Mungesa e mjekëve specialistë urologë në shërbimin parësor, si dhe kufizimet në skemën e rimbursimit bëjnë që sëmundja e kancerit të prostatës tek shumë pacientë të mos zbulohet në kohën e duhur. Në një intervistë për “Dita”, urologu Prof. Kim M. Drasa tregon gabimet që bëhen më së shumti në diagnostikimin e kësaj sëmundjeje, kohën kur duhet të nisin kontrollet, si dhe teknikat e duhura të
zbulimit të hershëm, kur edhe trajtimet mund të jenë më të efektshme.
Doktori tregon se kjo problematikë është paraqitur edhe në strukturat ndërkombëtare të shëndetit. Sipas tij, në Bruksel ka një qendër për studimet parlamentare ndërkombëtare (Internacional Center for Parliamentari Studies-ICPS) që është nën drejtimin e ish ministrit anglez të Shëndetësisë John Boëis. Kjo qendër organizon dy takime në vit, ku normalisht thirren rreth 45 personalitete të mjekësisë evropiane në fushën onkologjike për kancerin e prostatës dhe kancerin vezikës urinare. Pjesë e këtyre takimeve është edhe doktor Kimi. Në këto dy takime vendoset se si mund të zbulohen sa më herët këto dy sëmundje, dhe sa fonde do i kërkohen Parlamentit Evropian për të arritur këto zbulime që në fazat fillestare.
Doktor çfarë u tha për kancerin e prostatës në këto takime të zhvilluara në Bruksel?
Kanceri i prostatës është një kancer shumë i përhapur dhe me prevalencë në rritje. U diskutuan këto probleme madhore: Së pari a njihet në popull nga mjeku i familjes rëndësia e testimit të PSA , dhe së dyti mosha që duhet të fillojë check-up për përcaktimin e PSA dhe çështja e tretë është PSA e lartë-biopsia negative, dhe se çfarë duhet të bëhet në këtë rast.
Po i marr me radhë këto pika. PSA është bërë analizë pothuaj e njohur nga e gjithë popullsia dhe nga mjekët e familjes, por vazhdon akoma të nënvlerësohet. Nga një vëzhgim që kam kryer që në vitin 2008, ku kam bërë një studim, doli që vetëm 7 për qind kishin njohuri të plotë për gjithçka rreth analizës së PSA. U vendos që testimi i PSA të fillojë në moshën 50 vjeçare për të gjithë burrat dhe në rastet kur në familje ka një person që është diagnostikuar me kancer prostate (babai, vëllai, xhaxhai, daja, gjyshërit) atëherë niveli i PSA duhet të fillojë të matet që në moshën 45 vjeçare.
A mund të thoni diçka më tepër për PSA?
PSA është analiza e parë që është zbuluar për të përcaktuar se pacienti ka, ose nuk ka kancer. Por, këtu duhet të sqarojmë se Prostatik Specifik Antigen (PSA), i cili që nga emri shkencor që ka, del se është specifik vetëm për prostatë, pra që prodhohet vetëm në prostatë dhe në asnjë organ tjetër të trupit, si dhe faktin që PSA nuk është specifik për kancerin e prostatës. Çka do të thotë se pacienti po ka PSA të lartë, s’ka patjetër kancer prostate.
Për më tepër ka edhe raste në të cilat pacienti ka PSA të ulur, brenda normës, por kjo nuk do të thotë se pacienti nuk ka kancer prostate. Rreth 30 për qind e pacientëve të diagnostikuar me kancer prostate, kanë qenë me PSA brenda normës (Norma 0-4 ng/ml). Ky përcaktim si normal i PSA-së, ka ndryshuar tani madje është ulur deri 0-2.5 ng/ml.
Konkretisht si duhet të bëhen kontrollet për kancerin e prostatës?
Sikundër e shpjegova, testimi i PSA duhet të bëhet si check-up për të gjithë meshkujt. Këtu dua të shpjegoj më qartë nocionin e shpejtësisë së rritjes së PSA, i cili është një tregues i rëndësishëm që nuk duhet neglizhuar kurrsesi. Konkretisht po e shpjegoj me një shembull: Pacienti ka bërë PSA para një viti dhe i ka dale 1ng/ml (brenda normës). Tani bën përsëri testin e PSA, i cili del 2, apo më keq kur i del 3 ose 4ng/ml. Pra në të tre rastet del brenda normës. Por për mua si profesionist nuk është normale kjo rritje kaq e shpejtë e PSA brenda një kohe kaq të shkurtër. Mund të them me 90 për qind pacienti ka kancer prostate. Kjo shpjegohet se PSA nuk mund të rritet asnjëherë 1ng/ml, në vit dhe aq më keq akoma, kur rritja është 2-3ng/ml.
Vetëm nga mungesa e njohurisë së këtij termi (PSA Velocity), janë marrë më qafë gjithë ato pacientë, të cilët vijojnë të mendojnë se rezultatet e PSA janë brenda normës, edhe pse kanë vënë re rritje të shpejtë të saj. Është shumë e rëndësishme që ky koncept të kuptohet drejt.
A ofrohet ndihma e duhur në shërbimin ambulator për pacientët dhe cilat janë problemet që hasen me kontrollet që kryhen pranë poliklinikave?
Bëre shumë mirë që bëre këtë pyetje, pasi situata për mendimin tim është shumë e rëndë. Kjo pasi në shumicën e rasteve mungojnë urologët e mirëfilltë në këto shërbime dhe kontrollet kryhen pranë kirurgut të lagjes. Që në nëntor të 2014-s, në seancën e ICPS (Bruksel), ku u ftova për herë të parë, paraqita një raport për këtë problem alarmant dhe të pranishmit u skandalizuan nga ky handikap.
Si ishte raporti i plotë që paraqitet në atë séancë, në Bruksel?
Numri i pacientëve të diagnostikuar me kancer prostate në faza të avancuara deri me metastaza kockore dhe organeve të brendshme është tre-fishuar (Tirana me 1milionë banorë). Kjo ka ndodhur që prej qershorit të 2010-s.
Kjo pasi pacientët me probleme urologjike konsultohen nga kirurget e lagjeve, të cilët janë të specializuar vetëm për plagë, djegie, infeksione lëkure, pra nuk janë as kirurgë të mirëfilltë, e aq me keq se nuk janë kurrë urologë. Pacientët kanë protestuar në terren, media, parlament, pranë dikasterit të Shëndetësisë, por ende nuk i është dhënë zgjidhja e duhur këtij problemi. Në emër të pacientëve dhe në emër të shoqatës se urologëve kërkoj që të ndërhyhet nga Ministria e shëndetësisë që ky urdhër të anulohet, dhe në shërbimet e parësorit të vendosen mjekë të specializuar për shërbimin e urologjisë. Vetëm në këtë formë kanceri i prostatës, si dhe shumë sëmundje të tjera nuk do të mbeten të keqdiagnostikuara, duke vënë në rrezik shëndetin e pacientëve.
Po në lidhje me rastet kur PSA del e lartë, por biopsia është negative, çfarë mund të na thoni?
Në raportin që paraqita në Bruksel, e vura në dukje si problematikë. Fatkeqësisht në vendin tonë, shumë pacientë e kanë të kufizuar mundësinë për të bërë biopsinë në spitalet publike për mungese të infrastrukturës. Kjo ndodhe se Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor ka nxjerrë një rregullore sipas të cilës, po nuk u bë biopsia pacientit nuk i jepen medikamentet me rimbursim, për të trajtuar kancerin e prostatës. Në këto kushte, pacientët tanë i drejtojnë tek spitalet private, ku kushtojnë 200-300 euro, të cilat pjesa dërrmuese e tyre nuk kanë mundësi që t’i përballojnë.
Kam pasur raste që kam menduar se pacienti ka kancer prostate dhe nuk ia dhanë mjekimin, të cilin ia dhashë, pa bërë biopsinë, por pacienti si shumica e tyre, nuk kishte mundësi ekonomike për të bërë biopsi prostate tek privati, dhe kështu ka mbetur për gati 6 vite pa mjekim. Pas 6 viteve, i bënë biopsinë në spitalin publik (QSUT) dhe doli me kancer prostate dhe i dhanë mjekimin me rimbursim. Por, sikur ky pacient mos të kishte filluar mjekimin që i dhashë, ai pas këtyre 6 viteve do kishte pasur pasoja fatale për jetën. Konkretisht, pacientit i del biopsia negative (normale), ai nuk ka mundësi ekonomike ta përsërisë biopsinë siç rekomandohet në vendet e Evropës.
Trajtimi i një pacienti me PSA të lartë, por me biopsi negative të prostatës është një ngërç, një dilemë shumë e madhe klinike. PSA e lartë është një shkak që duhet të përfshihemi për ta zgjidhur, por pyetja është se si duhet të përfshihemi? Pra për ta përcaktuar qartësisht se pacienti është ose jo me kancer prostate.
Një biopsi negative a është tregues që pacienti nuk është me kancer prostate?
Jo në të gjitha rastet. Një biopsi negative nuk do të thotë se pacienti nuk ka kancer prostate, sepse një në katër pacient, me biopsi negative të prostatës, janë aktualisht me kancer prostate. Normalisht bëhen 12 shpime në prostatë, nga 4 shpime gjilpëre-biopsie në 3 drejtime. Ka pacientë, te cilët kanë 2 ose 3 biopsi negative të prostatës edhe kur kanë PSA të lartë.
Konkretisht një pacient mund të ketë PSA të lartë deri në 10ng/ml, si dhe prostatën e madhe, deri 110 gram. Pra ky rast tregon që PSA është e lartë vetëm nga zmadhimi beninj i prostatës dhe qartësisht nuk ka kancer prostate. Një PSA e lartë me biopsi negative të prostatës është një ndodhi e zakonshme sepse në 12 shpimet e bëra gjatë biopsisë, ju mungon sinjifikatisht, klinikisht diagnoza për kancer prostate. Të dhënat e fundit, sugjerojnë se teknika standarde e bërjes se biopsisë, mund të gabojë deri në 50 për qind të rasteve të diagnostikuara me kancer prostate (Kanceri>7 m/m).
Çfarë duhet të bëhet në këto raste?
Një përgjigje në këtë rast është se duhet të bëhen testime të mëtejshme, por çfarë testi duhet? Ka testime gjenetike, testi PCA3, Testi Phi, Testi MDx Health, të cilat mund të sigurojnë informacione shtesë, më të kualifikuara, por edhe nëse këto rezultate sugjerojnë prezencën e kancerit të prostatës,duhen testime të tjera, të cilat mund t’i tregojnë urologëve se ku duhet të përqendrohen, për të gjetur saktësisht, tumorin potencial. Pra këtu lind pyetja se çfarë imazhi duhet të përdorim si një hap ndërmjetës përpara bërjes së Biopsisë?, tek ata pacientë, të cilët mendohet se mund të kenë kancer prostate.
Ky imazh duhet t’i bëjë realisht të mundur, ekipit të specializuar për të vlerësuar deri në 100 për qind se pacienti-ka apo nuk ka kancer të prostatës. Njëra nga këto metoda me precesion të lartë për mendimin tim është “Magnetic Resonance Ultrasound” (MR-US Fusion Guide Biopsy). Pra qartësisht, gjilpëra e biopsisë, e cila futet në prostatë, nga anusi, për të marrë pjesë nga prostata, e cila më pas do të shihet në mikroskop, duhet të bëhet jo si po bëhet rëndom por të bëhet nën drejtimin e rezonancës magnetike, në të njëjtën kohë. Për me tepër, pasi të fiksohet vendi ku mendohet se është kanceri, në atë drejtim duhet të futet gjilpëra e biopsisë. Mendova të paraqes këtë variant si më të qartë duke kujtuar taktiken që kam përdorur kur isha për specializim për kirurgji (1977-1980), ku në rastet kur na vinin pacientë që ju kishte hyrë në këmbe, ndonjë trup i huaj (copë qelqi, gozhde, gjilpëre, ashkel, etj).
Këto trupa të huaj kur hiqen menjëherë është shume kollaj, por kur qëndrojnë për kohë të gjatë në trupin tonë, ato rrethohen me inde, të cilat fortësohen dhe këto nuk mund t’i hiqnim direkt, por vetëm në radiologji, ku trupin e huaj e identifikonim vetëm me ro-scopi dhe i hiqnim, nen drejtimin e ro-scopi. Pra konkretisht kështu ndodh edhe kur futet gjilpëra e biopsisë, nën kontrollin e fusionit të rezonancës magnetike.
Si duhet të përdoret imazheria në diagnostikimin e duhur të kësaj sëmundjeje?
Imazherinë e përdorim si qellim për të seleksionuar më mirë pacientët për të bërë biopsinë e prostatës dhe kjo teknikë ka bërë që në USA janë zbuluar që 60-70 për qind këtyre pacienteve kishin kancer prostate. Shkalla e përcaktimit të kancerit prostatës me tekniken e zakonshme, me 12 –shpime në biopsi është afërsisht 22% për qind, krahasuar me shifrën deri 64 për qind të zbulimit të kancerit të prostatës, në rastet kur biopsia bëhet nën drejtimin e MRI me Ultrasound.
Pra del qartë superioriteti kur biopsia bëhet me këtë mënyrë sepse nga një aritmetike e thjeshte del që me biopsinë e zakonshme del që 42 për qind e pacientëve merren në qafë se ata kanë kancer prostate, por ju del se “nuk kanë kancer prostate” MRI-US fusion është kufiri i fundi tepër të përcaktuar imazhin para-biopsisë së prostatës. Por kjo ka një kusht se: Jo çdo urolog ka akses për të bërë këtë lloj biopsie, pa pasur një ekip të specializuar, në shkallë të lartë për të arritur në përcaktimin e sigurt që: Pacienti ka ose nuk ka kancer prostate. Të rejat e fundit për këtë teknologji të këtij klasi të Ultrasoundi (EKO) është “HistoScanning Prostate”.
Kjo teknikë përdor analizën kompjuterike të përcaktimin e çrregullimeve të indeve të shkaktuara nga procesi malinj, për të përcaktuar se deri ku është përhapur tumori. Kjo ka superioritet se është një qëllim me ndihmë të plotë se na përcakton tamam zonën se ku duhet të futim gjilpërën e biopsisë për të marre indet për analizë histologjike. Gjithashtu, mund të ruhet trajektorja e imazhit të biopsisë për konfirmim dhe korrigjim të mëtejshëm të skemës së biopsisë negative.
Këshillat që nuk duhen neglizhuar!
- Burrat duhet patjetër një herë në vit të bëjnë check-up e PSA.
- Burrat të cilëve ju del PSA mbi normë, duhet që check-up tjetër ta bëjnë sërish pas tre muajve.
- PSA mund të jetë e lartë në këto raste: kondicionet beninje të prostatës (Zmadhimi beninj i prostatës dhe Infeksioni prostatës-Prostatitis), pas futjes së kateterit në vezikën urinare, aq më keq kur e ka kateterin, pas bërjes së Cystoskopis, si dhe pas bërjes së biopsisë, ose edhe pas vizitës me gisht të prostatës (DRE).
- PSA rritet edhe nga: Faktori gjenetik, Obeziteti, Medikamentet (disa lloje).
- Gjithashtu duhet të dimë që PSA mund të dalë në vlera të larta edhe nga përdorimi i biçikletës, konsumi i tepërt i alkoolit, kafesë, erëzave. Në këto raste nuk bëhet biopsia e prostatës menjëherë, por duhet të përsëritet pas tetë javësh.
- Burrat mos të rrinë të qetë kur PSA e kanë në normë edhe nëse kanë ndonjë shenjë tjetër si për shembull dhimbje beli, këllqeve në qetësi, Spermë me ngjyrë të errët ose me gjak, etj.
- Burrat me dyshimin e parë që kanë duhet të paraqiten tek urologu në QSUT dhe jo tek të lagjes të cilët nuk janë të specializuar për të ofruar kujdesin e duhur.
- Urologët duhet të fillojnë të specializohen për të kryer biopsinë e Prostatës me metodën MRI-US (siç e shpjegova me sipër).
- Pacientët me kancer prostate dhe kanceri është vetëm brenda prostatës, pa u përhapur jashtë saj, as në sistemin limfatik, të bacinit atëherë duhet të hiqet e gjithë prostata, me të gjitha anekset e saj pra të operohet me tekniken: “Prostatectomia radikale”.
- Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve shëndetësore ta anulojnë sa më parë urdhrin që është dhënë që në Qershor 2010, ku cakton kirurget e lagjeve të vizitojnë pacientët e Tiranës.
- Urdhri i Mjekut, të bëjë detyrën shkencërisht e mos të lejojë me kirurgët e lagjeve të “sillen” si gjoja urologë se ata janë pa licencën përkatëse.

Nuk eshte hera e pare qe DR.Kim Derasa shkruan per kete problem,pasi eshte doctor me shume experience dhe studime ne kete fushe.Kam lexuar disa artikuj te tij,te cilat jane kembana alarmi qe bie ne vesh te shurdhet.Eshte e tmershme te medosh qe shume vete ca nga mosnjohja dhe ca nga niveli I ulet I mjekeve ku ata shkojne per konsulte arrijne deri ne fazen e pamundur te sherimit te tyre.Por edhe po te shkosh tek specialist te njohur ,ata perseri nuk te ndihmojne dot sepse teknikat e analizave jane ende larg asaj te deshiruares,sic thekson Dr,Derasa
Une kam patur fatin te konsultohem me kete mjek te devotshem,gjithnje afer pacientit me keshillat e tij…por edhe Ai nuk te ndihmon dot sa duhet sepse sistemi shendetsor per kete lloj semundje eshte aq I dobet sa zere se nuk ekziston.thirjet e vazhdueshme te Dr.Drases per kete problem,jo vetem qe duhet te meren seriozisht,por te krijohen protokollet e duhura per vizitat e njerzeve.E di qe komentet tona ,nuk I lexon njeri…por te pakten te degjohet zeri I Dr.Drasa,pasi eshte nje nga te paktet specialist dhe studiues qe kemi.Urime Portalit qe ngre keto problem.
Pershendetje Prof. Kimi! E lexova materialin tuaj studimor mjaft intresant. Është një kontribut i paçmuar shkencor plot pasion e përkushtim i juaji, ne dobi te shkences tone mjekesore, e ne veçanti dhe të asaj boterore ne pergjithesi. Zoti Ju Bekoftë per gjithçka keni bere ne kete jete ne dobi te Njeriut, të Jetes. Bekime!
Z. Derrasa si doktorr me eksperience te gjate ne kete fushe na dha nje shkrim brilant qe na kujton te madhin dr. Maksut derrasa ndersa I biri shkon me tej duke na kujtuar se pervec mjekimit na duhet edhe rruga ligjore per ta arritur kete lloj mjekimi. Per mjeke te tille vizjonare atdhetare ka nevoje shqiperija dhe jo per injorante qe vegjetojne brenda mjekevet brilante qe ka shoqerija jone suksese doktorr kimi . Edmond Vrapi Historian autor I historise enciklopedike te lindjes se rreligjionevet
Prof. Kim Drasa, personalitet me fame boterore, i biri i te madhit Maksud Drasa.
Prof Kim, mjek human, dhe me nje kontribut te shquar ne mjekesine Shqiptare dhe ne Urologji dhe Seksologji
Respekte !!!
Pershendetje! Profesori eshte nje profesionist i nderuar dhe shume i azhornuar me te gjitha teknikat dhe medikamentet e reja per mjekimin e te semureve me probleme urologjike dhe seksologjike.
Jam konsultuar me Prof Kim Drasa prane Klinikes Vital per here te fundit, dhe permiresimi ishte i dukshem!!!! Sinqerisht ua rekomandoj.