Fustani ikonë i vitit 2012 është ai i Mishel Obamës. Fustani që Zonja e Parë mban veshur në foton që shoqëroi lajmin për rizgjedhjen e presidentit Obama është kthyer në objekt të dëshiruar për miliona gra në të gjithë botën. Fotoja që lajmëronte botën për mandatin e dytë të presidentit amerikan Barak Obama është shpërndarë 800 mijë herë pas postimit të parë, ndërsa më shumë se 323 milionë njerëz kanë klikuar opsionin “pëlqej” poshtë saj. Por përveç përqafimit të ngrohtë të çiftit Obama në një moment të tillë të veçantë, ajo që ka tërhequr vëmendjen femërore ishte marka e fustanit që Mishel Obama mbante veshur. Bashkëshortja e burrit më të pushtetshëm në botë vishet jo rrallë me marka jo shumë të kushtueshme, për të përcjellë mesazhin se në kohë krize mund të dukesh bukur edhe kur shpenzon pak për veshjet. Madje, nuk ka ndonjë problem edhe nëse vesh disa herë të njëjtin fustan. Fustani i bardhe me kuadrate të kuqe është “ASOS”, një markë relativisht e lirë, dhe që nga publikimi i fotos së Obamave, ky model është shitur me ritme të habitshme. Përveç stilit mjaft të pëlqyer të Zonjës së Parë, ajo që mund të ketë ndikuar në shitjen e këtij modeli është lidhja shpeshherë e pandërgjegjshme që mund t’i bëhet atij me suksesin (Obama u rizgjodh president i SHBA-së). ASOS është detyruar të prodhojë të tjera fustane të këtij modeli, por pa ndryshuar çmimin. Në faqen online, ASOS njofton se nga 25 shkurti, të gjitha femrat që e pëlqejnë fustanin do të mund ta blejnë për 66 euro.