Javës së ardhshme do të zhvillohet edhe faza finale e konkurimit për pranimet në programet e ciklit të tretë të specializimeve afatgjata në mjekësi. Të gjithë kandidatët e kualifikuar nga konkurimi me dosje do t’i nënshtrohen testit final të pranimit. Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) ka konfirmuar ditën e djeshme datat kur do të zhvillohen testimet e informatizuara për të gjithë kandidatët që konkurrojnë gjatë këtij viti akademik për kuotat e reja të pranimit në programet e specializimeve afatgjata.
Sipas kalendarit të shpallur, provimet do të fillojnë të mërkurën e datës 16 mars, dhe do të vijojnë deri të premten e datës 18 mars. Për të shmangur mbingarkesën nëpër sallat e provimeve, autoritetet e QSHA-së sqarojnë se garuesit janë ndarë në nëntë grupe dhe për secilin prej tyre është përcaktuar data dhe ora specifike se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar testin. Në secilën datë provimet do të zhvillohen në tre raunde, ku do të paraqiten grupet sipas kalendarit të përcaktuar, të cilin e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
“Testimi i informatizuar do të zhvillohet në datat 16, 17 dhe 18mars në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në testim, ju bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni”, sqaron QSHA. Çka do të thotë se ju duhet të paraqiteni për të zhvilluar testin vetëm në datën dhe orën e përcaktuar specifikisht për ju. Në të kundërt e humbisni të drejtën e vijimit të konkurrimit për kuotat e reja të pranimeve në këtë cikël studimesh.
Ekspertët e QSHA sqarojnë më tej edhe rregullat që duhet të zbatoni në ditën e provimit për të mos rrezikuar që të përjashtoheni. Kështu, gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në testim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e mëposhtme: të paraqitet pranë qendrës i pajisur me mjetet mbrojtëse ndaj koronavirusit, si: maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5 -2 metër nga kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e testimit.
“Kandidati duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të përcaktuar për zhvillimin e provimit, ku duhet të jetë i pajisur me: Letërnjoftim (Kartë Identiteti ose Pasaportë, duhet dokumenti origjinal, si dhe kopje të tyre. Po ashtu me vete duhet të keni detyrimisht edhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së testimit për llogari të QSHA-së, të kryer në një bankë të nivelit të dytë. Duhet të bëni kujdes, pasi fatura duhet të ketë vulën e bankës përkatëse. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testim”, sqarojnë autoritetet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
Në ditën e provimit ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve apo mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të testimit, pasi kjo vlerësohet si kriter mos kualifikimi, ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë gjatë zhvillimit të testimit deri në marrjen e deklaratës së rezultatit, ndalohet lëvizja përtej vendit të përcaktuar për zhvillimin e testimit, si dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e testimit”.
Pyetjet për testin e informatizuar të konkurrimit janë përgatitur nga fakulteti përkatës që ofron programin e specializimeve përkatëse mbi bazën e kurrikulës së studimeve universitare dhe shpallen nga dekani. Teza përfshin pyetje të tre niveleve, niveli i lehtë, niveli 2 mesatar dhe niveli 3 i vështirë, duke u konvertuar respektivisht në 1 pikë, 2 pikë dhe 3 pikë.
Kuotat e pranimeve
Për vitin akademik 2021-2022, Rektorati i Universitetit të Mjekësisë ka vendosur që në programet e specializimit do të pranohen 319 kandidatë në total. Ndërkohë që ndarja e kuotave është e tillë: 125 prej tyre janë kuota të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 12 kuota nga Ministria e Drejtësisë, 179 kuota që janë të lira, si dhe 3 kuota për transferimet . “Kandidatët që kanë grumbulluar jo më pak se 380 pikë nga numri i pikëve totale të konvertuara (maksimumi 1000 pikë, kualifikohen për procesin e përzgjedhjes së programit të specializimit sipas sistemit të meritës)”, thuhet në udhëzimin e zbardhur më herët nga Universiteti i Mjekësisë.
Shpallja e fituesve
Shpallja e fituesve do të bëhet nga pikët finale që kandidati ka siguruar nëpërmjet mesatares së studimeve, si dhe testit të informatizuar. Vlerësimi i kandidatëve që do të aplikojnë për kuotat e pranimit për këtë vit akademik do të bëhet me një sistem prej 1000 pikësh maksimumi. Këto pikë konvertohen në 30 përqind (300 pikë) që do të vijnë nga nota mesatare e ponderuar e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore, si dhe 70 për qind (700 pikë) që kandidati do t’i sigurojë në testimin e informatizuar. Pas këtij procesi, Komisioni i Vlerësimit shpall listën e kandidatëve të kualifikuar, duke i renditur sipas pikëve kumulative në rend zbritës, ku kandidati i fundit ka jo më pak se 380 pikë, për vijimin e procedurës së përzgjedhjes së programit të studimit.
Kështu, të drejtën e regjistrimit si fitues e kanë aq persona sa janë edhe kuotat e caktuara në programin e specializimit përkatës, sipas rendit zbritës të pikëve totale. Zgjedhja e specializimit bëhet në mënyrë transparente, nga vetë kandidatët fitues, sipas rendit zbritës të pikëve në listën përfundimtare që do të shpallë Universiteti pas realizimit të provimit.
Programet e studimeve të specializimeve afatgjatë përfshijnë kuota pranimi për specialitetet në Alergologji, Anatomi patologjike, Anestezi-reanimacion, Dermatologji, Endokrinologji, Gastrohepatologji, Hematologji, Diagnozë me imazhe, Kardiokirurgji, Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Kirurgji maksilo-faciale, Laborator klinik-biokimik, Mikrobiologji, Mjek familjeje, Mjekësi interne, Mjekësi ligjore, Nefrologji, Neurologji, Neurokirurgji, ORL, Obstetrikë-gjinekologji, Okulistikë, Onkologji, Ortopedi-traumatologji, Pediatri, Pedodonti, Pneumonologji, Psikiatri, Psikiatri e fëmijëve dhe e adoleshentëve, Reumatologji, Sëmundje infektive, Shëndet publik, Terapi stomatologjike, Toksikologji klinike, si dhe stomatologji (kirurgji orale, kirurgji maksilo- faciale, protetika fikse, protetika të lëvizshme, protetika kirurgjikale, ortodonci periodontologji).
Tarifa vjetore e shkollimit për studentet që ndjekin programet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë, do jetë 115,000 lekë. Studentet e shpallur fitues duhet të paguajnë menjëherë 30 për qind të tarifës vjetore të shkollimit, ndërsa pjesa tjetër e pagesës do të arkëtohet me këste të përcaktuara sipas fakulteteve përkatëse ku kandidati është shpallur fitues. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së plotë të studimeve në vitin akademik ku vijojnë studime.
Pikët me të cilat vlerësohet mesatarja
Konvertimi i pikëve nga nota mesatare e përllogaritur, duke e shumëzuar dhe me koeficientin përkatës, bëhet sipas kësaj skeme: Nota mesatare e përllogaritur 10 vlerësohet me 300 pikë, nota 9 me 240 pikë, nota 6 me 180 pikë, nota e përllogaritur 7 me 120 pikë të konvertuara, nota 6 vlerësohet me 60 pikë, si dhe nota 5 me 0 pikë. Çdo 0.10 e notës mesatare të përllogaritur është baras me 6 pikë të konvertuara (përshembull nota mesatare 7,10 vlerësohet me 126 pikë të konvertuara, nota 8,20 me 192 pikë të konvertuara, nota 9.34 siguron 260.4 pikë të konvertuara. Formula e përllogaritjes së pikëve të mesatares së ponderuar është (Nmp-5)*60.
