Pranvera Kola
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja zyrtare e aplikimeve për pranimet e reja në universitete, maturantët tashmë po njihen me procedurat se si do të plotësohet formulari A2, në të cilin duhet të listojnë dhjetë degët më të preferuara të universiteteve publike dhe private, ku duan të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2018-2019.
Të drejtën për të hyrë në garë për studimet e larta e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara, që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 6 e lart, duke përjashtuar në këtë rast degët e mësuesisë, për të cilat mesatarja e konkurrimit nis nga nota 7.
Me plotësimin e këtij kriteri, të gjithë maturantët mund të ndjekin 6 hapat në vijim për plotësimin e suksesshëm të formularit A2. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë manualin shpjegues se si duhet të aplikoni në portal.
Hapat për plotësimin e formularit A2
Edhe për garën e këtij viti, aplikimi do të zhvillohet online sipas një grafiku të përcaktuar për çdo rreth të vendit. Çdo kandidat duhet që të futet në portalin www.ualbania.arsimi.gov.al për të vijuar procesin e plotësimit të formularit, ku duhet të klikoni mbi butonin “aplikimi A2/A3”.
- Pasi të keni hyrë në këtë portal, hapi i parë që duhet të ndiqni është ai i identifikimit. Për t’u identifikuar duhet që të përdorni numrin personal dhe ID-në e maturës. Nga këtu do mund të bëni edhe ankimimin e notave. Kështu, ju duhet që të plotësoni me shumë kujdes ID-në tuaj të maturës dhe numrin personal të letërnjoftimit (ai që fillon dhe mbaron me shkronjë), për të kryer identifikimin. Konkretisht do të shfaqet një faqe, ku detajohen 3 seksione që janë: seksioni i informacioneve personale, seksioni i faturës, si dhe seksioni i aplikimit. Në seksionin e parë duhet që të shënoni me kujdes të dhënat tuaja, tek seksioni i faturës do mund të shkarkoni faturën për arkëtim, me të cilën do kryeni pagesën në bankë, dhe tek e fundit do të vijoni me aplikimin për preferencat.
- Pasi të keni hyrë në sistem duhet të vijoni me hapin e dytë, që ka të bëjë me printimin e faturës. Marrja e kësaj fature është vendimtare për të vijuar me tej me plotësimin e formularit A2. Duhet të ndiqni me kujdes të gjitha udhëzimet në lidhje me ruajtjen e kësaj fature.
- Hapi i tretë vijon me derdhjen e pagesës. Duke marrë këtë faturë ju duhet të shkoni në bankë, ose në një nga pikat e Postës për të shlyer pagesën përkatëse të plotësimit të preferencave, e cila për këtë vit është 2000 lekë. Në të kundërt nuk do mund që të vijoni më tej me aplikimin për studimet e larta. “Bëni kujdes, fatura përmban një kod 6-shifror unik (kodi i aplikimit), i cili gjenerohet për çdo faturë. Ky kod do ju duhet për të konfirmuar pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, dhe për të përfunduar plotësimin e preferencave. Duhet të dini se çdo herë që klikoni butonin “Printo një kopje të faturës”, do gjenerohet një kod i ri 6-shifror”, saktësohet në manualin shpjegues të zbardhur për maturantët që do të garojnë për studimet e larta gjatë këtij viti. Pasi të kryeni pagesën në pikat e përcaktuara, duhet që të ruani gjysmën e faturës, sepse do t’ju duhet për t’ia paraqitur mësuesit përgjegjës që do të merret me mbikëqyrjen e procesit të aplikimeve.
- Hapi i katërt vijon me konfirmimin e pagesës në sistem. Nëpërmjet faturës ju duhet të kërkoni nga mësuesi juaj që është mbikëqyrës i procesit që të konfirmojë në sistem pagesën e kryer në bankë. Për të bërë këtë, ju duhet t’i paraqisni atij gjysmën e faturës që keni ruajtur dhe mandatin e pagesës. “Duhet të bëni kujdes, pasi ju mund të konfirmoni pagesën vetëm nëpërmjet kodit të faturës me të cilën e keni kryer pagesën në bankë!”, bëjnë me dije ekspertët e arsimit.
- Pasi të jetë konfirmuar pagesa në sistem e cila konfirmohet me butonin “statusi juaj u bë aktiv”, ju mund të vijoni me plotësimin e formularit të preferencave. Duhet të klikoni mbi butonin e “statusit” për të plotësuar preferencat dhe do ju shfaqet faqja përkatëse. Në këtë faqe duhet që të lexoni me vëmendje kushtet e mesatares përpara se të vijoni me përzgjedhjen e degëve. Duke plotësuar kriterin e kërkuar të mesatares, në këtë formular ju keni të drejtë që të zgjidhni 10 degët se ku doni të aplikoni për studimet e larta. Pas vlerësimit të kritereve, ju do të shpalleni fitues vetëm në një prej tyre gjatë fazës së përzgjedhjes.
- Pasi të keni bërë zgjedhjen e duhur të degëve do të kryeni edhe veprimin e fundit që ka të bëjë me konfirmimin e aplikimit tuaj. Edhe në këtë fazë duhet që të bëni shumë kujdes. Në çdo rast duhet të bëni konfirmimin e formularit përmes kodit unik që ju keni në mandatin e pagesës tuaj. Këtë veprim duhet ta kryeni me vëmendje të plotë. Kjo sepse pas konfirmimit të aplikimit ju nuk keni më mundësi që të ndryshoni zgjedhjen e bërë të degëve me të cilat po garoni për vijimin e studimeve të larta në një nga universitetet publike dhe ato private përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019. “Për të përfunduar aplikimin, duhet të vendosni kodin e aplikimit që gjendet tek kopja juaj e faturës, me të cilën keni kryer konfirmimin. Pasi të vendosni kodin e aplikimit në fushën përkatëse, duhet të klikoni butonin “përfundo aplikimin”. Në fund ju shfaqet një buton në të cilin të printoni një kopje të formularit për ta ruajtur”, bëjnë me dije ekspertët e arsimit.

DITA
