Nis konkurrimi për studimet e ciklit të tretë edhe në programet e gjuhëve të huaja. Krahas përcaktimit të fushave në të cilat do të zhvillohen studimet e ciklit të tretë të “Doktoraturës”, autoritetet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, kanë përcaktuar edhe afatet e aplikimit, kriteret e pranimit, si dhe prioritetet që do të zbatohen në përzgjedhjen e fituesve që do të mund të ndjekin këtë cikël studimesh për këtë vit akademik.
Dekanati i këtij Fakulteti ka vendosur hapjen e aplikimeve për programin e “Doktoratës” për vitin akademik 2021-2022 në fushën “Shkenca Gjuhësore” ku aplikimet do të bëhen për pesë drejtime, si dhe në fushën “Letërsi Botërore moderne dhe postmoderne”, në të cilën do të aplikohet për katër drejtime.
Gara për pranimet e reja do të zhvillohet me anë të dosjes, ku sipas kushteve të përcaktuara, çdo kandidat ka afat deri në datën 25 qershor për të bërë të mundur dorëzimin e dosjes me dokumentet e duhura. Dorëzimi i dosjes së aplikimit mund të bëhet nga e hëna në të premte pranë njësisë bazë përkatëse të këtij fakulteti. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë edhe dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzoni gjatë fazës së aplikimeve.
Kriteret që duhet të plotësoni për konkurrim
Janë një sërë kriteresh që duhet të përmbushin të gjithë kandidatët që do të garojnë për të ndjekur studimet e ciklit të tretë në këtë fakultete. Sipas autoriteteve të këtij institucioni të arsimit të lartë, aplikuesi për studimet e “Doktoratës” duhet të plotësojë këto kushte: “Të ketë përfunduar studimet e larta dhe të zotërojë një diplomë të nivelit të dytë, një diplomë të integruar të nivelit të dytë, ose një diplomë sipas sistemit të vjetër apo titull akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente; Kandidati duhet të ketë mbaruar studimet në një nga fushat e programeve të studimit që ofron Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, të ketë notë mesatare të përgjithshme jo më pak se nota 8.00 në studimet e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, ose mesatare të barazvlefshme për studimet e kryera jashtë vendit.
Çdo aplikues duhet të ketë mbrojtur një nga gjuhët e huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht ose spanjisht në përputhje me nivelet e parashikuara në Udhëzimin Nr. 52, datë 03.12.2015 “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet e arsimit të lartë”, ndryshuar me Udhëzimin nr. 18, datë 22.09.2017. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Po ashtu aplikuesi duhet të ketë dy rekomandime nga personel akademik që kanë titullin akademik “Profesor i Asociuar” ose “Profesor”, të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit, teksa duhet të mos jenë marrë masa disiplinore ndaj tij, apo të mos jetë gjetur në shkelje të rregullave të etikës së kërkimit shkencor, të të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale apo shkelje të rregullave kundër plagjiaturës, si edhe të vetëdeklarojë se është në gjendje të zbatojë standardet shkencore dhe etike në programin e studimeve.
Kush mund të konkurrojë?
Studimet e doktoratës ofrohen me prioritet për ata persona që e kanë detyrim ligjor kualifikimin e tyre në nivelin e tretë të studimeve, për shkak të punësimit si personel akademik në institucionet e arsimit të lartë. Pranimet do të zhvillohen sipas tre prioriteteve.
Të parët janë: personel akademik i punësuar me kohë të plotë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, si dhe ata të fakulteteve të gjuhëve të huaja të strukturave të tjera publike dhe jo publike, për të vijuar së dyti me stafin akademik me kohë të pjesshme të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës kur është i punësuar me kohë të plotë në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar, si dhe së treti personeli kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar, aktiviteti i të cilave lidhet me fushat e kërkimit të njësive bazë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Shpallja e fituesve
Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të vlerësimit të dosjes së aplikimit nga komisioni ad-hoc si edhe nga intervista me gojë para komisionit. Për intervistën kandidati do të njoftohet nga njësia bazë për datën dhe orën e intervistës. Sipas afateve të përcaktuara shpallja e fituesve do të bëhet në datën 20 shtator.
Ndjekja e ciklit të tretë të studimeve në fushën: “Shkenca gjuhësore” synon: të thellojë dhe të pasurojë njohuritë teorike dhe praktike të doktorantëve në fushat e shkencave gjuhësore që ngërthen programi (Gjuhësi, Komunikim, Traduktologji, Didaktikë e gjuhëve moderne), t’u bëjë të njohur dhe t’u rekomandojë doktorantëve mjetet metodike kryesore që do t’u lejojnë atyre të kryejnë kërkime në fushën studimore dhe t’i aftësojë ata me metodat, teknologjitë dhe shprehitë e punës kërkimore-shkencore origjinale, t’i inkurajojë doktorantët për analiza të thelluara kritike e të argumentuara në fushat hulumtuese përkatëse. Nëpërmjet këtyre studimeve synohet edhe të nxiten kërkimet dhe studimet përqasëse me karakter aplikativ, të përgatiten doktorantët në analiza të konteksteve të larmishme komunikuese të specializuara, si dhe të krijojnë marrëdhënie të ngushta me shkollën dhe institute apo ente të tjera kërkimore publike dhe private me qëllimin për të përfshirë kompetenca të larta të kërkimit në një kontekst më të gjerë kulturor, social dhe ekonomik.
Ndërsa hulumtimi i thelluar shkencor në fushën: “Letërsi botërore moderne dhe postmoderne” synon: zhvillimin e letërsisë nga modernizmi në pasmodernizëm është një nga drejtimet më aktuale të hulumtimit në fushën e Letërsisë Botërore. Lëvrimi i kësaj fushe nënkupton një studim më të thelluar e më të fokusuar në krahasim me studimet e bëra deri tani në lëmin e letërsisë së huaj. Ky projekt studimor do të sillte risi në studimet letrare pasi një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të përqendruara në shkolla letrare më klasike dhe më të hershme. Studimet në këtë fushë do të jepnin mundësi për sjelljen e risive dhe ndikimin e modeleve të letërsive të huaja në letërsinë shqipe si dhe hapjen ndaj studimeve të krahasuara. Këto studime me qasje krahasimore dhe në perspektivën e receptimit u japin këtyre studimeve një dimension pluridisplinar duke i hapur edhe analizave të përkthimit letrar dhe impaktit të letërsisë së huaj një vend.
Tarifa për aplikim
Tarifat që duhet të shlyejnë të gjithë kandidatët që duan të konkurojnë për studimet e ciklit të tretë në këtë fakultet është 5,000 lekë. Lidhur me organizimin e këtij cikli është përcaktuar më herët se: studimet e doktoratës do zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar. Në rastet kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor, mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese. Numri i studentëve doktorantë përcaktohet nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo doktoranti përcaktohet në varësi të projekteve kërkimore të kësaj të fundit. Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet.
Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin vetë në lidhje me kriteret për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.
Studimet e doktoratës në “Shkenca Gjuhësore” me nënfusha:
- “Gjuhësi e zbatuar dhe krahasuese”
- “Mësimdhënie e gjuhës së huaj”
- “Studime përkthimore dhe të interpretimit”
- “Gjuhësi kompjuterike e zbatuar”
- “Komunikim ndërkulturor”
Studimet e doktoratës në “Letërsi Botërore moderne dhe postmoderne”, nënfusha:
- “Letërsi amerikane”
- “Letërsi frënge”
- “Letërsi greke”
- “Letërsi italiane”
Dosja e aplikimit duhet të përmbajë dokumentacionin e mëposhtëm:
- Kërkesë e kandidatit për nënfushën ku do të studiojë.
- Curriculum Vitae.
- Kopje e noterizuar e diplomës dhe listës së notave të studimeve
- Certifikatë personale dhe fotokopje e kartës së identitetit/pasaportës.
- Dëshmi e gjuhës së huaj (kopje e noterizuar).
- Deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të doktoratës.
- Vërtetim nga qendra e punës që vërteton se kandidati ka angazhim akademik pranë një institucioni të arsimit të lartë, apo është personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar.
- Mandat pagese për tarifën e aplikimit.
- Vetëdeklarim të aplikantit se do të zbatojë standardet shkencore dhe etike të kërkimit shkencor e publikimit.
- Dëshmi dhe vërtetime në lidhje me kualifikime, trajnime, provime pasuniversitare ose artikuj shkencorë që mund të ketë kryer, apo pjesëmarrje në konferenca shkencore, programe shkëmbimi si Erasmus+, apo projekte kombëtare apo ndërkombëtare.
- Dy rekomandime nga personel akademik me titull “Profesor i asociuar” ose “Profesor”
- Vërtetimi i njësisë bazë për pranimin e dokumentacionit për aplikim.
- Propozimi i kërkimit shkencor, ku të evidentohen objektivat e kërkimit shkencor, metodologjia, nevoja për studim të thelluar në fushën e propozuar dhe risitë që pritet të sjellë punimi.
