Kur ka mbetur edhe më pak se një javë nga nisja zyrtare e konkurimit për studimet e larta në universitetet publike dhe ato private të vendit, autoritetet e arsimit kanë ritheksuar procedurat që duhet të ndjekin maturantët dhe kandidatët e tjerë për të mos mbetur jashtë garës për aplikimet e raundit të parë.
E ndërsa përzgjedhja e degëve me të cilat do të konkurohet për universitetin nis në datën 29 korrik, maturantët duhet që më parë të shkarkojnë faturën e aplikimit nga portali “U-Albania”, si dhe të bëjnë pagesën përkatëse pranë bankave të nivelit të dytë, apo zyrave të Postës brenda afatit të përcaktuar.
Data 28 korrik është edhe afati i fundit që maturantët kanë në dispozicion për të shlyer tarifën e aplikimit prej 2 mijë lekësh, teksa duhet të bëjnë edhe konfirmimin e saj pranë shkollës së mesme që kandë ndjekur. Vetëm pasi të kenë kryer këtë hap, do të mund të nisin me përzgjedhjen e 10 preferencave gjatë plotësimit të Formularit A2, me të cilat do të konkurojnë për universitetin.
Shkarkimi i faturës së aplikimit
Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, aplikimi edhe për konkurimet e raundit të parë të 2021 do kryhet nga portali “U-Albania”, duke aksesuar në adresën: ëëë.ualbania.al. Pasi të hapet faqja përkatëse, duhet të klikoni mbi butonin që shkruan “Aplikimi A2/A3” dhe në faqen pasardhëse ju shfaqet hapësira “maturant”. Ju duhet të klikoni tek butoni “maturant” për të vijuar me tej me aplikimin tuaj.
Në faqen që ju hapet në vijim duhet të plotësoni ID-në tuaj të maturës dhe numrin personal të Letërnjoftimit (ai që fillon dhe mbaron me shkronjë), për të kryer identifikimin. Faqja që hapet në vijim përmban 3 seksione që janë: seksioni i informacioneve personale, ai i faturës dhe seksioni i aplikimit. Në seksionin e informacioneve personale, do të hidhni dhe të shikoni të dhënat tuaja personale.
Ndërsa së seksionin e faturës, do mund të shkarkoni faturën për arkëtim, me të cilën do kryeni pagesën në bankë brenda datës 28 korrik. Në këtë rast duhet të bëni shumë kujdes pasi fatura përmban një kod 6-shifror unik (kodi i aplikimit), i cili gjenerohet për çdo faturë. Ky kod do ju duhet për të konfirmuar pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, dhe për të përfunduar më tej plotësimin e preferencave. Çdo herë që klikoni butonin “Printo një kopje të faturës”, do gjenerohet një kod i ri 6-shifror. Në këtë formë duhet të jeni të kujdesshëm me kodin që do të përdorni për identifikimin tuaj në vijimin e procedurave të mëtejshme të konkurrimit.
Më tej duhet të klikoni mbi butonin “Printo” një kopje të Faturës. Pasi të keni kryer pagesën, paraqituni pjesën e poshtme të faturës dhe me mandatin e pagesës tek mbikëqyrësi i shkollës suaj, për të konfirmuar pagesën në sistem. Kujdes pasi, mund të konfirmoni pagesën vetëm me kodin e faturës me të cilën e keni kryer pagesën në bankë! Pasi pagesa juaj të jetë konfirmuar, statusi juaj do ndryshojë në aktiv, dhe do ju shfaqet mesazhi “Pagesa e konfirmuar” në seksionin e faturës. Klikoni mbi butonin e “Statusit” për të plotësuar preferencat dhe do ju shfaqet faqja si vijon. Lexoni me vëmendje kushtet e mesatares përpara se të vijoni me përzgjedhjet.
Në seksionin e aplikimit mund të shikoni statusin e aplikimit tuaj. Statusi i aplikimit mund të jetë në 3 gjendje, jo aktiv, aktiv, si dhe përfundimtar. Statusi “jo aktiv” tregon që ju nuk keni konfirmuar ende pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, e për pasojë nuk mund të vijoni me procedurat e mëtejshme. Statusi aktiv tregon që ju mund të plotësoni preferencat tuaja, pasi është konfirmuar pagesa e aplikimit në sistem. Ju do ju jepet mundësia të plotësoni preferencat në datat e përcaktuara! Ndërsa statusi përfundimtar, tregon se ju keni përfunduar me sukses plotësimin e preferencave.
Aplikimi për zgjedhjen e prefrencave do të mund të kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti (sipas procedurave të përshkruara në udhëzuesin teknik, të publikuar në faqen zyrtare të portalit U-Albania). Kandidatët zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit, që ofrohen nga IAL-të publike/jopublike, për vitin akademik përkatës.
Të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesmë të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer”.
Maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.
Aplikimi kryhet nga maturantët dhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- Janë pajisur me dokumentacionin ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm të lartë.
- Plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga IAL-të për programet e studimit për të cilat aplikojnë.
- Nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, me përjashtim të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer.
Mesatarja që duhet për të konkuruar për studimet e larta!
- Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, mund të konkurojnë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5.
- Në degët e gjuhëve të huaja do të mund të konkurojnë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që disponojnë një mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 7.
- Po ashtu, edhe për degët e mësuesisë në garë mund të përfshihen të gjithë maturantët që kanë mesatare të gjimnazit jo më të ulët se sa nota 7.5.
- Edhe Universiteti i Mjekësisë ka vendosur kriterin e mesatares që duhet për të konkuruar në degët e këtij profili. Për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet notë mbi 7.5, për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8, si dhe për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia në garë mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 dhe më lart.
- Mesatarja nuk është kusht aplikimi për kandidatët që do të garojnë për degët universitare me karakter profesional.
