Nisi të hënën samiti i G8-s në Lough Erne të Irlandës së Veriut. Presidenti amerikan mbajti një fjalim mbi paqen në Belfast dhe zhvilloi takime me liderët e BE-së dhe presidentin rus, Vladimir Putin. Marrëveshje për tregtinë e lirë SHBA-BE dhe SHBA-Rusi mbi sulmet kibernetike. Tema mbi luftën civile në Siri do të diskutohet në Gjenevë
Samiti i tetëshes më të fuqishme në botë, i përbërë nga SHBA-ja, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Japonia, Italia dhe Kanadaja, i programuar në Lough Erne, në Irlandën e Veriut, nisi dje me takimet bilaterale të presidentit amerikan me liderët e BE-së.
“Keni trashëguar paqen, ndonëse me vështirësi. Do të jeni një shembull për ata që kërkojnë paqen në atdheun e tyre. Shpresa është ngjitëse dhe nuk është vetëm në dorën e politikës, por i përket të gjithëve”, iu drejtua Obama 2000 studentëve në një vizitë paraprake në Belfast. I shoqëruar nga zonja e tij, ai kujtoi se termat e paqes mund të negociohen nga liderët politikë, por besimi në paqe ndodhet brenda secilit prej nesh. “Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë këdo që zgjedh paqen”, përfundoi fjalën e tij.
Zyrtarizohet marrëveshja për tregtinë e lirë BE-SHBA
Dje ishte një ditë e ngarkuar për shefin e Shtëpisë së Bardhë. Frytdhënës ishte takimi midis tij dhe kryeministrit britanik, David Cameron, presidentit të Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso dhe presidentit të Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, të mbledhur në Irlandën e Veriut.
U aprovua zyrtarisht marrëveshja për tregtinë e lirë midis SHBA-së dhe BE-së. Ajo u cilësua si “historike” dhe një mundësi e madhe për të konsoliduar rritjen ekonomike, si dhe për të testuar mundësinë e gjetjes së një ekuilibri të drejtë të rregullave dhe standardeve midis BE-së dhe SHBA-së.
“Do të hapen 30 milionë vende pune në të dyja anët e Atlantikut. Bisedimet për marrëveshjen do të fillojnë muajin e ardhshëm në Uashington dhe do të zgjatin të paktën dy vjet”, tha presidenti amerikan gjatë konferencës për shtyp.
Shtyhet çështja siriane
Takimi me presidentin rus Vladimir Putin ishte edhe më delikati. Çështja themelore mbi krizën siriane, mbi të cilën dy fuqitë botërore kanë qëndrime shumë të largëta, nuk u diskutua. Por u ra dakord që të zhvillohej konferenca e paqes në Gjenevë, ku palët e përfshira në konfliktin sirian do të ftohen të ulen në tavolinën e negoiciatave me shpresën e vendosjes së paqes afatgjatë.
Uashington deklaroi javën e kaluar se është i gatshëm të armatosë rebelët që luftojnë regjimin e Bashar al Asadit, aleatin numër një të Moskës në botën arabe. Një vendim që e çoi Rusinë t’i cilësonte si “jo bindëse” provat e pretenduara nga Uashingtoni, të cilat vërtetojnë se Damasku ka shkelur “vijën e kuqe” duke përdorur armë kimike mbi rebelët dhe popullsinë civile.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë një ndryshim të linjës së Putinit, i cili vështirë të pranojë edhe për faktin se së fundi ushtria e regjimit ka pasur një sërë fitoresh në përballjet me rebelët, falë ndihmës së Hezbollahut dhe Iranit. “Të vazhdojmë të diskutojmë me rusët për të gjetur një mënyrë që të vemë bashkë elementet e regjimit dhe të opozitës, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje politike. Megjithatë nuk kemi iluzone se kjo do të jetë një gjë e lehtë”, pranoi Ben Rohdes, zëvendëskëshilltar kombëtar për sigurinë në SHBA.
SHBA-Rusi, marrëveshje mbi sulmet kibernetike
Obama dhe Putin u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me presidentin e sapozgjedhur iranian, Hassan Rohani, mbi çështjen delikate bërthamore. Gjithashtu diskutuan mbi krijimin e një grupi pune të përbashkët, për të përballuar krimet kibernetike në rritje, duke propozuar masa konkrete për t’i kundërshtuar ato, si edhe me qëllim shmangjen e keqkuptimeve në rast incidentesh informatike. Task forca e ngritur nga SHBA-ja dhe Rusia do të nisë operimet brenda muajit korrik, shkruhej në komunikatën në përfundim të takimit Obama-Putin./ Dorina Gjuzi
