Standarti i ri shoqëror i sheh idealistët si budallenj. Në rastin më të mirë si naivë. Ata që korruptohen, dhe janë shumë, tallen herë me të keq e herë me dashamirësi me ata që nuk duan të përlyhen. Dhe po flas për korrupsion të shpirtit, jo thjesht për videon me bllok shënimesh. Kalamajtë që pinë cigare përpiqen me çdo mënyrë t’ua mësojnë dhe shokëve të tyre që nuk e shkelin rregullin, thjesht se i bezdis prania e dikujt që është moralisht më superior (tek cigarja, të paktën), me të njëjtin entuziazëm 3 milionë të korruptuarit e këtij vendi përbuzin ata pak që nuk konformohen në korrupsion. Fytyra e tyre, fytyra e idealistëve, e atyre që besojnë tek një Shqipëri e mirë, janë fytyra qesharake e Pavarësisë.
Më praktikët e shohin se çfarë po ndodh. Nesër, kur pushteti të bëjë rotacionin e vet, gjithçka e bërë deri më sot do të konsiderohet si “janë bërë ca gabime”. Të tjerët që do vijnë, do vijnë për të bërë dhe ata “gabimet” e tyre. Pas rotacionit, dëshira për “vendetta” do bjerë, vjedhjet e abuzimet do të parashkruhen, ata që morën copat e xhamadanit do të vazhdojnë t’i gëzojnë. Pragmatistët dhe inteligjentët e parashohin që kështu do ndodhë. Në një spirale që nuk mbaron kurrë, për poshtë.
Entuziazmi patriotik me flamuj, me kombëtare e me xhamadanin vija-vija, është një shoë perfekt i asaj që jemi. Na pëlqen që të marrim një dozë të lehtë e të padëmshme dashurie për Shqipërinë në pub a club (rrallë janë të identifikueshme qartë se ç’ “zhanri” i përkasin) si puna e atyre që firmosin një peticion kundër dhunës në Internet, për të menduar se e bënë pjesën e tyre. Prandaj habiten kur i shohin që ngjiren në lokalet live. Ne nuk kemi asgjë për të gëzuar në këtë Pavarësi. Asgjë për të kënduar. Asgjë për të festuar. Ne, jemi ende në pikën 0.
Unë mendoj se ka vetëm një rrugë për të rifilluar nga zero. Nëse është e vërtetë ajo që thotë Konica që këtë vend e ndërtuan idealistët… unë nuk shoh rrugë tjetër përveç kësaj. Nuk mund të ketë asnjë rilindje nëse nuk ka brenda idealizëm të pastër (budalla e naiv, siç e konsiderojnë shumica). Kjo kohë ndoshta nuk ka ardhur akoma. Me sa shoh, askush nuk e konsideron idealizmin si armë për të bindur votuesit e për të ndërtuar pushtetin. Por, ky vend nuk mund të rilindë nëse nuk vendoset një frymë e re, e bazuar mbi idealizmin e sado pak vetëve, edhe përkundrejt një shumice të korruptuar. Shqipëria nuk bëhet me kompromise. Çdo justifikim është vetëm dredhë për të mos i shkuar deri në fund.
Do më pëlqente që sheshi i koncertit të Pavarësisë të mbetet bosh. Si vetë festa. Të mbesnin vetëm fytyrat e Pavarësisë mes 1000 deshëve të therur (4 desh mund të mjaftonin në atë Bulevard). Por, druaj se askush nuk do t’i rezistojë tundimit për të marrë një dozë xhamadani patriotik falas. Prandaj, mirupafshim në Shqipërinë e lirë, siç thotë një miku im aktor: “e lirë”, në kuptimin “cheap”.
Letër e nënshkruar: K.C. / DITA Online