Përgjatë javës së ardhshme nis zyrtarisht sezoni i testimeve për arsimtarët e rinj që garojnë për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit në mësuesi. Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) ka detajuar gjatë ditës së djeshme kalendarin me datat se kur do të zhvillohen provimet për të gjitha profilet lëndore. Mësuesit e gjuhëve të huaja (anglisht, italisht, gjermanisht, greqisht dhe frëngjisht) janë të parët që do të garojnë nëpërmjet provimit të shtetit që do të zhvillohet gjatë javës së ardhshme për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Provimet do të vijojnë më pas ditën e enjte të datës 14 prill, më mësuesit e lëndës së fizikës, për të vijuar ditën tjetër me lëndën e shkencave sociale, e kështu me radhë në të gjitha profilet e tjera, sipas kalendarit të detajuar në vijim të shkrimit. Duke qenë se numri i kandidatëve që do të testohen për licencën në këtë sezon është shumë i madh, provimet do të vijojnë deri në datën 11 maj.
Mësuesit e gjuhës angleze do t’i nënshtrohen të parët testimit të informatizuar që do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Janë me qindra kandidatët që do të marrin pjesë në provimin e shtetit për këtë profil, rezultatet e të cilit janë vendimtare për t’u pajisur me lejen që i hap udhë punësimit të tyre si mësues i gjuhës angleze në shkollat e arsimit parauniversitar, qofshin këto publike apo private. Në garë për lejen e ushtrimit të profesionit për këtë profil lëndor janë 358 kandidatë, ku për secilin prej tyre është konfirmuar data dhe ora e përcaktuar se kur duhet të paraqiten në ambientet e kësaj qendre për të plotësuar testin e informatizuar.
Autoritetet e QSHA-së bëjnë me dije se provimet do të zhvillohen me tre turne gjatë secilës ditë, çka do të thotë se mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të paraqiten për të zhvilluar provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar për ta sipas listës së shpallur. Në të kundërt nuk do të lejohen që të konkurrojnë në këtë sezon për licencën. Për secilin kandidat gjeni të detajuar në vijim të shkrimit ditën dhe orën se kur duhet të paraqiten për të plotësuar testin.
Edhe në këtë sezon do të vijojnë të zbatohen të njëjtat rregulla, për të shmangur përjashtimin. Në këto kushte, krahas dokumenteve të identifikimit, si dhe mandat pagesës së hyrjes në testim, mësuesit e rinj në ditën e provimit duhet të kenë detyrimisht me vete edhe kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara, vërtetimin për njohjen dhe njësimin e diplomës në rastet kur studimet janë përfunduar jashtë shtetit, dokumentacionin e lëshuar nga institucioni përgjegjës për arkivat që provon lëshimin e diplomës apo dokumentit të barasvlershëm me të, në rastet kur studimet janë përfunduar në një institucion të arsimit të lartë të mbyllur.
Për rastet kur konstatohet mungesë e pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati duhet të pajiset nga universiteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet se: ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim, (si dhe njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi). Ky vërtetim duhet të përmbajë edhe emërtesën e plotë dhe llojin e programit të ciklit të dytë të përfunduar, vitin e përfundimit, numrin e matrikullimit, si dhe datën e diplomimit. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit, e për rrjedhojë nuk do të mund të aplikojnë për vendet e lira të punës në strukturat arsimore publike dhe private në vend.
Të gjithë mësuesit që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Pajisja më lejen e ushtrimit të profesionit, e lejon çdo mësues të ri që të nisë procedurat e mëtejshme të konkurrimit për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar, si dhe gjimnazeve publike dhe private të vendit.
Në ndihmë të kandidatëve që do të testohen në këtë sezon QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të kësaj qendre. Provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor në të cilin mësuesi kërkon të fitojë licencën profesionale.
Kliko: Anglisht
