Deputeti demokrat, Enkelejda Alibeaj doli në një konferencë për shtyp, për të treguar një dokument, që sipas tij tregon se Orest Sota ka penguar drejtësinë.
Alibeaj tha se kompanisë Kurum nuk i lejohej që të bënte transaksione pasi është në procedura falimentimi.
“Partia Demokratike disponon fakte të reja, që provojnë se Orest Sota ka penguar drejtësinë, duke mos thënë të vërtetën për pronësinë e 863 mijë eurove, të kapura në makinën e përdorur prej tij bashkë me patentat e Saimir Tahirit.
Versioni i tij, se me 863 mijë euro do të blinte hekur tek Kurum është një mashtrim për të mos treguar, se paratë ashtu si patentat, i përkasin Saimir Tahirit.
Partia Demokratike disponon dokumentat e gjykatës të qershorit 2017 se administratori i Kurum-it, Jusuf Kurum, e kishte të ndaluar çdo transaksion cash apo nëpërmjet bankës për shkak të proçedurave të falimentit të kompanisë.
Sipas dokumentit të depozituar më 3 Gusht 2017 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, çdo transaksion mbi 20 milionë lekë i administratorit Jusuf Kurum do të ishte i pavlefshëm. Kjo do të thotë se Orest Sota e kishte të pamundur të bënte biznes me Kurum, me shifrën e 863 mijë eurove, pak më shumë se 1 milionë dollarë.
Partia Demokratike nuk ka patur dyshim, që prej fillimit, se paratë i përkasin Saimir Tahirit, i cili po vazhdon përpjekjet për të fshehur provat që e akuzojnë për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Ne dyshojmë se këtë qëllim ka patur edhe udhëtimi i tij i mistershëm në Gjermani. Faktet e publikuara në media, provojnë se versioni i hedhur prej Tahirit, se po i qëndronte afër të atit për arsye shëndetësore, nuk qëndron. Babai i Saimir Tahirit, ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria, përpara largimit të Saimir Tahirit në Gjermani.
Partia Demokratike është e bindur se edhe nisja e hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pasurinë e shoferit të Saimir Tahirit do të zbulojë fshehjen e pasurisë së ministrit të Edi Ramës të vënë nga trafiku nderkombetar i drogës.
Por Partia Demokratike vëren me shqetësim se kryeministri Edi Rama po bën gjithçka për të mbrojtur ushtarët e tij, të lidhur me krimin dhe drogën.
Publikimi në media i pohimit të Ramës, para deputetëve socialistë, se gjetja e patentave në makinën e Sotës nuk është një fakt për të cilin Saimir Tahiri duhet të shqetësohet, është mesazh për pengimin e drejtësisë,” tha Alibeaj.
Ndoshta nuk e kupton, por Alibeaj në fakt, ka vërtetuar versionin e Sotës, që 863 mijë eurot po ia çonte në dorë kompanisë Kurum, duke qenë se kjo e fundit tashmë nuk përdor bankat për transaksione, sepse është në proces falimentimi.
Përveçse vërtetohet versioni i Sotës, gjë që është zbardhur edhe nga mesazhet e tij dhe të atit me përfaqësuesit e Kurum, deklarata e Alibeaj mund të shërbente që PD të kërkonte hetimin edhe të Kurum, që bën biznes në të zezë, por jo të thotë se kjo gjë vërteton se ato para janë të Tahirit.
