“Fytyrat e njohura” në Tiranën e viteve ’70 dhe sot

DITA Online

 

Hello, “stranger”!

Nga Fatos Tarifa

 

  1. Fytyra të njohura njerëzish të panjohur
Fatos Tarifa

Ka kohë që kam konstatuar një dukuri interesante, esencialisht sociologjike. Një ndër ato dukuri, të cilat, në traditën e ndërveprimit simbolik të Ervin Goffman-it, do të mund ta quaja një dukuri në sociologjinë e jetës së përditshme. Goffman dhe, ndoshta, Georg Simmel, Herbert Blumer, Zygmund Bauman dhe Anthony Giddens mund të më ndihmonin t’i gjeja një shpjegim teorik një dukurie të tillë, të cilën, pa pretenduar se po e definoj saktë, po e quaj këtu, për mungesë të një termi më të mirë, “rinjohje e së panjohurës së njohur”.

Ka kohë, pra, që më ndodh diçka që nuk më kishte ndodhur më parë, madje të cilën as që e kisha menduar si të mundur. Ndërsa eci në rrugët e Tiranës (kryesisht të lagjes ku banoj), ose rri mbrëmjeve me shokë (pothuajse në të njëjtën kafé, pranë njërës prej urave kryesore të Lanës, që është bërë habitati ynë social), ndodh që individë të ndryshëm, pothuajse të së njëjtës moshë si unë, ose dy-tre vjet më të rritur, me të cilët kurrë nuk më është dhënë rasti të njihem, më përshëndesin miqësisht dhe, po kështu, i përshëndes edhe unë. Shumë herë, madje, jam unë që i përshëndes i pari dhe ata më kthejnë po atë përshëndetje miqësore, ndonjëherë të shoqëruar me fjalët “Ç’kemi?”, ose “Si keni qenë?”.

Nuk bëhet fjalë për individë që i kam njohur ose i kam takuar, qoftë edhe rastësisht, në të kaluarën dhe të cilëve nuk u kujtoj dot emrin (ka edhe të tillë dhe me moshë këta shtohen). Fjalën e kam për individë të cilët, në vitet e rinisë së gjimnazit, ose më vonë, por gjithsesi para viteve 1990, i kisha fytyra të njohura. Por vetëm kaq. Me ta shkëmbeheshim rëndom rrugës, në Tiranën e Re, ku unë banoja aso kohe, shiheshim në plazhin e Durrësit, në kampin e rinisë ose në atë të studentëve, ndonjëherë në premierat e Teatrit Popullor, por më shpesh – dhe thuajse vazhdimisht – në xhiron e famshme të Bulevardit. Këtë të fundit, sidomos në vitet e gjimnazit, nuk e humbisnim thuajse asnjëherë.

Xhiroja e mbrëmjes ishte për ne, të rinjtë e asaj kohe, kuintesenca e asaj që mund të quhej pastime në kushtet e një shoqërie të mbyllur. Përgjatë xhiros mund të shihje tërë “qytetin”, ose tërë rininë e Tiranës së asaj kohe. Në xhiro kërkoje dhe gjeje këdo që dëshiroje të shihje ose të takoje, sidomos në kushtet kur fare pak njerëz kishin telefon në familje dhe kur interneti dhe celularët e sotëm as që mund të imagjinoheshin.

Individë të tillë, ashtu si unë dhe i gjithë brezi im, që u rritëm dhe u shkolluam në Tiranë, ishim pjesë e asaj vertigoje të përditshme në orët e muzgut, që si pikënisje, ose pikëmbrritje kishte Sahatin e Tiranës dhe Kryeministrinë, me zgjatimet e saj më tutje, në pjesën veriore të qytetit deri aty ku, në fund të viteve 1970, u ndërtua 15-katëshi (sot Tirana International Hotel), ndërsa në pjesën jugore, deri në sheshin para Universitetit.

Si rregull, në xhiro dilnim me shokë – dy, tre a më shumë – dhe ndërvepronim me njëri-tjetrin, ndërkohë që çdonjëri nga ne ishte sy e veshë në kërkim të dikujt tjetër. Në këtë mjedis social, shumë fytyra të panjohura bëheshin gradualisht të njohura – disa më shumë e më shpejt se të tjerat – për shkak të kontaktit shqisor thuajse të përditshëm me to. Qëllonte që pyesnim njëri-tjetrin se cili ishte ky apo ai person, ose cila ishte kjo apo ajo vajzë dhe, më së shumti, përgjigjja që merrnim ishte: “fytyrë e njohur, por nuk e di kush është”.

 

  1. Nostalgji apo një dukuri sociologjike?

Shumë nga këto “fytyra të njohura” të viteve 1970 janë ende në Tiranë, por tashmë si pjesë e një komuniteti njerëzor që nuk është më ai i pari. Tirana e viteve 1970 kishte rreth 150 mijë banorë, ose diçka më shumë se kaq; sot ky qytet ka një popullsi rreth 6 herë më të madhe. “Fytyrat e njohura” të 40 apo 30 viteve më parë, të cilat sot janë në të gjashtëdhjetat, janë shumë të rralla dhe vetëm rastësisht mund të shohësh ndonjë syresh në kryeqytet. E megjithatë, një pjesë e tyre, ata që nuk u larguan nga vendi pas vitit 1990, ose ata që, ashtu si autori i këtyre radhëve, pasi u larguan, janë kthyer, janë këtu, në Tiranë.

Ata janë sot po aq të panjohur për mua sa edhe 40 apo 30 vite më parë, por ka prej tyre që tashmë mund t’i quaj të panjohur “të njohur”, sepse me ta, thuajse instiktivisht, përshëndetemi, dhe ndoshta për të njëjtën arsye. Nëse kërkojmë ta shpjegojmë këtë arsye, e para gjë që na vjen ndër mend është nostalgjia për një kohë të shkuar (e cila bëhet përherë e më e largët), dhe për një komunitet njerëzor (Gemeinschaft), nëse përdor një koncept të njohur të sociologut gjerman Ferdinand Tönnies, që bëhet përherë e më i rrallë, ndërsa Tirana transformohet vazhdimisht dhe popullsia e saj, përveçse është shumëfishuar, është bërë e bëhet gjithnjë e më heterogjene.

Nostalgjia është një tipar i gjendjes sonë humane, por a mundet të shpjegohet dukuria në fjalë vetëm, ose thjesht me këtë sentiment njerëzor? A mundet që kësaj dukurie t’i gjendet një shpjegim sociologjik?

Banorët e Tiranës dhe ne, të rinjtë e viteve 1970, që u rritëm dhe u arsimuam në shkollat e saj, sot përbëjmë një përqindje fare të vogël të popullsisë së kryeqytetit, një komunitet që rrallohet dhe bëhet përherë e më pak i dukshëm në masën thuajse njëmilionëshe të njerëzve që zgjohen e ngrysen çdo ditë në Tiranën e sotme kozmopolitane. Zhvillimi urban i kryeqytetit dhe transformimi demografik i tij, që kanë ardhur kryesisht si rezultat i zhvillimit ekonomik dhe i mobilitetit të popullsisë së vendit jashtë çdo planifikimi e kontrolli dhe të çliruar nga restriksionet e dikurshme të partisë-shtet, kanë krijuar një komunitet njerëzor që dallon shumë nga komuniteti i banorëve të Tiranës disa dhjetëvjeçarë më parë. Ky komunitet është sot kulturalisht shumë heterogjen, jo thjesht për shkak të dialekteve të shumta të shqipes, që i janë shtuar të folurit të përditshëm që dëgjon kudo në Tiranë (në rrugë, në organizata dhe institucione publike e private) dhe në çdo mjedis tjetër, por edhe për shkak të kulturës e të mënyrave të ndryshme të jetesës, të “importuara” në kryeqytet nga të gjitha rajonet e vendit dhe pothuajse nga të gjitha nënkulturat e shoqërisë shqiptare. Komuniteti njerëzor që përbën popullsinë e sotme të Tiranës mund të quhej, po në gjuhën e Tönnies, Gesellschaft, pasi marrëdhëniet mes anëtarëve të këtij komuniteti dhe tiparet identitare të tyre kanë ndryshuar mjaft.

Pyes veten: Përse më përshëndesin e më flasin disa individë të panjohur, të cilët i kam “njohur” rreth katër dekada më parë dhe pse ndjej nevojë, për të mos thënë se edhe ndihem mirë, që një pjese të tyre u flas dhe i përshëndes edhe unë? Ç’na shtyn t’i japim të njohur njëri-tjetrit e të tregojmë respekt për njëri-tjetrin kur, njëlloj si atëherë, edhe sot, me ta nuk na lidh asgjë? Pse kjo nevojë për recognition, kur çdonjëri nga ne ka jetën e vet dhe shoqërinë e vet dhe Tjetri nuk është pjesë e rrethit tonë shoqëror?

 

  1. Dikotomia mes Nesh the Tjetrit

Modernizimi i shoqërisë dhe individualizmi, që është rrjedhojë e tij, krijojnë mundësi të shumta, edhe pse asimetrike, për mobilitet dhe zhvillim, si dhe mundësi gjithnjë e më të mëdha për krijimin e lidhjeve e të marrëdhënieve të reja shoqërore, të cilat Bryan Turner i quan marrëdhënie shoqërore të thjeshta, ose të kufizuara (thin social relationships), në të cilat bëjnë pjesë edhe marrëdhëniet mes individëve në komunitete të tilla që sot, në gjuhën e përditshme, i quajmë “komunitete online” (online communities), ose “rrjete sociale” (social networks). Moderniteti dhe individualizmi i zhbëjnë shumë nga lidhjet tona tradicionale, përfshirë dhe ato farefisnore, duke ndryshuar, në thelb, atë që Bourdieu e quante habitus, të kuptuar si mishërim fizik i kapitalit social e kulturor të gjithësecilit prej nesh, që përbëhet nga ato marrëdhënie, shprehi, zakone, aftësi dhe predispozicione që krijohen përmes eksperiencave tona jetësore individuale. Eksperienca të reja krijojnë një “habitus” të ri por, për shumë nga ne, i vjetri nuk zhbëhet tërësisht. Tek ai ne gjejmë ende elementë të identitetit tonë personal ose, përmes tij, kërkojmë dhe sigurohemi për atë që John Lock e quajne “vazhdimësi psikologjike”, (pra edhe shpirtërore) tonën.

Habitusi ynë ka të bëjë me kulturën dhe vetë kultura, siç thotë John Stuart Mill, në Autobiografinë e tij të famshme, ka të bëjë me jetën e ndjenjave (life of feelings), me eksperiencat e brendshme dhe me perceptimet subjektive, të cilat nuk kanë vend në botën utilitare të marrëdhënieve ekonomike. Të gjitha këto, në kushtet e modernitetit, ndryshojnë, duke krijuar, nëse përdor një shprehje të Giddens-it, një “luftë civile” mes kulturës dhe shoqërisë. Edhe pse moderniteti, sipas Giddens-it, duhet kuptuar në një nivel institucional, transformimet që mundësojnë dhe realizojnë institucionet moderne të shoqërisë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e individit, për shkak të fragmentarizimit të paevitueshëm të eksperiencave jetësore individuale. Për të parën herë, ndoshta, me modernitetin krijohet, ose del qartazi në pah problemi i identitetit personal të individit, të cilin Giddens ka meritën se e bëri fokusin e studimeve të tij mbi modernitetin. Giddens është shumë i rëndësishëm për të kuptuar thelbin e asaj që unë përpiqem të shpjegoj këtu, pasi ai, ndryshe nga klasikët e sociologjisë – Comte, Durkheim, Weber dhe Simmel – në disa prej veprave të tij, botuar në fillimin e viteve 1990, si The Consequences of Modernity (1990), Modernity and Self-Identity (1991) dhe The Transformation of Intimacy (1992), e shtriu investigimin e tij në territorin e analizave psikologjike, të braktisura prej kohësh nga sociologjia.

Transformimi demografik e kulturor i Tiranës, nga një qytet relativisht i vogël – në shtrirje dhe në popullsi – në një qytet të madh edhe për standardet europiane, është kryer në një kohë mjaft të shkurtër. Tirana është sot i treti ndër kryeqytetet e vendeve të Ballkanit perëndimor për nga popullsia, pas Beogradit dhe Zagrebit. Popullsia e saj është dy herë më e madhe sesa ajo e Shkupit dhe mbi tre herë më e madhe sesa ajo e Ljubljanës. Unë nuk di ndonjë rast tjetër në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore kur popullsia e një qyteti të jetë rritur gjashtë herë brenda një çerek shekulli. Kjo rritje demografike maramendëse ka pasur e do të ketë për një kohë të gjatë kostot e saj, që kanë të bëjnë jo vetëm me zhvillimin e qëndrueshëm urban të kryeqytetit tonë dhe me kushtet e jetesës së popullsisë që banon në të, por edhe me vetë atë çka Giddens e quan “siguri ontologjike” (ontological security) dhe që ka të bëjë me një farë ndjesie rregulli e vazhdimësie në eksperiencat individuale të njerëzve.

Edhe pse këtë argument të Giddens-it mund të mos e marrim prima facie, mendoj se në të mund të gjejmë një shpjegim deri diku racional të ndryshimeve që sjellin në ndërgjegjjen dhe në gjykimet praktike të individëve transformimet e shpejta demografike e shoqërore. Kjo, sidomos kur bëhet fjalë për një tranzicion shumë të shpejtë në kohë nga një shoqëri tradicionale, që kishte në qendër të vëmendjes së saj grupin (dhe identitetin kolektiv), në një shoqëri të hapur e masive, ku individi dhe identiteti personal të tij marrin një rëndësi të dorës së parë, dhe nga një komunitet relativisht i vogël e kulturalisht thuajse homogjen, në një komunitet shumë herë më të madh e tepër heterogjen.

E tillë është Tirana sot. Jeta e përditshme rutinore e banorëve të dikurshëm të saj është transformuar thuajse rrënjësisht nën presionin dhe ndikimin disintegrues të prurjeve të vrullshme të një popullsie që e tejkalon disa herë numrin e banorëve të kryeqytetit para viteve 1990. Kjo, në gjykimin tim, ka ndikuar negativisht në perceptimet e një pjese të madhe të popullsisë së kryeqytetit, që jetonte këtu para viteve 1990, pasi ka çrregulluar në shumë mënyra – dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër – atë që Jürgen Habermas e quan “botë jetësore” (Lebenswelt, ose lifeworld), me çka ai kupton, në mënyrë të përgjithshme, horizontin e ndërgjegjes shoqërore të individit, që përfshin si sferën publike, ashtu dhe sferën private në të cilat realizohen formimi i identitetit personal dhe veprimi komunikativ i individivit në shoqëri.

Giddens e sociologjizon këtë arsyetim filozofik të Habermas-it, duke argumentuar se ndryshime të tilla në shoqëri krijojnë, në mënyrë të pashmangshme, kaos në jetën e përditshme rutinore të individit dhe në atë që, deri dje, ishte një common sense për pjesën më të madhe të komunitetit. Në kushte të tilla, individi ekspozohet ndaj risqeve që kanë të bëjnë, veç të tjerash, edhe me pasigurinë në lidhje me vetë identitetin personal të tij, duke u ndjerë i tjetërsuar, i marxhinalizuar, apo i huaj në një mjedis, në të cilin më parë nuk ndihej i tillë. Giddens a quan këtë një “izolim ekzistencial” (existential isolation), që duhet kuptuar jo si një ndarje e individëve prej njëri-tjetrit, por si një ndarje nga “resurset morale të domosdoshme” dhe nga shumë prej eksperiencave subjektive, me të cilat individi është mësuar të ketë një “jetë dhe një ekzistencë të kënaqshme”.

 

  1. “Një vazhdimësi narrative” e së shkuarës

Këtu mendoj se ka vend të trajtojmë një tjetër koncept, i cili mund të shërbejë për të sqaruar sado pak çështjen që përpiqem të shtjelloj. Ky është koncepti sociologjik i të “huajit”, që Vince Marotta e quan “sociological stranger”. Koncepti mbi “të huajin” dhe rolin e tij nuk është i ri në sociologji. Atë e gjejmë së pari te Simmel-i dhe, më vonë, te Robert Park, si “njeri marxhinal” (marginal man). Ky koncept është i rëndësishëm për të kuptuar kushtet humane të ekzistencës sonë si individë dhe ndërveprimin kulturor në shoqëri, subjekte këto shumë të rëndsishme në sociologjinë e njohjes.

Debati që zhvillohet sot rreth konceptit simmelian “i huaj” (stranger) ka marrë dimensione për të cilat interesohen jo vetëm sociologjia, por edhe filozofia ekzistencialiste, psikanaliza, psikologjia dhe analizat spaciale, këto të fundit për shkak se ideja mbi “të huajin” lidhet jo vetëm me tiparet identitare të individit, por edhe me proceset hapësinore që kanë të bëjnë me proksimitetin dhe distancën mes aktorëve socialë. Me fjalë të tjera, dhe siç e kuptonin atë Simmel dhe Bauman, “e huaja” ekziston atje dhe atëherë kur ata individë njerëzore që janë fizikisht pranë njëri-tjetrit, janë kulturalisht larg njëri-tjetrit. Kjo duket se, në një masë të madhe, ka ndodhur edhe në kryeqytetin tonë me diversifikimin e madh të popullsisë së tij dhe me fragmentarizimin gjithnjë e më shumë të eksperiencave sociale të individëve të veçantë. Edhe pse koncepti “i huaj”, si një tip social, në këtë rast nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike ose racore të individit, ai mund të shërbejë për të shpjeguar, deri diku, raportet dhe ndërveprimin tonë si me njëri-tjetrin, ashtu dhe me të kaluarën tonë.

Banorët e rinj që i janë shtuar Tiranës në këto dy dekada e gjysmë, pavarësisht se nga kanë ardhur, kanë krijuar një realitet social fluid, duke prishur jo thjesht status quo-në e jetës urbane të kryeqytetit, por edhe raportet e mëparshme të banorëve të saj me qytetin dhe me botën e tyre jetësore. Në shumë prej lagjeve periferike të Tiranës kjo duket fare qartë, madje përbën një realitet krejt të ri. Por po kaq qartë ky realitet i ri duket edhe në lagjet qendrore të kryeqytetit, në ato që quhen pjesë e Tiranës së vjetër, ose në Tiranën e Re. Edhe këtu, diferencat brenda bashkësisë dhe largësia kulturore me të shkuarën bëhen gjithnjë e më të theksuara, çka krijon jo vetëm risi urbane e kulturore, por edhe ambivalencë e pasiguri. Në një rast tjetër kam shkruar se, kur në fillim të viteve 1990 kam parë shkollën time fillore, “10 Korriku”, në një lagje në qendër të Tiranës, tërësisht të rrënuar, pamja e atij shkatërrimi më krijoi ndjesinë sikur trupit tim i ishte shqyer një gjymtyrë, ndërsa kujtimet e mia të fëmijërisë ishin dhunuar në mënyrë brutale. (Përjetime të tilla, jam i sigurt, kanë njohur shumë prej nesh dhe jo vetëm në Tiranë).

Por ja që, ende shoh në Tiranë njerëz që kanë lindur e jetuar në këtë qytet, me të cilët diku jemi parë, 40 apo 30 vite më parë, dhe kujtesa për të cilët, kur ata dhe unë ishim të rinj, na i sjell fizikisht dhe emocionalisht pranë. Disave u flasim dhe na flasin, i përshëndesim dhe na përshëndesin, edhe pse këtë nuk e kemi bërë kurrë më parë, as unë as ata. E bëjmë sot. Pse?

Sado që u mundova të argumentoj, duke përdorur dijen sociologjike, nuk kam një përgjigje përfundimtare për këtë. Ndoshta, si qënie njerëzore, ne kemi nevojë të ruajmë një farë “vazhdimësie narrative” me të shkuarën tonë, siç do të thoshte Giddens-i. Ose, ndoshta, kjo ndodh pasi ne jemi gjithnjë në “një kërkim nostalgjik” për një riintegrim të vazhdueshëm në një totalitet shoqëror të ri. Charles Taylor ka të drejtë kur thotë se “për të kuptuar se cilët jemi, duhet të kuptojmë se cilët jemi bërë dhe se ku po shkojmë”. Giddens do të pajtohej me këtë argument, duke e quajtur atë një “projekt refleksiv” (reflexive project) të individit në shoqëri, që nuk është thjesht një “obsesion narcisist i egos” sonë, por ka të bëjë me të kuptuarit e asaj se çdo të thotë të jesh një “person”. Kjo bën kuptim të thuhet si për veten, ashtu dhe për Tjetrin, “të huajin”. Vetë koncepti që ne krijojmë për “personin” ndihmon aftësinë tonë për të kuptuar se cili bëhem “unë” dhe cilët bëhemi “ne” ose “ata” në kontekste të ndryshuara hapësinore e kulturore. Në këtë proces, duke iu larguar sa më shumë së shkuarës sonë, ne kemi nevojë të rikthehemi tek ajo, qoftë edhe si një gjendje e mendjes sonë.

 

  1. Jo vetëm unë

Duke i ndarë eksperiencat dhe arsyetimet e mia me disa shokë bashkëmoshatarë me mua, me kënaqësi vura re se një pjesë e tyre, gjithashtu, kanë provuar eksperienca të ngjashme, kanë pra edhe ata “të njohurit” e tyre të panjohur. Kjo më shtyn të mendoj se subjekti që zgjodha për këtë ese është vërtet me interes gnoseolgjik e sociologjik dhe meriton të studjohet. Duke u përpjekur t’i gjej një shpjegim sociologjik kësaj dukurie, unë nuk vij në përfundime kategorike. Përkundrazi, e lë të hapur mundësinë për të dyshuar në ato që them dhe, ipso facto, mundësinë për interpretime të reja, çka na jep lirinë për t’i shtyrë më tej arsyetimet tona në lidhje këtë dukuri. Ubi dubium ibi libertas (Ku ka dyshim, ka liri).

Share This Article
17 Comments
  • Ky me duket se eshte nga Fushebardha e Gjirokastres 2000 m mbi nivelin e detit po mesa duket qenka tirons i vjeter .Ne fakt xhaxhi Enver e mbushi Tironen me fshatare nga Gjirokastra,Tepelena,Skrapari te cilet ishin me shume se stranger per kohen po Partia qe i solli i sistemoi i beri dtejtore e shefa i beri analiste e sot keta na japin mend e kujdesen per Tiranen.Nje pyetje kisha per zoterine : Sa breza ka familja e tij ne Tirane dhe a quhet e socializuar ajo?

    • ke të drejtë beno!!
      po të mos kishin ardhur tërë këta katnar të jugut e të veriut tirona do të ishte lagje e bashkisë së linzës!!
      apo e kasharit,nuk e di se kush ka qënë më i populluar!?

    • O Beni!
      Me ke fol dhe per zemren time!
      Ky kalemxhi, me nostaligji per te shkuaren, do jete nga ata paraardhesi e te cileve na zune tokat e na moren Tironen, se i dha Partia Punes, shtepiat e tironsve, qe i internoi e i vrau e i pushkatoi tironsi e familjeve fisnike tironse dhe erdhen keta, qe bene shkolle e kujtojne se jane bere fisnike e te kultivuar…..
      Tiranen e bete parajse betoni dhe te gjitha ndertime e kohes se diktatures stonuan me Tiranen e kopshteve me lule dhe pasardhesit e ketyre malokve te jugut ku shtuan dhe ato te veriut pas 90….
      Tirana eshte nje sketerre per shendetin dhe nostalgjia per vitet e diktatures ka vec kush ishte mik i diktatoreve…
      Po per varferine e njerezve nuk shkrujta asnje fjale…Tamam i brymosuri i viteve 70..

      • Tirona eshte parajse betoni…
        kur lexoj shkrimin tënd më dukesh si një katnar i thekur ambientalist!!
        pastaj kur flet për “familjeve fisnike tironse”(fisnike nuk marr parasysh shpirtin e tironsve,por thjesht titullin që i jepej një kaste)atëherë do të thosha se fisnikë të tillë kanë qënë gjithë fashtrat e shqipërisë!!
        sa për beton e ndyrësira të tjera ke të drejtë,por për “fisnikëri” e përparim,ishin të ardhurit që e bënë tironën,TIRANË!!
        mos harro se pa ta,këta malokë a malsorë,këta fushorë të jugut e të veriut tirona kishte për të konkuruar me qafshtamën dhe kasharin!!vora kishte për të qënë kryeqëndra e rrethit të “tironës” së sotme!!
        këshu mër katnar që mendon se je më i mirë se të tjerët!!

  • Esse e shkruar me kulture; megjithate, mendoj se Prof. Tarifa vazhdon te lekundet brenda djepit te filozofeve te huaj qe nuk kane pasur mundesi te jetojne ne Tirane. Shpresojme te rritet dhe te behet filozof e sociolog shqiptar!

    • O Arber
      Kultur eshte te flasesh per Tironen e viteve 70, per ate xhiron ku sorollateshim si kali ne leme, ku dilnin per te mbytur monotonine e pashpirte!!!
      Kultur eshte mbi te gjitha te thuash te verteten pa u zbukurar me pendet e shkrimtare te huajve qe nuk e perjetuan te shkuaren tone dhe e verteta qe qe ne qeme te burgosurit e nje ideologjie famekeqe, qe pati emrin, marksiste – leniniste! E sa per nostalgjine, mos u kthefte me ajo kohe..

  • Shtese per Komentuesin Beni. Beni qenke fshatar Tirane. PSE të quaj fshatar Tirane. Sepse Tirana para vitit 1920 ka pasur 300 shtepi. Nga 10 vete çdo familje u bene tremij vete. Gjysma ishte me brekushe burrat e gjysma me çitjane. Tirana u be qytet pas vitit 1920. Sheshin skenderbej. Bulevardin. Universitetin. Ministrite. Hotel dajti I ndertoi Italia. Né vitet 20 pati dyndje nga dibra e kosova. E me radhe.

    • O Aleks,
      Nuk e njof fare Benin, po ty qe nuk te pelqejne veshja popullore tiranase e qe po na ben historine e kryeqytetin, na thuaj a nuk do ti kishte Tirana ato kopshte te bukura plot lule dhe sot e kesaj dite po te mos na kishin dynd nga gjithe malet e Shqiperise?!
      Tironsit nuk shkune me i zene tokat e te tjereve! Kjo eshte fakt!

      • Po keshtu eshte e verteta…
        Si ky Aleksi ka ne gjithe boten, mezi presin ta bejne dhe kryeqetetarin fshatar qe ta barazojne me veten…
        E manipulojne kohen dhe historine…
        Veshjet popullore tiranase, me ate copen e mermerit, qe sot nuk e prodhon dot asnje fabrike e qe atehere e benin ne vegje vajzat e urta Tiranes eshte nje raritet i vertete dhe ato brekushet ishin shajak, 100% lesh ore Aleksi qe, nuk vjen ere si copat e kostumeve moderne!!! Ishin veshjet bio100%….
        Finesa e atehershme e veshjes, te ke te kuptosh, qe nuk kane qene aq te pagdhendur, sa ky komenkuesi Aleks!

      • Bota e perparuar qe dhe ju e doni, eshte kthyer ne kozmopolite, ju akoma mbani gjalle ksenofobine. Po pse parisi, londra , Brukseli, Berlin apo gjithe Amerika qe ka popullsi heterogjen, duhet te flase keshtu? Po gjithe ata tiranas qe jetojne ne keto vende si ti quajme? Prandaj behuni me te moderuar ne mendim qe te keni veprimet me te civilizuara.

  • Shyqyr qe erdhi ne tiranen e pas luftes ai brez vertete fshataresh ng jugu, ish partizane qe stdjuan ne ish vendet e bllokut lindor. Se tiranesit vete me qeleshe zgjyra e citjanet e turkut.

    Gjysherit e stregjysherir e mi blene toka buke me florinj ne berat e lushnje se ne tirane sblemte mjeri toke ne ate kohe
    Ta falte zogu ate se skish vlere apomocalet e pyjet ne bregdet. Apo kur i kishte zonjat e afendikojve dasnore. Uuu si merrnin prona ata burrat e tyre
    Ct besh Enverit qe mesoi majmunet te shkonn ne plazh e u cuan e na i xune te gjitha me toka buke e bregdet

    • Ato morracaket qe shkuan e studiuan ne vendet e lindjes, nuk u kulturuar, ore Idiot, se pa mesuar te drejtat njerzore, behesh makine me program ideologjik, por jo i kultivuar….kete e tregoi si ra cdo gje qe ata ndertuan, sapo u hoq themeli i dhunes…ra e u thermua ne hic
      Ata u bene monstra, si “njeriu i ri socialist” pa baze morale e humanitare…

  • Fatos Tarifa paska pjerdhur nga trute. Kush eshte ai budalla qe e paguan per idiotesira te tilla, qe mund te quhen, sipas filozofit te famshen nga Uagadugu, kolombolo, masturbime te mendjes?

    • @alfrefi
      Me u cudit eshte me te vertete…Per cilen nostalgji, po na flet ky?!
      Po te kishin pase kaq nostalgji, pse lane e lene cdo dite kaq shqiptare kete Shqiperi e kthehen si ky kalemxhiu, kur gjejne nje vend me perrallis keto gjepura…

  • mire mer mire, po ai flet per Tironen e viteve 70 dhe ka vene nje fotografi te bere mbas 86. Shatrivanet u inaguruan ne 86…duket sa mire e njef Tironen.

    • Mjere Shqiperia, o Adrian
      per keto injorantet, qe e mbajne veten per historiane, psikologe e sociologe, te bejne te vjedhesh…
      Jane ata te pazotet, qe jane kthyer nga bota e emigration, te na mbushin faqet e gazetave…me idealizimin e budalles

  • Si ka thane Sinan Tafaj,doktorri i shkencave sociologjike ne furren e tabakeve,ku mblidheshin dr,pr,dulle Mushqeta,ass master xon Zyberi,bashk.vj.shk.Like Derhemi dhe inxh.demir Demneri:-,po pate shkolle shume,shko kno tet ate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *