Gara me Metën, Rrokaj: Fitues do nxjerrim LSI

Elton Tafaruci

Kandidati për kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim,  Shezai Rrokaj, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e LRI-së.

Në  bashkëbisedimi ishte edhe nënkryetari i LSI-së, Endrit Braimllari, Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi etj.

Shezai Rrokaj në fjalën e tij tha se “Kryetari i partisë, Ilir Meta, është projektues, nuk e ka marrë si trofe nga të tjerët LSI-në. Është një vlerë e jashtëzakonshme. LSI është pasuri kombëtare dhe është pasuri e të gjithë neve. Dhe në këtë kuptim, të gjithë duhet të shtojmë nga pak për ta bërë këtë projekt, këtë parti, një forcë të madhe. Kështu që unë nuk jam në garë me Ilir Metën, jam në garë me mendimet dhe me alternativat që do të shpalos dhe në fund të ditës do ta nxjerrin fituese LSI-në”.

Rrokaj iu përgjigj edhe interesimit të të rinjve të LRI-së lidhur me programin që ai ka në këtë garë. “Për LSI-në hapja ndaj shoqërisë civile, botës akademike, për të rritur cilësinë e përfaqësimit politik në parti, përfaqësimin në ekzekutiv dhe në legjislativ, do të ishte hapja më e madhe. Një parti që harron dëgjesën me qytetarët, ajo shkëput lidhjet me interesat e tyre. Dhe në qoftë se shkëput lidhjet me interesat e tyre, ajo pastaj nuk është më parti e interesave të qytetarëve”.

“Ne e kemi vendosur konceptin e dëgjesës si një institucion në Këshillin Bashkiak. Ne konsultohemi për të gjitha reformat, për të gjitha mbledhjet, për të gjitha problemet që lidhen drejtëpërsëdrejti me qytetarët. Dëgjesën jo vetëm me qytetarët, por me grupet e interesit. Aty ku vërtet del mendimi i kualifikuar”, tha Rrokaj.

Një nga pyetjet që iu bë kandidatit për kryetar të LSI-së ishte edhe për çështjen e arsimit të lartë. Rrokaj  u shpreh se “Ne duhet të kërkojmë një arsim që i qartëson rinisë rregullat e lojës qysh në fillim dhe jo si udhëzimet që erdhën për pranimet në universitet. Ne duhet t’i kthejmë rinisë shpresën. Ne nuk kemi të drejtë t’ia vrasim rinisë shpresën. Dhe shpresa asaj i kthehet kur arsimohet më mirë, kur i sigurohet jeta më mirë, kur punësohet më mirë, kur ndërtojmë një shtet të sipërmarrjes, kur e drejta nuk blihet me para ose me pushtet. Pra, rinisë duhet t’i jepet ajo që i takon. Por, në demokraci asnjëherë gjërat nuk jepen. Në demokraci e drejta fitohet”.

Share This Article
1 Comment
  • LIS-Levizja Integrim Skrapar del fituese po qe se pas 25 vjetesh LIKJA shkon ne QELI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *