Presidenti i Interit është shfaqur tepër nervoz për shkak të gabimeve në ndeshjen me Kaljarin
Ka qenë një fundjavë e hidhur ajo që ka jetuar Interi në ndeshjen kundër Kaljarit. Zikaltërit nuk kanë arritur të përfitojnë nga barazimi brenda në shtëpi i Juventusit duke barazuar vetëm në fund në San Siro kundër skuadrës nga Sardenja. Barazim me polemika. Stramacioni dhe lojtarët e tij në fund të ndeshjes janë nervozuar shumë për një penallti që nuk i është dhënë Andrea Ranokias, episod që ka sjellë edhe një heshtje për shtyp nga klubi që është prishur vetëm nga presidenti zikaltër Masimo Morati. Numri një i klubit, që ka qenë shumë i nervozuar për gjithçka ka ndodhur, është shfryrë në mikrofonat e medias së pranishme pranë zyrës së tij të hënën në mesditë: “Nga ana jonë, të gjithë, dhe nga ana ime në vecanti duke parë që jam unë ai që flas ekziston një ndjenjë zhgënjimi duke parë faktin që kjo është ndeshja e tretë radhazi që gjendemi përballë gabimeve të rënda arbitrale gjithmonë kundër nesh dhe një sjellje që gjithsesi edhe gjatë ndeshjes është sigurisht jo në favor të shoqërisë dhe skuadrës.
Them të shoqërisë sepse ka jetuar tashmë edhe më parë situata të tilla dhe nuk do doja të rigjendeshim përsëri pas shumë vitesh në të njëjtën situatë ku jemi gjendur më parë”. Një deklaratë shumë e fortë nga ana e presidentit të Interit. “Siç po filloj të paralajmëroj, kjo është ndeshja e tretë. Me Juventusin kemi fituar falë zotit, por jo sigurisht nga arbitri. Me Atalantën goli përcaktues ka ardhur nga një penallti që nuk ishte dhe dyshimi qëndron i madh për t’i dhënë kënaqësi klasës arbitrale dhe të dielën ka ndodhur një situatë me të vërtetë absurde. Mund të kemi komentatorët televizivë që zbaviten, pas eksperiencës së tyre të madhe juventine, duke bërë finte sikur nuk është penallti, por nëse nuk është kjo penallti, mund të thonë çfarë të duan dhe nuk më intereson më t’i ndjek, as mua dhe as asnjë internisti tjetër. Kjo sigurisht vjen pasi jam lodhur, sepse pas tre ndeshjes është shumë, dhe dua ta them hapur”.
Masimo Morati ka zbuluar një prapaskenë në lidhje me sjelljen e arbitrit Xhakomeli: “Në fushën e lojës, e vetmja gjë që thoshin ishte: “ju të Interit qëndroni në heshtje”. Dua të kuptoj se çfarë dëshiron të thotë me “ju të Interit”. Dua të më shpjegojnë kush jemi ne kur thonë “ju të Interit”. Klasifikimi bëhet nga ndeshjet e fituara, të barazuara dhe të humbura. Nëse duam të gjejmë alibi nuk na shërben, por është matematika që del në skenë pas këtyre gabimeve. Dua të flas për gabimet, që janë të vazhdueshme, që janë konstantë, duhet një kujdes më i madh. Unë nuk them më shumë, por më shumë kujdes nga ana e arbitrave duhet të ekzistojë. Dhe të atyre që drejtojnë. Falje nuk ka, pikërisht këtu është një tjetër problem”. Asnjë keqardhje për mosngritjen e zërit pas ndeshjes me Atalantën: “Ka qenë një zgjedhje e qartë për të mos shkaktuar zhurmë, është një besim normal që jepet ndaj atyre që duhet ta kenë këtë besim. Duhet të them ndërkohë se nëse nga këto ngritje zëri lind një situatë për të cilën me vazhdimësi nuk veprohet, atëherë mendoj se në ndeshje vendimtare duhet të bëhet më shumë presion.
Por sigurisht, nuk mund të them që gjithçka është mirë, gjithçka është e qetë, që janë të zotë të gjithë. Nuk janë të zotë, nuk janë absolutisht të zotë në punën e tyre”, ka përfunduar analizën e tij të ashpër presidenti zikaltër Masimo Morati, që ka rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes atë që ka ndodhur vite më parë me Calciopolin në futbollin italian.