Fytyra

J L

(MANUSH ALIMANIT)

 Moikom Zeqo

 

Një plumb i vetmuar erdhi nga hapësira të papërcaktuara, as nga Perëndimi, as nga Lindja, as nga Veriu dhe as nga Jugu.

Ndoshta ekzistonte një tjetër hapësirë e paklasifikueshme dot nga busullat manjetike.

Sidoqoftë plumbi e pati një shënjestër: trupin e partizantit të ri njëzete dy vjeçar, Manush A.

Ai ishte në këmbë, pastaj u përmbys.

Fytyra i ra në shkëmb.

U përgjak.

Plumbi e kishte zënë në pjesën e djathtë të kraharorit.  Partizani i humbi ndjenjat.

Vdekja i paracaktoi një kohë ku ai ishte midis jetës dhe vdekjes.

Kjo zonë kohore është tepër e rrallë dhe e kursyer.

Nuk mund të thuhet kush e kishte dërguar plumbin fatal.  Ishte një ndeshje e papritur e partizanëve me nazistët gjermanë.

Në një pyll bredhash, mes të cilit vraponte një përrua i rrëmbyer.

Mbas disa orësh partizanin e kapur nga gjermanët, e burgosën në bodrumin e një kishe në qytetin e Shkodrës.

Manush A.

U përmend mes një etjeje të tmerrshme.

Temperaturat e ferrit vinin brenda trupit të tij.

Në bodrum ishte një errësirë mitike.

Ai nuk shihte pothuaj asgjë.

Në qeli hyri një oficer nazist.

Ishte i gjatë dhe i hollë, jashtëzakonisht i zbehtë dhe mbante ca syze të çuditshme.

Ai mbante në dorën e djathtë një fener të ndezur vajguri.

Mjedisi i bodrumit u lëkund si një haluçinacion.

Sundonte një qetësi e frikshme.

Oficeri u përkul mbi partizanin e rrëzuar mbi pllakat e gurta.

Manush A. nuk lëvizi.

Oficeri e afroi fenerin tek fytyra e Manush A.

Pastaj doli nga bodrumi.

Erdhën dy sanitarë ushtarakë, prenë me gërshërë xhaketën e partizanit.

Këmisha e Manush A. qe bërë e purpurt, vende-vende dukeshin disa fragmente të bardha si një hartë rresh në një qiell masakre.

Ata e mjekuan plagën e partizanit duke e lënë lakuriq kraharorin e tij.

Pastaj i hodhën përsipër një kapotë gjermane.

Partizani kërkoi ujë.

Njëri prej sanitarëve i afroi tek buzët një shishe me raki.

Tashmë, mbas dy gllënjkave, në trupin e partizanit u dyfishua nxehtësia, duke i krijuar atij ndjesinë e një inkadeshence kozmike.

Qënia e partizanit i kishte zhdukur të gjitha kufijtë e hapësirës dhe të kohës.

Mesa duket nazistët nuk donin që ai të vdiste.

Ata që donin ta vrisnin donin gjithashtu që ai t’i shpëtonte vdekjes.

Ky ishte paradoksi.

Mbas tre ditësh tek i burgosuri erdhi përsëri oficeri mefistofelian.

Ai i  foli Manush A. në italisht.

Partizani kishte qënë student në Milano të Italisë.

E njihte mirë italishten.

Oficeri mesa duket e dinte këtë gjë.

Kush vallë ia kishte thënë këtë informacion?

Ditët e mëpasëshme qenë një proçes hetimi sipas një skenari shumë të çuditshëm.

Oficeri iu prezantua Manush A.

-Quhem Horting Kruz.

Jam nga Viena.

Profesioni im është kirurgjia.

Tani jam mobilizuar në ushtri.

Kjo gjë nuk varej shumë nga unë.

Unë e di se kush je ti.

Nuk më intereson aspak jeta jote.

Por nuk më intereson aspak dhe vdekja jote.

Urdhërova të të mjekonin për hir të një eksperimenti.

Unë di që ti je një njeri i rëndësishëm tek partizanët shqiptarë.

Po bëj një propozim: më jep informacione të hollësishme për partizanët dhe unë të premtoj që ti nuk do të vdesësh.

Ti je i ri dhe ke një ideal.

Kjo është e kuptueshme.

Por jeta duhet jetuar.

Dhe ky është një parim universal.

Je kaq i ri dhe mund të jetosh gjatë.

Nëse lufta vret në një këndvështrim të kundërt ajo mund të japë dhe jetë.

Nëse e shikon botën bardhë e zi atëherë mund të pozicionohesh ose nga njëra anë, ose nga ana tjetër.

Shopenhauri këtë e quante dilema dhe zgjedhja e vullnetit.

Besoj e ke lexuar Shopenhaurin?

Si student ke lexuar shumë.

I braktise të gjitha.

Librat të japin disa ide.

Por nuk i dyfishojnë idetë e jetës së gjallë.

Kurse në vdekje nuk ka asnjë ide.

Në Had nuk ka asgjë,- ka thënë Solomoni i Biblës.

Të gjithë martirët nuk e kanë kuptuar këtë gjë.

Pavdekësia është diçka e rreme.

Por nuk është qëllim im për të ti thënë ty këto të vërteta të pakta të botës.

Qëllimi im ka një karakter profesional, mjekësor.

Unë dua të bëj një eksperiment me ty që nuk kushton shumë dhe nuk dhemb shumë.

Propozimi është: jepmë informacione për partizanët, gjë që për mua është një qëllim i dytë, dhe unë do të jap ty një fytyrë të re, do të bëj një operacion plastik në fytyrë duke të ndryshuar identitetin e jashtëm.

Ky është qëllimi im i parë.

Prej kohësh kam studiuarndryshimin e identitetit të njerëzve.

Shumë njerëz mund ta ndryshojnë identitetin lehtësisht.

Unë e di që lufta që po bën Rahju i Tretë mund të përfundojë në disfatë.

Nuk jam fanatik deri në fund i luftës.

Po mendoj atë që vjen më pas.

Mbas disfatës së Gjermanisë çështja e ndrimit të identiteteve mund të vihet në rend të ditës.

Dua të ndërtoj një axhensi mjekësore të ndrimit të identiteteve.

Eksperimentin e kam nisur para sesa të mobilizohesha në ushtri.

Për herë të parë kam bërë operacion fytyrën e një hajduti të veprave të artit, që e kërkonte policia.

Nga një kufomë në morg hoqa lëkurën e plotë të fytyrës së të vdekurit.

Pastaj atë e vendosa mbi fytyrën e hajdutit duke i dhënë të gjallit fytyrën e të vdekurit.

Konkretisht dua të veproj kështu edhe me ty

Një ushtar gjerman është vrarë nga partizanët.

Ende nuk e kemi varrosur.

Unë dua të vendos fytyrën e tij mbi kokën tënde.

Kështu ti nuk ke asnjë përgjegjësi morale nëse i tradhton shokët e tu.

Ne do të shpallim se ti ke vdekur, sepse fytyrën tënde do t’ia vë gjermanit të vrarë.

Ti mund të vish me ne gjatë tërheqjes në këto vise të mallkuara të Ballkanit, madje nëse mëson dhe gjermanisht ti mund të rikthehesh tek prindërit e gjermanit të vrarë dhe ata do të besojnë plotësisht se ti je biri i tyre.

Manush A. u shtang.

E humbi përsëri ndjesinë e kohës dhe të hapësirës.

Ky oficer ndoshta nuk vinte nga koha reale por nga mjedise të padukshme të  magjistarëve balsamonjës të Egjiptit të lashtë, apo nga organizata sekrete që përpunonin ide të tjera të rrezikshme dhe të plotëfuqishme për botën reale.

Manush A. klithi.

Kjo klithmë shkoi në drejtim të kundërt të plumbit të panjohur që e kishte plagosur.

Manush A. nuk pranoi të qe subjekt i këtij operacioni.

Oficeri nazist e mikloi për një javë rrjesht.

Ai vinte çdo ditë në bodrum përherë i qetë dhe i kujdesshëm.

I kishte të llogaritura gjestet dhe fjalët.

Nuk qe agresiv dhe as i rreptë.

Qe i fiksuar marrëzisht mbas idesë së tij.

Manush A. nuk pranoi.

Më tepër i tmerruar sesa i shqetësuar prej vdekjes Manush A. mbas trembëdhjetë ditësh e theu fenerin e ndezur të vajgurit në trupin e tij dhe u vetëdogj.

Zjarri i trupit të tij qe kundërthënës, i furishëm dhe i shpejtë.

Kështu mbaroi kjo histori e pabesueshme.

 

POST SCRIPTUM

Ka dhe një variant tjetër të përpunuar nga një shkrimtar fashist, me origjinë shqiptare nga Shkodra.

Ai kishte krijuar miqësi me oficerin nazist dhe mbas një dehje të ethëshme në shtëpinë e shkrimtarit në Shkodër, oficeri nazist i kishte treguar këtë sekret.

Shkrimtari mbas disfatës naziste në Shqipëri emigroi në një nga qytetet e Jugut të Italisë.

Ai ndroi emrin, nuk shkroi më shqip por vetëm italisht disa tregime fantazmagorike, imitime të keqpërdorura tek Edgar Allam Poe.

Tregimet e tij qenë të trillta, me fantazi rutinore dhe fare pa shpirt.

Ai urrente pafundësisht partizanët.

Disa vjet para se të vdiste,  i harruar nga të gjithë, ai e la një dorëshkrim çuditërisht të shkruar në shqip.

Qe dorëshkrimi i një romani që ai e mbiquante roman alternativ.

Subjekti lidhej me Manush A.

Ai shkruante se Manush A. e pranoi propozimin, i tradhtoi shokët që Gestapoja i kapi dhe i masakroi.

Pastaj me një fytyrë tjetër dhe identitet të ndryshuar u largua nga Shqipëria.

Nuk mësoi kurrë gjermanisht.

Por emigroi në Amerikë.

Në moshën tridhjetë vjeçare, mbas punëve të rëndomta në Nju Jork u njoh me një regjisor kinemaje.

I tregoi regjisorit ngjarjen vetiake.

Kështu u konceptua një film hollivudian që u shfaq në vitet ’60 të shek. të njëzetë.

Dorëshkrimi këtu ndërpritej.

Skenat e përshkruara kishin shumë dilema, pesimizëm dhe mllef.

Protagonisti vuante nga idetë e tij komuniste që përbënin thelbin e qënies së tij.

Identiteti i tij i ri qe thjesht diçka e jashtme.

Ai ëndërronet të bëhej jo aq një mendimtar i majtë sesa një vrasës anarkist.

E tmerronin spitalet, mjekët, kozmetikat e grave, rolet e aktorëve etj.

E tmerronin sidomos tranvestitët.

Kirurgjia e ndryshimit të identitetit kishte pësuar një ndryshim të hatashëm.

Oficeri nazist që nuk dihet sisi përfundoi dhe ku e pati fundin e tij tashmë ishte një motiv i harruar dhe okult i historisë.  Por idea e tij qe e jashtëzakonshme, ndonëse e çmëndur.

Kjo ide qe një mrekulli e tregut njerëzor të operacioneve plastike për të cilat njerëzit ëndërrojnë dhe harxhojnë pafundësisht.

Dorëshkrimi në fjalë, i pambaruar dhe i kotë, nuk u publikua asnjëherë.

Ky dorëshkrim ngrihej mbi të kundërtën e asaj që kishte ndodhur në të vërtetë.

Qe një dorëshkrim fanazëm, një trill, një pikëpyetje dhe njëkohësisht një pikëçuditëse.

Varri i Manush A. ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve në Shkodër.

Aty është skeleti i tij, jeta dhe vdekja, pa asnjë ndërlikim dhe mëdyshje.

Refuzimi për të ndruar identitetin qe gjithashtu një kundëride.

Qe një humnerë e pafund që mund të përpinte gjithçka, çdo njeri, madje gjithë popujt dhe vetë njerëzimin si dhe çdo qënie të gjallë që do të mëtonte ndrimin e identitetit.

Ndoshta kjo grishte rikthimin e madh drejt zanafillave të njeriut dhe të jetës.

Ndoshta qe një thirrje marramendëse me pak përgjige të vetmuara.

Ndoshta….

 

(1992)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *