Zgjedhjet për rektor të universitetit të Tiranës, që pritet të mbahen të mërkurën, janë vënë në qendër të diskutimit në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të Medias.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve për këtë garë pas kërcënimit që i është bërë kandidatit, Mihal Koni për tërheqje nga konkurimi.
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi kërkoi që ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla të raportojë në parlament për këtë situatë. Por, kjo kërkesë e opozitës u rrëzua nga deputetët e maxhorancës.
“Maxhoranca ka shkuar larg duke goditur universitetet. Zgjedhjet kanë rënë, ministrja duhet të gjejë zgjidhje”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Alfred Peza, nënkryetar i komisionit, u shpreh se politika duhet të rrijë larg universiteteve. “Në zgjedhjet e kaluara politika sillej si bandë”, tha ai. Nga ana e saj, deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi kërkoi nga studentët dhe pedagogët që të përballen me këtë situatë.
Ndërsa deputeti socialist, Fatmir Toçi tha se e sheh procesin zgjedhor në universitete të çliruar nga politika.
