Një mega-operacion i ri kundër trukimit të ndeshjeve të futbollit është regjistruar sot në mëngjes në Itali. Janë rreth 50 personat e arrestuar nga policia e Katanzaros në kuadër të hetimeve të policisë ndaj dy organizatave që dyshohet të kenë trukuar dhjetëra takime të Lega Pro dhe Serisë D .
Policia italiane bën me dije se janë rreth 70 personat që janë përfshirë në hetim, përfshirë dhe 30 skuadra futbolli.
Mes të arrestuarve janë edhe dy shtetas shqiptarë të identifikuar si Edmond Nerjaku dhe Erikson Aruçi. Akuza ndaj të arrestuarve është krijim i organizatave kriminale të finalizuar me mashtrim sportiv.
Arrestimet janë bërë në më shumë se 20 provinca italiane, në Kalabri, Kampania, Puljia, Emilia Romanja, Abruco, Marke, Toskana, Liguria, Veneto e Lombardia.
Mes personave të vënë në pranga janë presidentë klubesh, drejtues, futbollistë, trajnerë, të cilët kanë trukuar me dhjetëra ndeshje të kampionateve të Lega Pro dhe Serisë D. Mes ekipeve të përfshira janë Pro Patria, Barleta, Brindizi, Aquila, Neapolis Mugnano, Torres, Vigor Lametia, , Sorrento etj./Shqip
