Tre janë kushtet që duhet të përmbushin të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të konkurojnë përgjatë këtij viti për të fituar të drejtën e ndjekjes së studimeve në Drejtësi, që është edhe një ndër degët më të preferuara për vijimin e studimeve të larta në Universitetin e Tiranës.
Në garë për kuotat e kësaj dege do të mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 dhe në vijim. Sipas vendimit të miratuar pak më herët nga qeveria, nota mesatare për të hyrë në konkurim për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2021.
Në varësi të kuotave që do të miratohen për pranimet e vitit të ri akademik, përzgjedhja e fituesve në këtë degë do të kushtëzohet nga ndikimi i mesatares së lëndëve preferenciale (50 për qind), si dhe i mesatares së shkollës së mesme (po 50 për qind). Lidhur me kriterin e parë, autoritetet e Fakultetit të Drejtësisë sqarojnë se pesë janë lëndët e përcaktuara si prioritet për kandidatët që do të konkurojnë për këtë degë, ku përfshihen: Historia, Gjuha Shqipe, Gjuha e huaj, Ekonimia, si dhe Qytetari. Secila prej këtyre lëndëve vlerësohet me 10 për qind të ndikimit. Ndërsa pjesën tjetër të ndikimit po prej 50 për qindësh e ka mesatarja e shkollës së mesme, që përllogaritet nga nota mesatare e të gjitha viteve të shkolles së mesme (përfshire këtu edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore).
Maturantët kanë nisur tashmë më pregatitjet për provimet e Maturës Shtetërore 2021 që do të zhvillohen në muajin qershor sipas datave të përcaktuara. Edhe për Maturën Shtetërore 2021 katër janë provimet që maturantët do të zhvillojnë, ku konkretisht, bëhet fjalë për 3 provime të detyruara në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila është listuar sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MASR për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithëshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale.
Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë, ndërkohë që do të ketë në përmbajtje pyetje me alternativa, si dhe pyetje me zhvillim. Maturanti do të konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 për qind të totalit të pikëve, me të cilat vlerësohet testi.
Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të tre lëndëve që jepen si provim i detyruar janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë.
Do të vijojnë të vlejnë të njëjtat rregulla për zhvillimin e testeve të maturës edhe për këtë vit, çka do të thotë se maturanti do të përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”. Po sipas rregullores së provimeve, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
Konkurimi në degën e Drejtësisë
- Për degën e Drejtësisë në garë do të mund të përfshihen të gjithë kandidatët që plotësojnë kriterin e mesatares së përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Konkurimin për kuotat e vitit të ri akademik 2021-2022 do të mund të ndjekin vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 dhe më lart.
Kriteri 1: Ndikimi i mesatares së gjimnazit
- Mesatarja e shkollës së mesme ka 50 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj për vitin akademik 2021-2022. Kjo mesatare përbëhet nga nota mesatare e të gjitha viteve të shkolles së mesme (përfshire këtu edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore).
Mesatarja Kriteri 2: Ndikimi i lëndëve preferenciale:
- Ekonomia me 10 për qind të ndikimit. Mesatarja llogaritet për të gjitha vitet gjatë të cileve shtrihen lëndët, përfshirë provimet e Maturës Shtetërore.
- Gjuhë e Huaj me 10 për qind të ndikimit. Mesatarja llogaritet për të gjitha vitet gjatë të cileve shtrihen lëndët, përfshirë provimet e Maturës Shtetërore.
- Gjuhë shqipe dhe letërsi me 10 për qind të ndikimit. Mesatarja llogaritet për të gjitha vitet gjatë të cileve shtrihen lëndët, përfshirë provimet e Maturës Shtetërore.
- Histori me 10 për qind të ndikimit. Mesatarja llogaritet për të gjitha vitet gjatë të cileve shtrihen lëndët, përfshirë provimet e Maturës Shtetërore.
- Qytetari me 10 për qind të ndikimit. Mesatarja llogaritet për të gjitha vitet gjatë të cileve shtrihen lëndët, përfshirë provimet e Maturës Shtetërore.
