Gara për program të parë dhe të dytë, Masteri në Drejtësi: Mesatarja që ju duhet për të konkuruar!

J L

Pranvera Kola

 

Mesatarja është një ndër kriteret bazë të konkurimit për nivelin e dytë të studimeve në programet “Master” të Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetit të Tiranës. Dekanati i këtij institucioni të arsimit të lartë, bën me dije se në programet e “Masterit shkencor” mund të konkurojnë të gjithë kandidatët që kanë mesatare të studimeve të nivelit të parë “Bachelor” duke nisur nga nota 6.5 dhe më lart. Një tjetër kusht që duhet të përmbushet në këto programe është edhe detyrimi për njohjen e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian sipas testeve ndërkombëtare të certifikuara nga MASR. Ndërsa për aplikimet në nivelet e “Masterit profesional”, mund të garojnë kandidatët që kanë mesatare të studimeve të nivelit të parë që nga nota 5.

Plotësimi i kuotave

Autoritetet drejtuese të këtij fakulteti kanë përcaktuar edhe prioritet që do të zbatohen në plotësimin e kuotave të miratuara për pranimet e vitit të ri akademik 2020-2021. Kuotat fillestare do të plotësohen duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet “Bachelor” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si edhe aplikantëve që kanë përfunduar studimet “Bachelor”  në institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit.

Nëse do të ketë sërish kuota të lira, plotësimi i tyre do të vijojë me aplikantët që kanë përfunduar studimet “Bachelor” në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë në degën Drejtësi, si edhe në degën “Ekonomi” për “Master Profesional EU Business Law”. Kur edhe pas zbatimit të kësaj preference do të rezultojnë sërish vende të lira, përzgjedhja do të vijojë me kandidatët që kanë kryer studimet e larta të nivelit të parë në universitetet private në fushën e drejtësisë.

Kushtet e përgjithshme për aplikim

Sipas kushteve të përcaktuara më herët, kanë të drejtë që të aplikojnë për programet e ciklit të dytë si program i parë studimi të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të tij. Po ashtu, mund të aplikojnë edhe ata që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryeje njësimin e diplomës pranë QSHA-së brenda muajit dhjetor 2020.

Ndërsa për programet e dyta të studimit në ciklin “Master”, kanë të drejtë që të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë në një program të ciklit të parë “Bachelor”, apo në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit dhe i akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Për këto kuota mund të aplikojnë edhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe që kanë kryer njësimin e diplomës pranë QSHA-së.

Dosja e konkurimit për program të parë studimi

Kandidati që aplikon për këtë cikël studimesh duhet të paraqitet personalisht, apo nëpërmjet një personi të autorizuar prej tij për të dorëzuar dosjen e konkurimit brenda datës 11 tetor. Ky është edhe afati i fundit i lejuar për aplikimet në programet e nivelit “Master” të këtij fakulteti.

Në dosje duhet që të përfshini këto dokumente: Diplomë ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.

Gjithashtu duhet të paraqisni edhe diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuara me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP).

Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar, duhet të paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinale ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.

Në dosje duhet të përfshini edhe formularin e aplikimit sipas formatit të përcaktuar, kopjen e dokumentit të identifikimit, dy fotografi, si dhe mandat pagesën për tarifën e aplikimit në masën prej 2000 lekësh kur aplikoni për program të parë studimi, ndërsa në rastet e programeve të dyta të studimit tarifa që duhet të shlyeni është 3000 lekë.

Për rastet kur aplikimet zhvillohen për programet e “Masterit shkencor”, në dosje duhet të dorëzoni edhe certifikatën, diplomën apo dëshminë e njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, giermanisht, italisht, spanjisht të nivelit minimal B1, e lëshuar nga subjekte të njohura nga MASR, për ofrimin e testeve ndërkombëtare.

Dokumentet shtesë për programet e dyta të studimit

Dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi përfshin edhe fotokopjen e njesuar me origjinalin në Republiken e Shqipërisë të diplomës universitare të ciklit të dytë të studimeve, së bashku me suplementin e diplomës ose listen e notave. Për diplomat e fituara jashtë vendit, kandidati duhet të dorezojë edhe vërtetimin e njohjes në Republikën e Shqipërisë.

Për këto programe kërkohet edhe plani i plotë i programit të studimit, përfshirë dhe syllabuset përkatëse, vërtetimi i listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lënde dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për njohjen e provimeve të shlyera ose krediteve përkatëse, nëse kërkohet njohja e provimeve të shlyera dhe ose e krediteve përkatëse.

Kriteret e aplikimit për studimet “Master” në Drejtësi

  • Nota mesatare minimale për të aplikuar për “Master shkencor” është 6..
  • Nota mesatare minimale për të aplikuar për “Master profesional” është 5.
  • Nota mesatare minimale për të aplikuar për “Master Profesional EU Business Law” është 5.
  • Niveli minimal i njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, është B1. Ky kriter është i zbatueshëm vetëm për kandidatët që aplikojnë për “Master Shkencor”
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *