ISKSH: Pacientët fitojnë gjyqet, ndërsa spitalet rrudhin fondet për t’i dëmshpërblyer. Propozohet hartimi i ligjit për sigurimin e profesionit të mjekut
TIRANË – Fondet e akorduara për spitalet nuk janë asnjëherë të mjaftueshme për të siguruar shërbime cilësore për pacientët. Mungesë kjo që bëhet edhe më e rëndë kur vjen fjala tek barnat, sigurimi i të cilave për vite me radhë është përfshirë në krizë. Një tjetër fenomen që po ndikon në pakësimin e fondeve të spitaleve janë edhe gabimet mjekësore të bëra nga mjekët gjatë trajtimit të pacientëve. Janë të shumta rastet e fitimit të gjyqit nga pacientët, dëmshpërblimi i të cilëve është bërë me fondet e buxhetit të spitaleve. Para këto të cilat duhej të përdoreshin për blerjen e barnave, aparaturave apo dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve që duhet të marrin pacientët.
Duke marrë shkas nga rastet e fundit, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka kërkuar ndërhyrje në legjislacionin përkatës që kjo situatë të ndreqet në një tjetër formë duke mos prekur paratë e spitaleve. Në aktivitetin e zhvilluar për cilësinë dhe akreditimin e institucioneve mjekësore, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e vuri theksin te fenomeni me të cilin po përballen aktualisht institucionet shëndetësore, ai i çështjeve gjyqësore për gabimet mjekësore.
Sipas Hanës, gabimet mjekësore, të cilat botërisht prekin të gjitha llojet e shërbimeve shëndetësore, janë ankimuar vazhdimisht edhe në Shqipëri, por së fundmi, fenomeni i çështjeve gjyqësore me efekte financiare për institucionet shëndetësore u shfaq dy vite më parë. Arsyet e hapjes së proceseve gjyqësore ndaj institucioneve ofruese për gabimet mjekësore janë kryesisht mjekim i gabuar dhe dëmtim i shëndetit, për të cilat kemi 3 procese gjyqësore të fituara nga pacientë për mjekim të gabuar (2 në Vlorë dhe 1 në Lushnjë, me një vlerë totale mbi 30 milion lekë dëmshpërblim). Ndërkohë efektet financiare të gabimeve mjekësore rëndojnë buxhetin e spitaleve pasi nuk ka një fond special ose zë të veçantë në buxhet dhe në këtë mënyrë, vështirësohen spitalet në ofrimin e shërbimeve të planifikuara.
Ndaj, për të shmangur këtë problematikë, duhet të ndërhyhet në ndryshimin e ligjit, ku edhe profesioni i mjekut të përfshihet në skemën e sigurimeve, çka do të thotë se ata do t’i shlyejnë vetë gabimet e bëra gjatë ushtrimit të profesionit duke mos prekur paratë e akorduara për barna apo shërbime të tjera. Një ligj i tillë, sipas drejtoreshës së ISKSH-së, është i nevojshëm pasi efektet financiare të gabimeve mjekësore rëndojnë buxhetin e spitaleve.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur pacientët kanë fituar disa gjyqe dhe institucionet janë detyruar të dëmshpërblejnë qytetarët me shuma të mëdha. “Eksperiencat ndërkombëtare kanë ofruar zgjidhje të ndryshme që fillojnë nga sigurimi i stafit mjekësor nga institucioni shëndetësor përkatës, tek sigurimi individual i mjekut për gabimet mjekësore apo krijimi i fondit të sigurimit të pacientit sikurse ndodh në vendet skandinave, apo zgjidhja e çështjeve jashtë gjykate, sikurse ndodh në sistemin gjerman, ku janë ngritur komitetet këshilluese që shqyrtojnë dhe në 90 për qind të rasteve u japin zgjidhje këtyre ankimimeve.
Propozimet për ndërhyrjet në ligj
Duke marrë parasysh efektet negative që ky fenomen mund të shkaktojë në një të ardhme të afërt, propozohet që ndërhyrjet të zhvillohen në dy drejtime.
Së pari, në mënyrën e menaxhimit të institucioneve ofruese, veçanërisht të spitaleve duke siguruar një përmirësim të autonomisë dhe menaxhimit spitalor, duke ngritur funksionimin e komisionit mjekësor (Drejtori mjekësore e spitalit). Ndërhyrja duhet bërë edhe në standardizimin e dokumentimit dhe raportimit të incidenteve dhe gabimeve mjekësore, dokumentim më të saktë dhe të argumentuar të gjitha procedurave mjekësore të kryera, implementimin e udhëzuesve dhe protokolleve mjekësore, si dhe hartimin e implementimin e detyrueshëm të manualeve në lidhje me “Sigurinë e pacientit dhe menaxhimin e riskut klinik”.
Së dyti, ndërhyrja këshillohet në drejtim të bazës ligjore për të cilën propozohet krijimi i ligjit për sigurimin e profesionit të mjekëve.
Elvana Hana
“Kemi pasur gabime mjekësore të shoqëruara me dëme financiare ku vlera monetare ka qenë 30 milionë lekë. Prandaj i duhet paraprirë këtij risku, duke vënë piketat në një ligj për sigurimin e profesionit. Profesione të veçanta të sigurohen ekstra apo qoftë dhe vetë institucionet shëndetësore të sigurojnë stafin e tyre nga gabimet mjekësore në mënyrë që të përgjigjen para pacientit për dëmet që shkaktojnë”
Akreditimi i detyrueshëm i spitaleve, nga janari i 2013-s
Strukturat shëndetësore qofshin këto publike apo private nga janari i 2013-s detyrimisht do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit (vlerësimit të cilësisë), sipas standardeve që plotësojnë. Ndonëse ishte parashikuar që ky vlerësim të bëhej gjatë këtij viti, spitalet apo klinikat e ndryshme, kryesisht ato publike, kanë refuzuar t’i nënshtrohen vlerësimit të cilësisë.
Spitalet apo qendrat mjekësore që do të manifestojnë probleme në plotësimin e standardeve të caktuara të cilësisë nuk do të lejohen të ushtrojnë më tej aktivitetin. “Ky proces u zbatua gjatë këtij viti me sukses në 4 qendra pilot dhe nga janari i ardhshëm pritet të praktikohet në shkallë të gjerë në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit”, deklaroi kreu i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, në aktivitetin e zhvilluar mbi cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve që spitalet ofrojnë në vendin tonë për pacientët.
Certifikata e akreditimit, e vendosur në murin e qendrave shëndetësore, sipas tij, do t’u konfirmojë qytetarëve dhe pacientëve se kujdesi në to ofrohet në përputhje të plotë me standardet e cilësisë dhe sigurisë. Kjo certifikatë do të mundësojë dhe ndihmojë Institutin e Sigurimeve Shëndetësore (veçanërisht pas fillimit të zbatimit të Ligjit të Ri të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, në mars të viti të ardhshëm), në blerjet dhe kontratat e shërbimeve përzgjedhëse, blerje, shpërblimi dhe stimulimi të qendrave me cilësi më të lartë, të akredituara me sukses.
“Nga ana tjetër, matja e standardeve të cilësisë do të nxjerrë të zbuluara qendrat apo praktikat me cilësi dhe siguri të pakonfirmuar, duke mundësuar kështu dhe një treg konkurrues e të sigurtë shërbimesh shëndetësore jo vetëm të shitshme, por dhe të sigurta për qytetarët”, u shpreh Tavo.
Ndërsa drejtori i Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore, Isuf Kalo, kërkon nga Ministria e Shëndetësisë të forcojë kriteret në lidhje me licencimin e institucioneve shëndetësore, të cilat do të sjellin rezultate me të mira në akreditim.
“Ideja jonë është që ndoshta sistemi i licencimit duhet të jetë shumë rigoroz për sistemin alternativ në mënyrë që ato të përmbushin disa standarde”, u shpreh Kalo.
Konferencë Shkencore për dhunën ndaj fëmijëve në Shqipëri
Fëmijët shqiptarë përballë dhunës fizike e psikologjike
Strukturat vendore dhe qendrore duhet të jenë më të kujdesshme në ofrimin e ndihmës për të parandaluar shtimin e dhunës në radhët e fëmijëve. Me këtë thirrje është çelur dje konferenca shkencore për ndalimin e dhunës tek fëmijët, organizuar nga Unicef , Komisioni Evropian dhe dikasteret qeveritare.
Duke u ndalur tek situata reale, pjesëmarrësit theksuan se Shqipëria është një vend ku fenomeni i dhunës kundër fëmijës është i përhapur gjerësisht. Megjithëse situata e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, falë miratimit dhe zbatimit të ligjeve dhe politikave të reja mbrojtëse dhe promovuese, ende shumë fëmijë dhe të rinj në të gjithë vendin përballen me probleme të dhunës psikologjike dhe fizike në familje, shkolla dhe kudo.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryeministri Berisha, ku vuri në dukje se duhet të bëhet gjithçka për të promovuar në mbarë shoqërinë shqiptare një qëndrim më të qytetëruar dhe më njerëzor ndaj fëmijëve. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të qartësojmë prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre më të rritur se trysnitë e pamerituara ndaj fëmijës i dhunojnë atij shtyllat më kryesore të personalitetit, ndikojnë në suksesin dhe në jetën e tij”, u shpreh Berisha.
Në këtë aktivitet ambasadori i Delegacionit Evropian në Shqipëri, Etore Sekui, prezantoi nismën më të re të Komisionit Evropian e UNICEF-it, titulluar ”Mbrojtja e Fëmijëve nga Dhuna në Rajonin e Evropës Juglindore”, që po zbatohet në katër vende, përfshi Shqipërinë.
“Kjo nismë synon të forcojë kapacitet e shoqërisë civile në monitorimin e pavarur në lidhje me dhunimin e të drejtave të fëmijëve e, në veçanti, të dhunës fizike të ushtruar ndaj tyre”, deklaroi ambasadori Sekui. Sipas tij, të drejtat e fëmijëve kanë një rëndësi të veçantë për BE-në, e cila e ka kriter të fortë politik mbrojtjen e tyre, duke e vendosur edhe si një nga 12 prioritetet për statusin kandidat të Shqipërisë.
Ndërsa ministri i Punës, Spiro Ksera, theksoi se dhuna ndaj fëmijëve është forma më e keqe dhe e patolerueshme e dhunës ndaj një qenieje humane dhe ky fenomen prek të gjitha shoqëritë, sistemet dhe vendet, qofshin ato të varfra, në zhvillim apo të zhvilluara, dhe është e shtrirë në familje, shkollë, rrugë e shoqëri.