Pranvera Kola – DITA
Pesë ditë është afati i lënë në dispozicion të arsimtarëve të rinj që do të garojnë për të fituar të drejtën e ndjekjes së praktikës profesionale në një nga shkollat e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2017-2018.
Ndjekja e kësaj praktike është një ndër detyrimet bazë që çdo i diplomuar në profilin e mësuesisë duhet të përmbushë për të vijuar më tej procedurat e marrjes së licencës për ushtrimin e profesionit. Aplikimet nisin së pari me mësuesit e rinj të kryeqytetit.
Sipas afateve të përcaktuara tashmë nga Drejtoria Rajonale e Arsimit të Tiranës, aplikimet për vijimin e praktikës do të zhvillohen përgjatë javës së ardhshme nëpërmjet dosjes së kërkuar të dokumenteve. Konkurimi do të zhvillohet me anë të dosjes.
“Dokumentacioni për aplikimin e zhvillimit të praktikës profesionale për vitin e ri shkollor duhet të paraqitet me zarf të mbyllur pranë sekretarisë së Drejtorisë Arsimore Rajonale të qytetit Tiranë nga data 4 deri në 9 shtator”, bëjnë me dije autoritetet e Drejtorisë Arsimore të Tiranës.
Dokumentacioni që duhet të dorëzojnë detyrimisht të gjithë kandidatët që dëshirojnë të kryejnë praktikën profesionale duhet të përfshijë: “Kërkesën për zhvillimin e praktikës profesionale pranë shkollave që mbulon kjo drejtori sipas formatit të përcaktuar, CV e praktikantit, fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit, fotokopjen e noterizuar të diplomës dhe listës së notave të studimeve universitare të ciklit të pare (Bachelor), fotokopjen e noterizuar të diplomës dhe listës së notave të studimeve universitare të ciklit të dytë “Master shkencor”, ose “Master profesional” në mësuesi”.
Gjithashtu në dosje duhet të përfshini edhe raportin mjeko-ligjor, vërtetimin nga prokuroria që nuk jeni në ndjekje penale, dokumentin e vendbanimit. Mungesa, apo parregullsia në dorëzimin e njërit prej këtyre dokumenteve në afatet e përcaktuara ju përjashton nga gara.
Çka do të thotë se duhet të prisni hapjen e aplikimeve të vitit të ardhshëm për të vijuar ndjekjen e praktikës, si dhe procedurat e mëtejshme për provimin e licencimit në profilin përkatës të mësuesisë. Pas vlerësimit të gjitha kërkesave të paraqitura, Drejtoria e Arsimit të Tiranës përcakton edhe shkollën se ku kandidati duhet të paraqitet për të dhënë mësim, sipas kapaciteteve të mundshme pritëse.
Referuar përcaktimeve të bëra në ligjin e profesioneve të rregulluara, praktika profesionale synon: “sigurimin e cilësisë së mësimdhënies nga mësuesit e rinj, përvetësimin e mëtejshëm të njohurive teoriko-profesionale, si dhe të aftësive e shprehive praktike dhe normave të etikës e të sjelljes së mësuesit, zhvillimin e kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm për një përshtatje më të mirë ndaj ndryshimeve të kurrikulës, etj”.
Vetëm kandidatët që do të pajisen me certifikatën përkatëse në përfundim të ndjekjes së praktikës, do mund të vijojnë hapat e mëtejshme të licencimit në profilin e mësuesisë.
Kriteret e përzgjedhjes
Pas aplikimit me dosje, drejtoritë arsimore do të përzgjedhin mësuesit që kanë të drejtë të vijojnë praktikën në shkollat përkatëse. Përzgjedhja do të bazohet në disa prioritete, që kanë të bëjnë me afërsinë e vendbanimit me shkollën ku aplikohet, kriterin e notës mesatare të studimeve universitarem, si dhe pasja e fëmijëve.
Kandidati që nuk fiton në këtë fazë të drejtën e zhvillimit të praktikës profesionale, riaplikon në po këtë drejtori, ose pranë të tjerave derisa të mos ketë më vende të lira për të. Aplikuesi për praktikant, për të cilin në një vit shkollor nuk disponohet ndonjë vend i lirë në shkollat e arsimit publik apo privat, renditet në krye të përparësive për vitin pasues shkollor.
Ndërsa kur ka vend të lirë në sistemin arsimor për zhvillimin e praktikës profesionale dhe kandidati për praktikant refuzon, ai renditet në fund të përparësive në vitet pasuese. Gjithashtu bëhet me dije se kur aplikuesi për praktikant nuk është pranuar për zhvillimin e praktikës profesionale, ka të drejtë të aplikojë në vitet pasuese.
Kandidati për praktikant i përzgjedhur, e humbet të drejtën e zhvillimit të praktikës profesionale, kur refuzon tre herë (tri vite shkollore të njëpasnjëshme ose jo) të zhvillojë praktikën profesionale në një institucion shkollor të disponueshëm. Ndërsa në rastet kur praktikanti ndërpret praktikën profesionale për arsye personale, ai e përfundon atë në vitet pasuese.
Detyrimet për mësuesin praktikant
Janë një sërë kushtesh që çdo mësues i ri duhet që t’i plotësojë gjatë zhvillimit të praktikës profesionale. Sipas rregullores, është drejtori i shkollës ai që përcakton shpërndarjen e normës mësimore të praktikantëve në orë si mësimdhënës, si mësues ndihmës dhe për vëzhgime të procesit mësimdhënës.
“Praktikanti kryen praktikën profesionale për një vit të plotë shkollor (9 muaj), çka do të thotë se e kanormën e praktikës profesionale sa norma e mësuesit të profilit përkatës. Mësuesi praktikant jep mësim 1/4-ën e normës javore të mësuesit përkatës.
Pjesa tjetër e normës ndahet në mënyrë të barbaratë në orë si mësues ndihmës dhe orë për vëzhgime të procesit mësimdhënës.
Çdo kandidat ka detyrime profesionale të njëjta me ato të mësuesve të institucionit arsimor, përfshirë pjesëmarrjen në mbledhjet e ekipit lëndor e të këshillit pedagogjik, si dhe detyrën e mësuesit kujdestar”, saktësohet në rregulloren përkatëse të ndjekjes së praktikës profesionale.
Mbikëqyrja e praktikës
Gjatë ndjekjes së praktikës çdo mësues i ri do të mbikëqyret nga një mësues me përvojë i konsideruar si “mentor”.
Ky mësues mbikëqyrës e ndihmon praktikantin të kryejë me sukses praktikën profesionale nëpërmjet: “Zhvillimit të aftësive dhe shprehive të praktikantit përmes vëzhgimeve, këshillimeve,rekomandimeve, komenteve dhe aktiviteteve të ndryshme për të lehtësuar certifikimin e tij, krijimit të mundësive në zbatimin e metodave bashkëkohore dhe interaktive në mësimdhënie, përdorimit të mjeteve të ndryshme zhvillimore, si: detyra, pjesëmarrje në grupe pune, trajnime afatshkurtra, këshillime karriere personale, motivimit të praktikantit për të synuar nivele të larta të performancës, teksa duhet që ta ndihmojë praktikantin që të përgatisë portofolin që duhet të dorëzojë në përfundim të praktikës”.
Mentori duhet që të përgatisë raportin e vlerësimit, në përfundim të veprimtarisë së praktikantit, rezultati të cilës është vendimtar për të vijuar më tej procedurat e marrjes së lejes për ushtrimin e profesionit të mësuesit.
Për aplikim kërkohet:
- Kërkesë për zhvillimin e praktikës profesionale pranë drejtorisë përkatëse të arsimit.
- CV e praktikantit.
- Fotokopje e noterizuar e dokumentit të identifikimit.
- Fotokopje e noterizuar e diplomës dhe listës së notave të studimeve universitare të ciklit të pare (Bachelor).
- Fotokopje e noterizuar e diplomës dhe listës së notave të studimeve universitare të ciklit të dytë “Master shkencor”, ose “Master profesional” në mësuesi.
- Raport mjeko-ligjor.
- Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.
- Dokument i vendbanimit (apikantët duhet të jenë banor I qytetit ku aplikohet).
Programi i praktikës profesionale përmban objektivat që duhet të përmbushë praktikanti për:
- Legjislacionin arsimor që ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimtarinë e mësuesit.
- Dokumentacionin kurrikular për profilin përkatës të mësuesit.
- Praktikat bashkëkohore të suksesshme të mësimdhënie-nxënies dhe të vlerësimit
- të nxënësve.
- Anën shkencore të lëndës (lëndëve).
- Plotësimin e dokumentacionit të mësuesit (plani vjetor lëndor, regjistri, plani
- ditor, dëftesat, etj).
- Zhvillimin moshor dhe marrëdhëniet me fëmijët dhe të rinjtë.
- Komunikimin dhe bashkëpunimin në grup.
- Kompetencat kroskurrikulare si përdorimi i TIK-ut, gjuhës shqipe, matematikës,
- gjuhës angleze (pavarësisht profilit përkatës).
Portofoli i praktikantit
Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikanti plotëson portofolin e tij me:
Planin lëndor vjetor.
- Objektiva të arritjeve të nxënësve për një kapitull.
- Plane ditore të orëve mësimore (2-3 modele).
- Teste të orëve mësimore dhe të kapitujve (2-3 modele).
- Projekte kurrikulare të zhvilluara me nxënësit (1-2 modele).
- Shembuj të përdorimit nga praktikanti të burimeve të mësimdhënies, përveç tekstit të
- Nxënësit.
- Shembuj të metodave që ka përdorur praktikanti, për të formuar te nxënësit aftësitë e komunikimit me gojë dhe me shkrim, të menduarit kritik, të menduarit krijues, si dhe të punuarit në grup, të menaxhimit nga nxënësit, të informacionit mësimor nga burime të ndryshme, të përdorimit të TIK-ut në mësimdhënie, të përdorimit të matematikës e gjuhës shqipe në mësimdhënie, si dhe të punës me nxënësit me vështirësi në të nxënë”.
- “Raportin e praktikantit” me reflektime mbi përvojat e tij gjatë praktikës profesionale,
- me sukseset më të spikatura dhe vështirësitë kryesore.
Si do të bëhet vlerësimi i praktikës
- Ka të drejtë që t’i nënshtrohet vlerësimit vetëm praktikanti që ka munguar jo më shumë se 20 për qind të orëve mësimore vjetore.
- Ndërsa praktikantit që ka munguar më shumë se 20-30 për qind të orëve mësimore vjetore,
- i shtyhet praktika 3 muaj. Nëse ka munguar më shumë se 30 për qind të orëve mësimore vjetore, përsërit të plotë praktikën profesionale.
- Mentori vlerëson praktikantin në mbarim të praktikës duke u mbështetur tek vëzhgimet e tij, në intervistat që realizon me praktikantin dhe në portofolin e praktikantit.
- Komisioni vlerëson “Dobët” praktikantin, kur në të paktën një kompetencë ka vlerësimin “Dobët”. Në këtë rast komisioni shtyn afatin e zhvillimit të praktikës profesionale në tre muaj. Shtyrja prej tre muaj mund të përsëritet tre herë. Në këto raste, praktikanti mund të zhvillojë praktikën profesionale në të njëjtin institucion arsimor.
- Komisioni vlerëson “Dobët” praktikantin, kur në vlerësimin tërësor ka vlerësimin “Dobët”. Në këtë rast komisioni shtyn afatin e zhvillimit të praktikës profesionale në 1 vit mësimor.
- Kur praktikanti nuk e kalon me sukses praktikën profesionale edhe pas shtyrjes së
- afatit, nuk ka të drejtë për ta zhvilluar më atë.
- Komisioni vendos certifikimin e praktikantit në bazë të shqyrtimit të dosjes dhe
- intervistës së tij. Komisioni i merr vendimet me shumicën e votave. Certifikata e praktikës profesionale përgatitet nga drejtoria rajonale e arsimit, dhe i dorëzohet praktikantit
