Gara për licencat \ 225 stomatologët e rinj që kalojnë në testim!

Ornela

Edhe stomatologët e rinj do të garojnë përgjatë javës së ardhëshme per lejen e ushtrimit të profesionit. Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë përcaktuar datat 3 dhe 4 qershor për zhvillimin e provimit të shtetit në këtë specialitet.

Pas vlerësimit të dosjeve, janë kualifikuar 225 kandidatët që plotësojnë kushtet për të hyrë në këtë sezon në provimin e shtetit, rezultatet e të cilit janë vendimtare për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit si stomatolog. Për secilin prej këtyre kandidatëve është konfirmuar data dhe ora specifike se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar testin e informatizuar.

“Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret janë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar”, bën me dije Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Çka do të thotë se secili kandidat që është pjesë e listës së detajuar në vijim të shkrimit, duhet të paraqitet për të plotësuar testin vetëm në orarin e përcaktuar për të. Në të kundërt duhet të presë sezonet e tjera të provimeve për të hyrë sërish në garë për lejen e ushtrimit të profesionit.

Gjithashtu janë detajuar edhe rregullat që duhet të zbatoni në ditën e testimit. Sipas kushteve të përcaktuara, për të mos u skualifikuar nga provimi, çdo kandidat duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testit, dhe duhet të jetë i pajisur me: mjetet mbrojtëse kundër Covid-19, letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal), kopje të Kartës ID ose Pasaportës, faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë, bazuar në herën e pjesëmarrjes. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.

Në ndihmë të kandidatëve që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.

Stomatologët e rinj që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Vetëm pasi të marrin testin e licencës, këta profesionistë të shëndetit do mund të aplikojnë për të fituar një kontratë pune në strukturat publike, ashtu dhe në ato private.

Për shkak të situatës së krijuar në vend nga Covid-19, edhe për stomatologët testimi i informatizuar do të zhvillohet duke ndjekur me kujdes protokollet e higjienës dhe distancimit fizik të rekomanduara nga dikasteri i Shëndetësisë. QSHA është udhëzuar tashmë për ofrimin e sigurisë maksimale dhe kushteve të përshtatshme higjeno-sanitare, duke ofruar pastrim dhe dezinfektim të ambienteve të provimit me solucione dezinfektuese të miratuara, përpara dhe pas çdo seance provimi, pastrim dhe dezinfektim të pajisjeve fizike të ambienteve të provimit, si: kompjuterët, pajisjet elektronike, karriget, tavolinat, etj, vendosje të solucioneve dezinfektuese në hyrje të çdo ambienti provimi, respektim të distancës 1,5-2 metër ndërmjet kandidatëve gjatë gjithë proceseve të zhvillimit të provimit, mundësinë e kryerjes së provimit në kabina të veçanta për secilin kandidat, duke respektuar distancën fizike nga njëri- tjetri, si dhe pajisjen me mjetet e duhura mbrojtëse si maska dhe doreza plastike, të stafit të institucionit dhe personave të jashtëm, të përfshirë në proceset e zhvillimit të provimit.

Kliko: Stomatologet qe garojne per licencen

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *