Gara për vendet e lira të punës, nis konkurimi për infermierët

Ornela

Nis konkurimi për punësimet e reja në radhët e infermierëve. Të gjithë kandidatët e licencuar në këtë profil e që duan të sigurojnë një kontratë punë në strukturat mjekësore publike të të gjitha niveleve në vend, duhet të vijojnë me procedurat e konkurimit, që edhe kësaj here do të zhvillohen në dy faza. Faza e parë që përfshin konkurimin me dosje në afatet e përcaktuara tashmë, si dhe faza e dytë që do të jetë nëpërmjet testimit të informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka shpallur tashmë procedurat e aplikimit online që duhet të ndjekin të gjithë profesionistët e shkencave mjekësore teknike që garojnë për vendet e lira të punës në qendrat shëndetësore, poliklinikat apo strukturat spitalore publike. Kjo shpallje, gjithashtu bëhet edhe me qellim krijimin apo përditësimin e listës së pritjes sipas Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, si dhe për t’u dhënë mundësinë profesionistëve të rinj për t’u përfshirë në listën e pritjes.

Autoritetet e shëndetit sqarojnë se: “Fituesit që janë aktualisht në listëpritje do të vazhdojnë të punësohen sipas radhës deri në daljen e fituesve nga konkurimi i radhës. Kandidatët që do të mbeten në listëpritje do të ripozicionohen sipas pikëve që kanë. Por, gjithashtu ata mund të futen sërish në konkurim për të ndryshuar pikët e tyre, dhe në fund të konkurimit do ju njihen pikët që do kenë nga procesi aktual”.

Afatet e konkurimit me dosje

Në fazën e parë të konkurimit të gjithë profesionistët e shkencave mjekësore teknike duhet të bëjnë aplikimin online, si dhe të bëjnë gati dosjen e dokumenteve të përcaktuara, të cilën duhet ta dorëzoni pranë strukturave përgjegjëse deri në datën 21 shtator. Aplikimi do të kryhet në platformën online “Infermier për Shqipërinë” në adresën www.infermierepershqiperine.al . Ndërkohë që më tej një kopje të dokumenteve, kandidatët do ta dërgojnë me postë ose dorazi në Drejtorië Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ku kandidati zgjedh të aplikojë, adresat e të cilave i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Sikundër ka ndodhur edhe në fazat e mëparëshme, çdo kandidat mund të aplikojë vetem në një Drejtori Rajonale, brenda së cilës mund të përzgjedhë deri në tre vende të ndryshme pune në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor që mbulon drejtoria rajonale ku duan të aplikojnë.

Janë përcaktuar edhe dokumentet që duhet të përfshini në dosjen e konkurimit. Kështu, aplikimi do të konsiderohet i suksesshëm nëse në dosje do të paraqisni kërkesën për aplikim, ku përcaktoni dhe njësinë vendore të kujdesit shëndetësor për të cilën do të aplikoni, Curriculum Vitae sipas modelit të përcaktuar, fotokopjet e diplomave dhe listave të notave për çdo diplomë, fotokopje të lejes së ushtrimit të profesionit, kopje të librezës së punës për ata që kanë qenë më parë në marrëdhënie pune, vërtetim për gjendjen gjyqësore (e detyrueshme në momentin e fillimit të detyrës). Në dosje duhet të përfshini edhe një raport mjeko-ligjor të tre muajve të fundit, si dhe deklaratën nga kandidati për autorizimin e institucionit shëndetësor që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura.

Testimi i informatizuar

Pas mbylljes së aplikimeve një komision ekspertësh do të shqyrtojë dosjen e dorëzuar nga çdo kandidat në garë, dhe pas vlerësimit të tyre, do të shpallë listën zyrtare të personave që do të kualifikohen për të vijuar më tej me fazën e dytë të konkurimit që është testimi i informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit.

Konkretisht testimi i Informatizuar do të përmbajë pyetje rreth njohjes së akteve ligjore që veprojnë në këtë profil, duke përfshirë këtu: Kodin Etik-Deontologjik, njohjen e Ligjit nr.10 107, datë 30.3.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe ligjit nr.9718, datë 19.4.2007 “Për Urdhërin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë”si dhe pyetje  bazë  rreth profesionit.

“Duke filluar nga data 28.09. 2021, Drejtoria Qendrore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor do të shpallë në portalin “Infermier për Shqipërinë”, listën e kandidatëve qëkualifikohen për vazhdimin e procedurës së testimit me shkrim, si dhe datën, orën e saktë ku do të zhvillohet testimi me shkrim, në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve të Arsimit”, bëjnë me dije autoritetet që administrojnë portalin e aplikimit online.

Vlerësimi final i çdo kandidati

Vlerësimi i çdo kandidati përfshin pikët e fituara në fazën e parë të konkurimit me dosje, si dhe pikët e siguruara nga testimi i informatizuar. Sipas skemës së përcaktuar më herët, vlerësimi i dosjes së kandidatëve konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, të lidhura me fushën e studimit të kryer dhe punës në këtë profil. Në këtë fazë ju mund të grumbulloni  deri në 30 pikë. Ndërsa në fazën e dytë “Testimi i informatizuar”, ku do të marrin pjesë kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, ju mund të siguroni deri në 70 pikë. Pas mbledhjes së këtyre pikëve, kandidatët që kanë nivelin më të lartë të pikëve do të ftohen të parët për të zgjedhur vendet e punës sipas preferencave. Referuar të dhënave të deklaruara nga konkurimet e zhvilluara më herët, që nga viti 2019 kur nisi edhe aplikimi për punësimet e reja në këtë portal online, 2897 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë punësuar në strukturat mjekësore publike të të gjitha niveleve në vendin tonë.

Dosja e dokumenteve të aplikimit duhet të përfshijë:

  • Kërkesë për aplikim, ku përcakton dhe Njësinë vendore të kujdesit shëndetësor për të cilën aplikoni.
  • Curriculum Vitae sipas modelit të përcaktuar.
  • Fotokopje të diplomave dhe listave të notave për çdo diplomë (e detyrueshme).
  • Fotokopje e lejes së ushtrimit tëprofesionit (e detyrueshme).
  • Fotokopje e librezës së punës (nëse ka).
  • Vërtetim për gjendjen gjyqësore (e detyrueshme në momentin e fillimit të detyrës).
  • Raporti mjeko-ligjor i tre muajve të fundit (i detyrueshëm në momentin e fillimit të detyrës).
  • Deklaratë nga kandidati për autorizimin e institucionit shëndetësor që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura (sipas formatit të përcaktuar).

 

Adresat e katër drejtorive Rajonale ku duhet të dërgoni dokumentet e aplikimit:

  • Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Vlorë: Lagjia “15 Tetori”, Rruga “Mitaq Sallata”.
  • Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër: Rruga “Bujar Bishanaku”.
  • Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë: Rruga “Qamil Guranjaku”.
  • Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Elbasan: Lagjia “Beqir Dardha”, Rruga “28 Nentori”.
Share This Article
1 Comment
  • kete vit ka cmime
    kush fiton post infermiere i garantohet nje sanitare falas me emrin Tire si ndermjetes per pazaret me pacientet qe duhet ti sherbeje

    shteti merr persiper mos publikoje allishverishet tuaja me Tiren dhe pacientin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *