Konkurrimet për pranimet e reja në ciklin e dytë “Master shkencor” në të gjitha fakultetet që janë pjesë e Universitetit të Tiranës, përgjatë vitit të ri akademik do të zhvillohen në 68 programe të ndryshme studimi. Sipas vendimit të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, lidhur me kuotat e reja të pranimeve në këtë cikël, bëhet e ditur se në të gjitha këto programe do të mund të vijojnë studimet e larta rreth 4040 kandidatë, të cilët do të shpallen si fitues nga procesi i konkurrimeve që do të zhvillohen gjatë muajve shtator-tetor.
Pranimet për të gjitha kategoritë e studentëve
Autoritetet drejtuese të këtij institucioni të arsimit të lartë sqarojnë se nga 4040 kuotat e miratuara në total për të gjitha kategoritë e studentëve, 3022 do të jenë për kandidatët studentë brenda vendit, 343 kuota do të jenë për kandidatët studentë nga trojet shqiptare, 83 kuota do të jenë për kandidatët në radhët e shtetasve të huaj, 215 kuota janë pranimet e reja të përcaktuara për studentët nga kategoritë e veçanta, siç janë: personat me aftësi të kufizuara, ata me statusin e jetimit, si dhe kandidatët romë, ballkanë dhe egjiptianë, 106 kuota janë për kandidatët që do të aplikojnë për transferimin e studimeve në këtë universitet, si dhe 271 kuota të miratuara për kandidatët që do pranohen për të ndjekur një program të dytë studimi. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë ndarjen e 3022 kuotave të reja të pranimit që do të realizohen për kandidatët brenda vendit. Senati Akademik ka miratuar gjithashtu edhe hapjen e studimeve të ciklit Master Ekzekutiv në “Kriminologji”, degë në të cilën do pranohen për të vijuar studimet 25 kandidatë.
Kriteret
Në programet e ciklit të dytë kanë të drejtë që të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, si dhe ata që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara.
Për secilin fakultetet janë përcaktuar edhe kriteret mbi të cilat do të bëhet përzgjedhja e fituesve të rinj. Sipas vendimeve të marra për të aplikuar në programet e cilit të dytë “Master i shkencave” për vitin akademik 2022-2023 kriter pranimi është edhe kushti që aplikuesit duhet të kenë dhënë një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B1, sipas testeve ndërkombëtare të njohura. Për këto programe përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas disa prioriteteve të vendosura nga fakultetet. Të parët që kanë prioritet janë studentët të cilët kanë përfunduar studimet “Bachelor” në degët e ngjashme me atë ku konkurrojnë për të vijuar ciklin e dytë të studimeve. Më tej pranimi do të vijojë me studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta të universiteteve të tjera publike, dhe nëse do të ketë sërish kuota të lira, përzgjedhja do të vijojë me studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të përafërta të Universitetit të Tiranës. Një tjetër kategori që kanë përparësi janë edhe studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universitete me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta, dhe në fund do t’u jepet mundësia e pranimit në varësi të kuotave edhe studentëve që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta apo të përafërta të universiteteve private të akredituara. Mesatarja do të jetë kriter seleksionimi.
Konkurrimi me dosje
Për të qenë pjesë e garës, kandidati duhet të paraqitet në sekretarinë mësimore të fakultetit në të cilin do të ndjekë këtë cikël studimesh, personalisht, ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe të dorëzojë dokumentacionin ku të përfshijë: Fotokopje të diplomës, si dhe listës së notave të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës. Gjithashtu duhet të dorëzoni edhe Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuara me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe formulari i aplikimit sipas formatit të përcaktuar, fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë), dy fotografi personale.
Dokumentacioni shtesë vetëm për shtetasit e huaj duhet të përfshijë: Dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël/program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri. Shtetasit e huaj që aplikojnë, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe, përjashtohen nga tarifat e shkollimit në përputhje me marrëveshjet përkatëse. Kjo kategori duhet të paraqesë edhe një CV, si dhe deklaratën sipas formatit të përcaktuar. Ndërsa për kandidatët e kategorive të veçanta, kërkohet edhe statusi i personit me aftësi të kufizuara që duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror, si dhe kandidati nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdelarimin.
Kreditet për programet “Master shkencor”
Në ligjin e arsimit të lartë përcaktohet se programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Këto programe studimi mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Programi i studimit të nivelit shkencor mund të realizohen edhe si programe të integruara të studimit të ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej pesë vitesh akademike, të cilat ofrohen kryesisht në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore në zbatim të ligjit të arsimit të lartë. Studimet në këto programe përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.