Gara për studimet master, kriteret për fituesit në mësuesi

Ornela

Ndryshe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, pjesë e Universitetit të Tiranës, ka vendosur që aplikimet për pranimet e reja në ciklin e dytë të studimeve  “Master profesional”, si dhe “Master Shkencor”, t’i çelë në datën 1 tetor. Sipas afateve të përcaktuara, studentët që disponojnë një diplomë të nivelit të parë, kanë të drejtë të konkurojnë në 16 programet e studimit të këtij fakulteti deri në datën 12 tetor.

Gara edhe në këtë rast do të zhvillohet me anë të dosjes, ku kriter në përzgjedhje do të jetë jo vetëm mesatarja e studimeve të nivelit të parë, por edhe kushtet preferenciale të vendosura nga vetë fakulteti në lidhje me institucionet ku aplikuesit kanë përfunduar studimet e ciklit “bachelor”.

Për vitin e ri akademik 2018-2019 në këtë fakultet garohet për 1045 të drejta studimi, prej të cilave 665 janë kuota për programet master të nivelit profesional, si dhe 380 për programet e nivelit shkencor. Ndarjen e plotë të kuotave për secilin cikël, si dhe kriteret e përzgjedhjes së fituesve i gjeni të detajuara në tabelat bashkangjitur shkrimit.

Afatet e aplikimit

“Aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë master me kohë të plotë për të gjitha kategoritë e kandidatëve do të zhvillohen pranë sekretarisë mësimore përkatëse të këtij fakulteti. Pranimi i kërkesave bëhet në datat 1-12 tetor.

Me përfundimin e aplikimeve, bëhet e ditur se në datat 22-29 tetor do të  shpallen dhe afishohen listat e aplikantëve fitues në mjediset e fakultetit, të ndara sipas programeve të studimit, si dhe të renditura sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara”, bëjnë me dije drejtuesit e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Kanë të drejtë të aplikojnë:

Sipas kushteve të përcaktuara, kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, si dhe studentët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të licencuar dhe akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë MASR/QSHA, brenda muajit dhjetor 2018.

Dosja e dokumenteve që duhet të dorëzoni:

Sikundër u theksua më lart, konkurimi do zhvillohet me anë të dosjes. Në këto kushte, kandidati paraqitet personalisht,  ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe dorëzon dokumentacionin e duhur. Në dosje duhet që të përfshijë diplomë ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë.

Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe Diploma e ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit e shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në vendin tonë.

Gjithashtu duhet të dorëzoni edhe diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të tyre të njësuara me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA).

Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, duhet të paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA).

Nëse kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA) ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.

Dokumente të tjera që duhen janë edhe formulari i aplikimit sipas formatit të përcaktuar, fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë, si dhe dy fotografi personale.

Dokumentet shtesë për shtetasit e huaj dhe kategoritë e veçanta

Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj përfshinë dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe.

Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël apo program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri. Shtetasit e huaj që aplikojnë, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe, përjashtohen nga tarifat e shkollimit në përputhje me marrëveshjet e lidhura. Duhet të dorëzoni edhe Curriculum Vitae, si dhe deklaratën me shkrim. Ndërsa dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta, duhet të përfshijë:

“Kandidati me statusin e personit me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror, si dhe kandidati nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim, ose një dokument që vërteton që është rom apo ballkano-egjiptian”.

Ankimimi dhe regjistrimi i fituesve

Sipas udhëzimeve, pas shpalljes së listës paraprake të fituesve, kandidatët kanë të drejtën e ankimit, brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. Fakulteti shprehet me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin brenda dy ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave. Pas kësaj procedure, fituesit do të mund të kryejnë procesin e regjistrimit për të marrë statusin e studentit të masterit. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues do të zhvillohet pranë sekretarisë mësimore në datën 30 tetor-6 nëntor.

Kuotat për programet “Master i shkencave”

Gjuhësi, me profil Gjuhësi e Sotme     25

Gjuhësi, me profil Gjuhësi e Historike 15

Studime Letrare, me profile teori letërsie dhe kritikë letrare, letërsi e përgjithshme dhe letërsi e krahasuar, si dhe studime letrare dhe antropologji kulturore       50

Histori  50

Marrëdhënie Ndërkombëtare   40

Trashëgimi Kulturore   25

Arkeologji        25

Gjeografi         50

Gazetari dhe Komunikim me profile: Marrëdhënie publike, gazetari evropiane dhe ndërkombëtare, komunikimi ndërkulturor, marketing mediatik, drejtim dhe menaxhimi i medieve  100

 

Kuotat për programet “Master profesional”

  • Mësuesi në Histori për arsimin e mesëm 170
  • Mësuesi në Gjeografi për arsimin e mesëm 170
  • Mësuesi në Gjuhë Letërsi për arsimin e mesëm 170
  • Arkivistikë 50
  • Redaktori 50
  • Guidë turistike 30
  • Sistemi i Informacionit Gjeografik të Aplikuar 25

 

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në “Master profesional” në Mësuesi

  • Kanë përparësi studentët të cilët kanë përfunduar studimet “Bachelor”, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë njëjta në universitete publike dhe private të akredituara.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universitete me programe të njëjta, ose të përafërta, të akredituara.
  • Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

 

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në “Master i shkencave”

  • Në përzgjedhje kanë përparësi studentët të cilët kanë përfunduar studimet “Bachelor”, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta të universiteteve publike të akredituara.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të përafërta të Universitetit të Tiranës.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta.
  • Studentë që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta apo të përafërta të Universiteteve private të akredituara.
  • Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.
  • Kandidatët duhet të kenë dhënë një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B!, sipas Vendimit nr.18, datë 13.07.2016, të Senatit Akademik të UT-së.

 

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në “Master profesional” për degët e tjera

  • Kanë përparësi: studentët të cilët kanë përfunduar studimet “bachelor, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, si dhe studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë njëjta në universitete publike dhe private të akredituara.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universitete me programe të njëjta ose të përafërta, të akredituara.
  • Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *