Nëpërmjet një udhëzimi të miratuar së fundmi, dikasteri i Arsimit ka përcaktuar edhe rregullat që duhet të ndjekin maturantët e vitit 2012, të cilët duan të rikthehen në garë për të vijuar studimet e larta në një nga universitetet publike të vendit përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019.
“Kandidatët që në Maturën Shtetërore 2012 kanë zgjedhur për të dhënë tre provime me zgjedhje dhe kanë rezultuar mbetës në to, përgjatë këtij viti do të japin vetëm një lëndë si provim me zgjedhje nga lista zyrtare e 11 lëndëve të miratuara. Ndërsa në rastin kur rezultojnë kalues në një prej provimeve me zgjedhje të dhëna po gjatë atij viti, dhe nuk janë pajisur me diplomën, apo certifikatën e maturës, atëherë do të pajisen me diplomën”, detajohet në udhëzim. Çka do të thotë se këta maturantë nuk do të japin më provim me zgjedhje përgjatë këtij viti, por do të pajisen direkt me diplomën përkatëse, e cila më pas i lejon për të vijuar garën për studimet e larta sipas preferencave të tyre.
Po sipas udhëzimeve të MASR, kandidati që në maturën shtetërore 2012 ka dhëne 3 lëndë me zgjedhje dhe është shpallur kalues në dy prej tyre mbart vetëm njërën lëndë, përzgjedhja e të cilës bëhet sipas dëshirës së kandidatit. Edhe për kandidatët që në maturat 2012-2018 kanë dhenë 2 lënde me zgjedhje dhe janë shpallur kalues në njërën prej tyre mund ta mbartin atë.
Gjithashtu bëhet e ditur se kandidatët e viteve të shkuara që rikthehen në garë për studimet e larta nuk janë të detyruar që të japin provime të detyruara në rastin kur gjatë viteve të shkuara kanë rezultuar kalues në to. Kjo gjë konfirmohet gjatë plotësimit të formularit A1Z ku shënohen edhe tre lëndët e detyruara, përbri të cilave plotësohet nota e përshkallëzuar që kandidati ka fituar, ose që i njihet, apo i është konvertuar nga komisionet përkatëse, si lëndë D1, D2, apo D3. Sa i takon provimit të detyruar të gjuhës së huaj, autoritetet e arsimit konfirmojnë se kandidatët e maturave të para 2014 nuk kanë detyrim për të dhënë provimin D3
Dhënia e provimeve të maturës
Sipas kushteve të përcaktuara më herët në rregulloren e miratuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista e 11 lëndëve të miratuara për shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato artistike, teksa është detajuar edhe lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale.
Provimet e maturës i jep çdo kandidat që përfundon gjatë 2019-s vitin e fundit të shkollës së mesme dhe që ka plotësuar në afatet e përcaktuara formularin A1 dhe A1Z. Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Një tjetër ndryshim që do të pasojë maturën e këtij viti është edhe skema e vlerësimit me pikë të secilit provim. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.
Institucionet arsimore vendore që janë përgjegjëse për arsimin parauniversitar do të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor dhe brenda datës 5 qershor duhet që t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik “matura online”, sipas udhëzimit përkatës. Më pas drejtoritë e shkollave duhet të informojnë mbetësit që të mos paraqiten në ditët e përcaktuara për zhvillimin e provimeve.
Gjithashtu, është vendosur edhe për grafikun e konsultimeve që mësuesit e secilës lëndë duhet të zhvillojuni me nxënësit e tyre.Në udhëzim saktësohet se tërheqja e testeve të provimeve do të bëhet sipas një grafiku të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Përfaqësuesit e postës do të tërheqin materialet e provimit një ditë para datës së përcaktuara për secilën lëndë. Materialet paketohen për secilën qendër më vete.
Kushtet për provimin e gjuhës së huaj
Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës. Gjuha e huaj si provim i detyruar përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z.
Kandidatët e maturave 2014-2018 që kanë rezultuar mbetës në këtë provim, duhet që ta japin atë sërish. Ndërsa kandidatët e maturave para 2014 që aplikojnë me A1Z nuk do të rijpain më provimin e detyruar të gjuhës së huaj. Po sipas udhëzimit, testi i provimit gjuhë dhe letërsi italiane për seksionet 2-gjuheshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga dikasteri italian i arsimit, dhe provimi do të zhvillohet në datën 24 maj në ambientet e shkollave përkatëse. Testi i provimit të të detyruar të gjuhës frënge për seksionet 2-gjuheshe shqiptaro-frënge do hartohet nga Ambasada Franceze dhe provimi do të zhvillohet po në datën 24 maj.
p.k/DITA
