SHËNIM: Fytyrat e dekriminalizimit

redaktor

Janë angazhuar diplomatë, emisarë e ambasadorë prominentë në Tiranë, flasin e shkruajnë televizione, gazeta e blogje, dhe politikanë të lartë premtojnë e paralajmërojnë. Tema është dekriminalizimi dhe ka të bëjë me pengimin për pjesëmarrje në poste të administratës, aq më tepër ato të larta me fuqi vendimmarrëse, të individëve të inkriminuar në trafiqe, korrupsion të provuar e aq më tepër krime. Ka disa lajme nga kjo fushë, ku në këto ditë fushate spikasin tërheqjet apo thirrjet për tërheqje të kandidatëve x e y, nën dyshimet se kanë një njollë nga e kaluara.

Diku sa për sy e faqe e diku për shkak të presionit, ky proces duket se po fillon të vihet në lëvizje. Ama në rastin e Fredi Belerit, me emër tjetër Dhionis, nuk ndodh asgjë. Bëmat e faktuara të tij, pra vitet e burgut, dhe ato të dyshuarat që janë bërë sekreti ynë i përbashkët, pra që i dimë prej vitesh, nuk kanë penguar autoritetet përkatëse shqiptare të lejojnë kandidimin e tij për bashkinë e Himarës. Emri i Belerit është lidhur prej dy dekadash me masakrën e Peshkëpisë, ku për ata që nuk e dinë, ka ndodhur as më shumë e as më pak, por një sulm i armatosur nga territori grek, drejt një poste kufitare shqiptare në jug të vendit, ku janë vrarë një oficer dhe një ushtar i yni.

Shumëkush mund të thotë se kjo është një akuzë e përgjithshme që përflitet në publik, por gjykata nuk ka provuar diçka të kësaj natyre. Ashtu qoftë. Por veprimtarinë dhe deklaratat e tij anti-shqiptare, mbështetjen dhe nxitjen nga ekstremistë të njohur grekë që kanë shpallur pretendime territoriale nga një vendi fqinj të Greqisë, si Shqipëria, mund ta faktojë kushdo. Kujt i shërben ky lloj provokimi me këtë kandidaturë?

Le të bëjmë për një çast një analogji të vogël. Autoritetet greke shpallin zyrtarisht persona non grata një gazetar shqiptar, Marin Memën, që “guxon të shkruajë e të flasë” për fshatrat e zonat me taban shqiptar matanë kufirit. Dhionis-Fredit, që nuk ka marrë as mundimin intelektual të shkruajë, por që përflitet se i është përveshur direkt aksionit me armë, nuk i hyn gjemb në këmbë dhe garon në zgjedhjet lokale të një vendi, ushtarët e të cilit ka sulmuar e vrarë në kufi?

Ngado që ta kapësh, daç me dekriminalizim e daç me veprimtari anti-kombëtare, rasti i Belerit kundrejt qëndrimit të autoriteteve shqiptare nuk ka b… ku të rrijë. Mesa duket, të akuzuarit si vrasës të kufitarëve shqiptarë nuk na interesojnë më, që kur diversantët e dikurshëm i shpallëm pishtarë të demokracisë. Shënjestrën e pushkës së ligjit e kemi vënë vetëm kundër ndonjë spaçatori apo tutori femrash, krimet e të cilëve në ndonjë vend tjetër, do cilësoheshin të ëmbla si krem-karamel krahasuar me ato të Belerit. Atëherë, rroftë procesi i dekremkaramelizimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *