Pranvera Kola
Mbyllen sot aplikimet online në portalin e punësimit “Mësues për Shqipërinë 2021”. Sipas afateve të përcaktuara nga dikasteri i arsimit, të gjithë mësuesit që duan të sigurojnë një kontratë pune në shkollat publike të arsimit të detyruar 9-vjeçar, si dhe gjimnaze për vitin e ri shkollor 2021-2022, kanë afat deri në përfundim të ditës së sotme për të bërë aplikimin online në portal konform procedurave të përcaktuara.
Ndërkohë që gjatë ditëve në vijim një grup ekspertësh do të kalojë në shqyrtim të gjitha kërkesat së bashku me dosjen e dokumenteve që mësuesit kanë ngarkuar gjatë aplikimit online, si dhe dorëzuar edhe me rrugë postare në strukturat përkatëse rajonale të arsimit. Vetëm mësueist që kalojnë me sukses fazën e aplikimit me dosje në portal do të mund të vijojnë më tej konkurimin në fazën e dytë që ka të bëjë me zhvillimin e testit të informatizuar. Sa i takon provimit, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka konfirmuar ditën e djeshme se provimet do të nisin në mbyllje të muajit korrik dhe do të vijojnë edhe përgjatë gushtit sipas kalendarit për secilin profil lëndor të mësuesisë.
“Në zbatim të Udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nr. 12, datë 27.02.2018 “Për organizimin e testimit të informatizuar të kandidatëve për t’u punësuar në institucionet arsimore publike, të arsimit parauniversitar” i ndryshuar, ju bëjmë me dije se gjatë muajve korrik-gusht 2021, pranë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit do të zhvillohet testimi i informatizuar për punësimin e mësuesve. Në vijim, pas datës 21.07.2021, do të publikohet kalendari me datat, oraret dhe profilet përkatëse për testimin që do të zhvillohet në ambientet e kësaj qendre”, sqarojnë autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, edhe në këtë sezon testimet për punësimin e mësuesve do të zhvillohen duke zbatuar me përpikmëri rregullat e përcaktuara nga strukturat mjekësore sa i takon respektimit të distancës, kujdesit për higjienën, si dhe mbajtjes së dorezave dhe maskave në ambientet e provimit. Gjithashtu, për të mos rrezikuar përjashtimin nga gara, në ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal dhe kopje të tyre, si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP. Sikundër ndodh edhe me provimet e shtetit, edhe për testin e informtaizuar për çdo mësues orari i pjesëmarrjes në provim do të jetë i përcaktuar dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të QSHA-së.
Lidhur me përmbajtjen e testit, autoritetet sqarojnë se do të jetë i strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet në njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, njohjen e programeve lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë do të ketë pyetje rreth njohurive shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës.
Vlerësimi për çdo kandidat
Vlerësimi i kandidatëve, të cilët aplikojnë për t’u punësuar në vendet e lira që krijohen në profilin e tyre në qytetet ku kanë aplikuar përbëhet nga pikët që ai ka siguruar në fazën e parë të konkurimit nga pikët e dosjes, si dhe pikët e fituara nga testimi që do të zhvillohet në muajin gusht. Rezultati i këtyre dy treguesve përbën edhe pikët finale të mësuesit. Mësuesit që kanë siguruar nivelin më të lartë pikëve do të jenë të parët që do të ftohen të zgjedhin vendet e punës, sipas kuotave të lira të raportuara për çdo njësi vendore të arsimit në vend.
“Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2021. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë”, sqarohet në udhëzimin e miratuar më herët nga MASR. Po sipas këtij udhëzimi, kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati.
Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në testim, kandidati:
- Duhet patjetër të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para orarit të përcaktuar për zhvillimin e testit, teksa duhet të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe
- doreza plastike.
- Duhet të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë.
- Duhet të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumentin origjinal dhe kopje të tyre, si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP.
- Duhet të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit.
- Nuk lejohen celularët, çantat dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e testimit.
- Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar
Në tetsimin e informatizuar mësuesit do të vlerësohen për:
- Njohjen e dokumentacionit zyrtar që lidhet me profesionin e mësuesit dhe që shërben si rregullator në punën e përditshme të mësuesit për çdo institucion arsimor.
- Njohjen e dokumentacionit kurrikular të programit lëndor.
- Njohuritë rreth aspekteve të pedagogjisë, metodologjisë dhe përdorimit të TIK-ut në mësimdhënie.
- Njohuritë rreth aspekteve të etikës dhe të komunikimit.
- Njohuritë rreth drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
- Njohuritë rreth përmbajtjes shkencore të lëndës që zhvillon mësim.
