Në një situatë politike tejet të tendosur dhe tejet të tensionuar mes palëve politike, kryekomisioneri për zgjerim në BE, Stefan Fule, do të vizitojë Tiranën në 13 shkurt, ku duket se misioni kryesor do të jetë pikërisht vendosja e dialogut mes palëve.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Fyle do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit dhe politikës, me të cilët pritet të diskutojë edhe lidhur me paketën 5 pikëshe të rekomandimeve të BE, nga ku Komisioni Europian do të dalë me një tjetër raport të cilin do t’ia prezantojë Këshillit të Europës.
Këshilli do të shqyrtojë në bazë të raportit, që do të prezantohet nga Komisioni, implementimin e vazhdueshëm të strategjive reformuese anti-korrupsion dhe në gjyqësor, dhe të legjislacionit të miratuar së fundmi, si dhe trendin e vazhdueshëm të hetimeve dhe ndjekjeve penale proaktive, përfshirë këtu në fushën e krimit të organizuar.
Në dritën e këtij raporti Këshilli pret të ndërmarrë një vendim për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat në qershor 2014.
Ndërkohë reforma territoriale, mbetet emergjenca për të cilën palën nuk po e gjejnë rrugën e konsensusit, ndërkohë që rrëzimi i dekreteve të Presidentit për anëtarët e gjykatës së lartë te enjten shtoi dhe më tej dozën e tensionit mes palëve.