bërë më të vyera këshillat e tij me caktimin e njëfarë Faslliu ballkanik si komisar e mik për kokë të pushtetit aktual të Tiranës pranë Këshillit tonë të Sigurisë Kombëtare….
Si të mendojë për të kursyer paratë e qytetarëve shqiptarë pushteti aktual i Tiranës, kur paguan me to jo vetëm tomat e fasllinjtë e “sigurisë kombëtare’, por paguan me dorë të lëshuar dhe fushatat zgjedhore milionere, pastaj me ato që mbeten nga buxheti i firasur i shtetit tonë të dështuar nuk kursehet të paguajë dhe ca firma amerikane të specializuara për të ndryshuar rregullat zgjedhore në mbarim të lojës e për të na gjetur dhe votat që na i duhen pushtetit “të hedhura gabim” nëpër ato kutitë e bekuara të ngjeshura e të çara me pako votash pushtetare të hedhura me qëllim?… Se nuk janë paguar pakë këto ditë të fushatës milionere edhe ato firmat eksperte për të nxjerrë fitimtarin humbës e humbësin fitimtar, pasi kanë bërë malet bashkë duke u përpjekur të na fshijnë ca zgjyrë nga faqja e zezë e pushtetit aktual të Tiranës. Nuk janë paguar pakë për shërbimin e atyre firmave lotuese, që po e mjelin si lopë race buxhetin e tharë të shtetit të dështuar shqiptar , por janë paguar në një dorë plot 400 mijë dollarë nga taksat e qytetarëve të varfër shqiptarë dhe nuk e dimë nëse do t’ia dalin vërtet të heqin ndonjë dorë zgjyrë nga faqja e katranosur e pushtetit aktual të Tiranës…
***
Vendi i vetëm në botë që nuk kemi qeveri, por kemi dy opozita. Vërtet që njerën e kemi në pushtet e tjetrën në opozitë, por që të dyja palët sillen e veprojnë si opozitë. Kush nuk i mban mend nga shqiptarët, e jo vetëm, ato sjellje prej opozite të këtij lloj pushteti edhe kur kalorësin e vet të luftës së klasave e kishte president të Republikës , por edhe këto tetë vjetët e fundit që e ka pasur të vetëpunësuar si kryeministër të vendit?… Sapo kujtohet më të rrallë opozita e nëpërkëmbur të protestojë duke zhvilluar një miting të madh në bulevardin qendror të Tiranës, brigadieri vrerosur i pushtetit mbledh me ngut e rreshton në kuadrate revolucionare të gjithë punonjësit buxhetorë dhe tërë taborin e mbështetësve të tij me kuç e me maç në “Sheshin Skënderbe” e më pas në Sheshin “Nënë Tereza”, duke e bërë vendin e demokracisë OMGJ me Dy Opozita njëherësh. Opozita hedh me të drejtën e saj të robit e të Zotit parullën “Ta përmbysim këtë pushtet të korruptuar e të inkriminuar!”, kurse pushteti hedh parullën”T’i përmbysim bllokmenët e rinj si baballarët e tyre!” Dhe shqiptarët e ndërkombëtarët e kishin dhe e kanë sot e këtë ditë aq të vështirë të marrin vesh mirë se cila është opozitë e cili është pushteti në këtë Shqipërinë tonë të tranzicionit të pasosur. Sepse të dyja palët kërkojnë të përmbysin pushtetin e njëra-tjetrës dhe nuk merret vesh se kush është vërtet në pushtet. Është aq e ngatërruar gjetja se kush është vërtet në pushtet këto vite të tranzicionit tonë të zgjatur qëllimisht për të barazuar dhe me vite e dhe me bëma diktaturën, sa të duket sikur pushteti aktual nuk e harron dot që është i caktuar të bëjë opozitën e partisë-shtet, që na bëri sikur e la pushtetin në fillim të viteve 1990. Duket që trashëgimtarët e diktaturës nuk e harrojnë dot porosinë për të bërë me parulla opozitën e fandaksur të pushtetit, që u vari këmborën për ta mbajtur në qafë, por jo dhe për ta tundur. Ndryshe, si të mund të shpjegojë i shkreti njeri se ç’dreqin ka një brigadier i vrerosur i pushtetit që sillet si opozitar i dëshpëruar, edhe kur është president i Republikës, edhe kur vetë-emërohet si kryeministër i vendit?…
Si mund të shpjegohet ndryshe një mungesë e tillë përgjegjësie e një pushteti, që ka në një dorë të vetme të gjithë institucionet qeverisëse të vendit, një mungesë aq ulëritëse e përgjegjësisë sa të shpenzojë miliona dollarë të taksave të shqiptarëve të varfër, vetëm për të bërë njëfarë makijazhi për faqen e vet të nxirë me bëmat e veta? Ja dhe e besuan për aq kohë sa të marrin paratë në dorë ato firmat lobuese amerikane se ia ndreqën disi faqen këtij lloj pushteti pa sy e faqe e pa lapë syri, po pastaj? Ato firmat lobuese amerikane, që bëjnë në Shqipërinë e varfër biznes edhe me vetë demokracinë, nuk besoj se do ta besojnë gjatë një gjë të tillë dhe as do të përpiqen për shumë kohë të lyejnë e të ngjyejnë faqen e këtij lloj pushteti, se me shiun e parë të verës ka për të dalë dhe ajo lyerje e ajo ngjyerje dhe as Amerika e as bota mbarë nuk do të gënjehen dot më nga makijazhi i firmave lobuese, që tek e fundit gjejnë shesh pa bëjnë përshesh. Po pastaj? Ku do t’i gjejnë milionat e tjerë nga një ekonomi e rrënuar pushtetarët tanë? Në një gjendje të tillë të ekonomisë , kur pushteti detyrohet të marrë borxhe dhe për të larë kamatën e borxheve , mos vallë një fushatë zgjedhore milionere do ta shpëtojë ekonominë nga rrënimi? Apo mos një ekonomi të tillë do ta shpëtojë nga falimentimi parulla absurde e zgjedhur nga ky pushtet si logo fushate :”Ne jemi Ndryshimi”?…
Nuk besoj se mund të shpëtojë nga humbja e 23 qershorit një pushtet kaq i kalbur nga abuzimet e ligjet e me vetë Kushtetutën e vendit. Nuk besoj se mund ta shpëtojë nga një humbje e rëndë këtë lloj pushteti as premtimet e përsëritura të fushatave të kaluara zgjedhore. Nuk besoaj që mund ta shpëtojë këtë lloj pushteti nga humbja as fikja e dritave në veprimtaritë politike të Frymës së Re Demokratike. Nuk e shpëton dot nga humbja e sigurt e 23 qershorit këtë pushtet të trembur aq keq nga ndryshimi , sa kujton se mund ta ndalojë dhe ndryshimin me parullën absurde:”Ne jemi Ndryshimi!” Se një qeveri e përgjegjshme flet njëherë për dështimet e veta , tregon arsyet e atyre dështimeve e pastaj mund të hidhet në premtimet e reja , edhe kur ato janë premtime “për fushatë elektorale”, sikundër e kanë pohuar vetë këta lloj pushtetarësh të paskrupuj sa herë që kanë bërë pirueta të pamoralshme e të pështira për të qëndruar në pushtet më çdo kusht e me çdo çmim.
Se këto lloj premtime të përsëritura janë katandisur një lloj refreni i pabesueshëm e tepër qesharak. Aq qesharak, sa më kujtojnë një thnëie të të ndjerit Dom Simon Jubani, kur iu drejtua dikur një hierarki të diktaturës që vizitoi burgun e Burrelit: “Keni tash 30 vjet që po na zgjedhoni kohën e ardhshme të mënyrës dëftore”Do ta bajmë kët e do bajm at, por deri tash nuk keni ba asgjë nga ato që premtoni”
Duket që edhe në këtë rastin e pushtetarëve tanë të tranzicionit qenka me vend ai proverbi i njohur popullor: “Dardha bie nën dardhë”. Ndryshe nuk kuptohet dot nga asnjë mendje e shëndoshë se si mund të zhvillohet një fushatë zgjedhore milionere me një ekonomi të rrënuar.

Kur kryemistri I caktuar per te nasqerisur shtepine e perbashket behet beu I fashtit te varfer, keshtu do te ndodhe gjithnje. Se banoret e ketij fshati te humbur jane edhe sot si ata te Suat bej Verdhomes te vv. ’30 te shekullit qe shkoi.
Duto more Daut mos na permend te pasurit ne te Rilindjes se i kemi me shumice dha na hap pune.Ne te kemi aleat jashte koalicionit e mos beje kesi budalleqesh.