Samiti ndërkombëtar në Irlandën e Veriut u përmbyll dje me një deklaratë të përbashkët që nuk e ceku fatin e diktatorit Bashar al Asad. Moska ripërsëriti se ishte kundër armatimit të rebelëve, por ajo vetë do të vijojë të armatosë regjimin sirian. SHBA-Rusi, marrëveshje mbi sulmet kibernetike dhe luftimin e evazionit fiskal
Udhëheqësit e 8 vendeve më të fuqishme ranë dakord që t’i jepet fund shpërblimeve për terroristët, por nuk arritën dot një konsensus lidhur me mënyrën e trajtimit të konflitit në Siri. SHBA-ja dhe Rusia vendosën që të zhvillohej konferenca e paqes në Gjenevë (me shumë mundësi në muajin gusht), ku palët e përfshira në konflikt do të ftohen të ulen në tavolinën e negoiciatave me shpresën e vendosjes së paqes afatgjatë.
Megjithatë mbeten shumë të largëta qëndrimet e Moskës dhe Uashingtonit mbi krizën siriane. Moska rishfaqi kundërshtimet mbi zgjidhjen e saj e ofruar nga fuqitë perëndimore. Presidenti rus ishte po aq i prerë në kundërshtimin e qendrimit të Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Francës se kryengritësit sirianë duhet të armatosen.“Dua t’ju tërheq vemendjen për faktin se Rusia furnizon me armë qeverinë e ligjshme të Sirisë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ne nuk po shkelim asnjë ligj, më lejoni ta theksoj, ne nuk po shkelim asnjë ligj. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të tjerë të veprojnë në të njejtën mënyrë”, u shpreh Putin.
Kryeministri britanik, David Cameron, u përpoq të minimizonte deklaratat. “Nuk është një sekret që pati mospërputhje, por të gjithë e duam fundin e konfliktit. Duhet të zhvillohet një hetim i OKB-së mbi armët kimike në Siri dhe këtë e kemi nënshkruar të gjithë, përfshirë këtu edhe Putini dhe për këtë nuk u pagua asnjë çmim. Përkundrazi ka një deklaratë të fortë mbi Sirinë. E rëndësishme është t’u dërgojmë një sinjal të qartë sirianëve”, u shpreh Cameron.
Kështu rezultati i takimeve dyditore midis tyre ishte një dokument i përbashkët, por edhe disi i paqartë. “Në komunikatën finale nuk do të ketë asnjë referim për fatin e Bashar al Asadit, për shkak të qëndrimit të Rusisë”, kishte paralajmëruar ministri i Jashtëm rus, Serghei Ryabkov dhe kështu ndodhi. Gjithashtu ai ripërsëriti se furnizimi me armë i regjimit të Damaskut do të vijojë derisa është fjala për të respektuar “kontratat ligjore”.
Drejtuesit e G8-ës ranë dakord të luftojnë evazionin fiskal, për t’u siguruar që kompanitë shumëkombëshe të mos fshehin dot fitimet e tyre nëpër banka në vende të tjera.
Nga ana tjetër, Obama dhe Putin u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me presidentin e sapozgjedhur iranian, Hassan Rohani, mbi çështjen delikate bërthamore. Gjithashtu diskutuan mbi krijimin e një grupi pune të përbashkët, për të përballuar krimet kibernetike në rritje, duke propozuar masa konkrete për t’i kundërshtuar ato, si edhe me qëllim shmangjen e keqkuptimeve në rast incidentesh informatike. Task forca e ngritur nga SHBA-ja dhe Rusia do të nisë operimet brenda muajit korrik, shkruhej në komunikatën në përfundim të takimit Obama-Putin./Dorina Gjuzi
