Gara për universitetin, si ndryshojnë pikët e fituesit të fundit të pranuar vjet në çdo degë

Ornela

Pranvera Kola

E ndërsa maturantët kanë nisur tashmë më vlerësimin e preferencave ku duan të vijojnë studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019, në ndihmë të tyre, ekspertët e portalit U-albania kanë detajuar edhe pikët e fituesit të fundit të pranuar gjatë raundit të parë të garës së vitit të shkuar.

Sipas tyre, për të zgjedhur degët ku kanë më shumë shanse për të qenë fitues, çdo maturant duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të verifikojë më parë kriterin e mesatares së shkollës së mesme dhe maturës shtetërore, si dhe ndikimin e mesatareve të lëndëve specifike që secili fakultet i ka përcaktuar si prioritet në përzgjedhje.

Aktualisht, të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend kanë aprovuar formulën se si do të bëhet përzgjedhja e fituesve të rinj që do të pranojnë në çdo degë. Për të bërë zgjedhjet e duhura, në vijim të shkrimit po detajojmë edhe pikët e fituesit të fundit të raundit të parë të pranuar gjatë vitit të shkruar në të gjitha programet e studimit të universiteteve publike dhe atyre private.

Krahas pikëve finale, për secilin kandidat gjeni të detajuar edhe mesataren e tre viteve të shkollës së mesme, mesataren e maturës, si dhe pozicionin ku është shpallur fitues. Duke pasur këto të dhëna, ju mund të vlerësoni vetë me kujdes se sa shanse keni për të qenë fitues në secilën prej këtyre degëve.

Sipas kritereve të përcaktuara, të drejtën për të hyrë në garë për studimet e larta gjatë këtij viti e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara, që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 6 e lart, duke përjashtuar në këtë rast degët e mësuesisë, për të cilat mesatarja e konkurrimit nis nga nota 7, si dhe ato të mjekësisë, për të cilat kërkohet mesatare nga nota 7.5 e lart.

Me plotësimin e këtij kriteri, të gjithë maturantët mund të ndjekin procedurat e miratuara të plotësimit të formularit A2, duke nisur nga data 30 korrik, e deri në përfundim të datës 4 gusht. Kandidati zgjedh deri në 10 preferenca studimi, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private.

Nëse nuk plotësohet kriteri i notës mesatare, ju mund të garoni vetëm për degët e karakterit profesional, për të cilat nuk kërkohet kriter i mesatares në konkurim. Pas mbylljes së aplikimeve, në varësi të kritereve të miratuara, universitetet do të përzgjedhin edhe kandidatët fitues sipas numrit të kuotave që do të pranojnë për secilin program.

Udhëzimi i miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë pak kohë më parë, saktëson se lista e parë e fituesve në universitete do të dalë në datën 28 gusht. Ndërsa regjistrimet për fituesit e raundit të parë do të bëhen në datat 30 gusht-12 shtator. Edhe për këtë vit regjistrimet e raundit të parë do të zhvillohen në 7 minifaza regjistrimesh 48-orëshe.

Që do të thotë se kur aplikanti është shpallur fitues dhe është shënuar me ngjyrën jeshile, ai duhet të shkojë pranë sekretarisë mësimore me dokumentacionin përkatës dhe të bëjë regjistrimin si fitues. Për të marrë statusin si student, ky kandidat duhet të respektojë afatin e regjistrimit prej 48 orësh. Nëse aplikanti nuk regjistrohet brenda këtij afati, ai e humbet të drejtën e regjistrimit në atë program ku është shpallur fitues.

Çka do të thotë se vija e kuqe e fituesve në raundin e parë do të spostohet 7 herë sipas numrit të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës minifazë regjistrimesh.

Në fund të përfundimit të kësaj faze 14 ditore regjistrimesh do të bëhen edhe verifikimet përkatëse në lidhje me numrin e kandidatëve të regjistruar në secilin program studimi të universiteteve publike, duke identifikuar kështu edhe vendet e mbetura bosh, kuota të cilat do të jenë pjesë e raundit të dytë të pranimeve që do të zhvillohet në mesin e muajit shtator.

Mund të garojnë për universitetin:

Sipas MASR, të drejtën e hyrjes në garë për studimet e larta gjatë këtij viti, e kanë të gjithë kandidatët që plotësojnë këto kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës të mbarimit të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria sipas profilit të degëve, si dhe që plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga vetë universitetet, si dhe nuk janë regjistruar në asnjë program tjetër studimi me përjashtim të nxënësve të shkëlqyer”.

Kliko KETU per tabelat

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *