Shumë prej nesh i kanë vënë re gabimet drejtshkrimore në tabelat që emërtojnë rrugët apo institucione të rëndësishme në kryeqytet. Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj thotë se gabime të tilla nuk duhen bërë as nga fëmijët e klasës së parë fillore. Shkurtaj thotë se para se të shtypen në tabela emërtime të tilla, është i domosdoshëm konsultimi me një specialist të gjuhës. “Kujdesi për drejtshkrimin është i pamjaftueshëm. Kjo jo vetëm në shkrimet e thjeshta, por edhe në raste të tilla që janë shumë me vlerë, siç janë emërtesat e rrugëve, vendeve publike apo institucioneve”, thotë Shkurtaj.
Ai thotë se përveç mungesës shkronjës ë në emërtimet rrugore, gabime të tjera janë ato të përdorimit të shkronjës së madhe apo shkurtesave.
“QSU nuk ka nevojë për pika. Mund të thuhet se në çdo tekst apo libër të drejtshkrimit, sot shkurtesat dhe shkurtimet janë dy koncepte të ndryshme. Shkurtesat për shembull janë QSU, OKB, OSBE, SMT etj. Pra ato ku shkurtohen dhe shqiptohen si të ishin emra të veçantë. Ndërsa shkurtimet janë fjalë që shkruhen me pikë. Për shembull, fjala “domethënë” shkruhet d.m.th., pra me pika sepse do të lexohet si shkurtim. Gjithashtu, shkurtesa përdoret shpesh dhe lexohet ashtu siç është fjala. Për shembull, Organizata e Kombeve të Bashkuara lexohet si OKB dhe nuk ka nevojë për pika ndarëse mes shkronjave. “bashkia Tiranë”, duhet të jetë “Bashkia e Tiranës”, ndërsa b-ja duhet me shkronjë të madhe sepse është në fillim të fjalisë. Në këtë rast, ose do të shkruhet me shkronja kapitale e gjitha, ose duhet patjetër me shkronjë të madhe”, thotë ai.
Shkurtaj kujton se vite më parë, punonjës të bashkisë interesoheshin fillimisht tek gjuhëtarët për shkrimin e emërtimeve. “Dikur nga bashkia vinin dhe pyesnin. Mbaj mend se një punonjës i bashkisë vinte me një varg fjalësh dhe pyeste “si duhen shkruar këto fjalë?” E përsëris, po u bë investimi, është shumë e vështirë për t’u ndryshuar. Më e shumta që mund të bëjmë tani është t’i kritikojmë. Duhet medoemos që, para se të shpenzohen paratë nga bashkitë apo çdo lloj institucioni tjetër për t’i realizuar në mermer apo tabela, në radhë të parë duhet të jenë shkruar mirë. Domethënë të mos kenë gabime”, thotë Shkurtaj për GSH.
E ke mire, o prof, por kujt i thua, atyre qe e kane mbaruar fakultetin pa mbaruar shkollen e mesme. Shiko te lutem shkresat e administrates dhe do te iki mendja e kokes.
I madhi Jovan Bregu thoshte : “Mire ja tha,po kujt ja tha pa”
Keshtu dhe kjo pune i nderuar profesor.
Megjithate kurre nuk duhet rreshtur se “luftuari” sidomos nga figura te ndritura qe keta lloj politikanesh i kane lene qellimisht ( them une ) ne harrese.
Pershendetje.