Gara në PD pas ikjes së Bashës, emrat që pretendojnë postin e kryetarit

J L

Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, nga kreu i PD është hapur rruga për kandidaturat e reja që do hyjnë në garë për zëvendësuesin e kryedemokratit.

Partia Demokratike ka hapur tashmë garën për kryetar të saj dhe janë shumë emra që kanë dëshirë të kandidojnë për të zënë postin e kreut të PD. Megjithëse nga demokratët dhe njerëzit e afërt të Lulzim Bashës është kërkuar gjetja e një kohezioni për të bashkuar PD, duket qartë se përfaqësuesit e foltores janë shumë refraktarë dhe nuk pranojnë kushte të këtij niveli.

Për këtë grupim i vetmi njeri që duhet të marrë fronin në krye të PD është Sali Berisha. Ndërkohë që  një nga kandidatët për kreun e PD, Fatbardh Kadilli nuk beson në largimin e Bashës dhe e konsideron si një largim taktik të tij.

Kadilli thotë se Basha do të krijojë “Foltoret” e tij njësoj si Berisha për t’u rikthyer sërish në drejtimin e partisë.

“Çdo dorëheqje  është një akt për t’u përshëndetur, por a është dorëheqje e vërtetë? Unë e shoh si një tërheqje taktike. I ndodhur në një pozicion ku as shërbëtori i tij më i afërt nuk gjendet dot më një kauzë për ta nxjerrë nga situata”, thotë Kadilli.

Ndërkohë që në kampin e PD zyrtare kanë filluar të dalin në pah emrat e kandidaturave për të zënë postin e Lulzim Bashës. Një prej tyre është edhe Grida Duma, e cila ka qenë kontestatorja më e egër e tij dhe një nga personat që i vunë ultimatum për dorëheqje. Duma mesa duket ka qenë në armiqësi të dukshme me grupin e afërt të Lulzim Bashës dhe fushata e Durrësit nxori në pah divergjencat e saj me stafin dhe deputetët afër këtij të fundit.

Më pak i besueshëm është edhe Ervin Salianji, i cili është mprehur për të luftuar, por lidhja fisnore me Ilir Metën, do ta vërë në reshtin e njerëzve të Sali Berishës dhe mesa duket ka luajtur rolin e desantit të foltores, ku përcillte informacionet e asaj që ndodhte në selinë e Bashës. Fatbardh Kadilli është një tjetër kandidaturë që ka qenë historikisht i baraslarguar nga Berisha dhe Basha dhe kërkon një kandidim, ku këta të mospërfshihen në garën e ardhshme.

Jorida Tabaku dhe Rudina Hajdari

Rudina Hajdari ka filluar të aktivizohet dhe pritet të vijë si linjë amerikane, por që është personazh pa rrënjë në formacionin e PD zyrtare. Një kandidaturë e fortë është Jorida Tabaku e cila ka qenë personazhi i vetëm që patin një ngritje imazhi me komisionin e Inceneratorëve. Prej kohësh kjo e fundit është parë si një kandidaturë potente për kreun e PD, e cila mund të ketë dhe mbështetjen e Lulzim Bashës. Ndërsa në krahun e PD janë të fotografuar pretendentët, në grupin e foltores duket sikur pretendenti i vetëm Sali Berisha, por në fakt edhe aty ka kandidatura të ndryshme, të cilët janë joshur nga ky i fundit për të qenë në role kyçe pse jo dhe në postin e kryetarit. Berisha i ka joshur këta të fundit, duke i deklaruar se nuk ka qëllim të qëndrojë në krye të PD, pasi këtë po e bën vetëm për të tërhequr militantët që kanë humbur besimin.

Në lojë edhe Këlliçi dhe Alizoti

Në këtë strukturë politike një nga emrat më të përgatitur shpirtërisht është Belind Këlliçi, i cili pretendon të zërë këtë vend dhe pasi ka mbështetje edhe nga vetë kreu i PS, Edi Rama si dhëndër i një prej besnikëve të tij. Tomor Alizoti është një personazh që pretendon të hyjë në grupin e kandidatëve, por që nuk mund të kalojë pragun, pasi është personazh pa influenca dhe njeri meskin që nuk ofron asgjë për militantin e bazës. Një kandidaturë tjetër që pret të futet në luftë për kryetar është edhe Agron Shehaj, i cili kandidoi përballë Bashës dhe i ka mjaft të lartë ampermetrin e pritshmërive, pavarësisht se niveli i tij mediokër nuk ofron asnjë profil për të qenë kryetar i një force politike. Flamur Noka, Edmond Spaho, Tritan Shehu, Edi Paloka, etj janë thjesht elementë plotësues të dekorit të Sali  Berishës, të cilët janë të përdorurit e Sali Berishës dhe i trajton si ushtarët e kutisë së shahut, që mund të përdoren për të hapur e mbyllur bravat e selisë së PD.

Berisha “projekton” Metën për kreun e ri të PD

Në PD zyrtare ka filluar një lloj lufte për postin e kryetarit, por sytë e një pjese prej tyre janë nga grupimi i foltores, me të cili po kërkojnë një bashkim forcash. Foltorja në vetvete me Sali Berishën në krye nuk pranojnë për të bërë një ofertë përbashkuese pa Sali Berishën. Ata janë të vendosur për të shkuar në Kuvendin e 30 prillit me këtë projekt, pa njerëzit e Lulzim Bashës. Sali Berisha e ka bërë të qartë se në zgjedhjet e ardhshme do të hyjë në lojë së bashku me Ilir Metën, i cili i dha forcën me zgjedhjet e 6 marsit, duke e faktorizuar përkohësisht. Gjithsesi në lëvizjen e tij politike Sali Berisha ka projektuar Ilir Metën si njeriun kyç që mund të marrë PD, ose foltore plus LSI. Brenda prillit zgjidhet edhe presidenti i ri që i hap rrugën Ilir Metës t’i bashkohet projektit të Sali Berishës. Në fund të dy i bashkon një hall. Saliu është anëtar i klubit “non grata”, ndërkohë që Ilir Meta është kandidat.

 

j.l./ dita

Share This Article
1 Comment
  • Jorida injorantia tregoi dhe njehere te komisioni se cfare kapaciteti ka ,mos te flasim per Hajdarin ,e vetmja zgjidhje per pd-ne eshte nje prurje e re nga jashte ,nen mbikqyrjen e amerikes ,pas deshtimit te sponsorizimit te Bashes ,eshte e vetmja menyre per ti thyer hundet arrogantit dhe kryehajdutit me bushtrat e tij ,eshte bere e qarte qe njerve u ka ardhe ne maje te hundes ,po ke te votojne ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *