Pas takimeve me krerët e politikës shqiptare dhe ambasadorët e BE, OSBE dhe SHBA, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, Komisioni Europian zbardhi vizitën e tij në Tiranë.
Sipas njoftimit të KE-së, gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, Komisioneri pati shkëmbime të hapura dhe të sinqerta me politikanët shqiptarë rreth prioriteteve të tyre për sa u përket aspiratave të vendit për integrim në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm, por u takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet. Fyle tha se Komisioni Europian është i vendosur të forcojë më tej procesin e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. “I tërë procesi i reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi – në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë”.
Fyle: Erdha për të diskutuar se ç’duhet bërë që zgjedhjet të mos kontestohen
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, nis sot në Tiranë një vizitë që ka për qëllim zgjidhjen e ngërçit të krijuar në politikën shqiptare. Fylë ka mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e së dielës, ndërsa sot ka nisur takimet me diplomatët e BE-së dhe OSBE-së, për të vijuar më tej me ambasadorin amerikan, ndërsa më pas me krerët e PD-së dhe PS-së, Sali Berisha dhe Edi Rama. Axhenda e zotit Fyle nisi sot me takimin me ambasadorët Etore Sekui dhe Eurgen Uollfarth. Më pas, Fyle u takua me ambasadorin Arvizu. Pas pëtrfundimit të takimit, Fyle u prit nga kryeministri Sali Berisha. Më pas, rreth orës 12:05, ai takoi kryetarin e PS-së, Edi Rama. Ndërsa pas takimit në selinë rozë, Komisioneri i Zgjerimit është zhvendosur për në Presidencë, për një takim me kreun e shtetit, Nishani.
Vetëm pak minuta para se të niste axhendën e ngjeshur me aktorët kryesorë politikë në vend, komisioneri Fyle ka sqaruar edhe arsyet e vizitës së tij.
“Erdha për të diskutuar çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar, ç’duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen”, shkruan Fyle në faqen e tij personale në ‘Tuitter’.
