Gara tek Artet, datat kur do të zhvillohen konkurset e pranimit

Ornela

Pranvera Kola 

Konkurset e pranimit për të gjitha programet e studimit në fakultetet që janë pjesë e Universitetit të Arteve në kryeqytet do të zhvillohen në dhjetëditëshin e tretë të muajit gusht. Në urdhrin e miratuar dje nga Rektorati i Universitetit të Arteve përcaktohet se maturantët dhe kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet e shkuara dhe që duan të rikthehen në garë për universitetin gjatë këtij viti, për të studiuar në degët e Arteve do t’u nënshtrohen konkurseve të pranimit që do të zhvillohen ndërmjet datave 23-26 gusht. Urdhri gjithashtu detajon edhe kushtet se si do të zhvillohet gara për kuotat e reja të 2021 në të gjitha programet e studimit të Fakultetit të Muzikës, Fakultetit të Arteve të Bukura, si dhe Fakultetit të Artit Skenik që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë publik në vend.

Dy kushtet për maturantët

Dy janë kushtet që duhet të përmbushin kandidatët për të garuar në degët e këtyre tre fakulteteve për pranimet e vitit të ri akademik 2021-2022. Së pari maturantët dhe kandidatët e tjerë duhet që të përzgjedhin programet e studimit të këtij universiteti gjatë plotësimit të formularit A2 në datat e përcaktuara nga strukturat e arsimit. Ndërsa kushti i dytë është regjistrimi që duhet të bëni pranë fakulteteve për të bërë të mundur pjesëmarrjen në testet praktike.

Afatet dhe dokumentet që duhen për regjistrim

Sa i takon regjistrimit për në konkurs, ekspertët e këtij Universiteti sqarojnë se çdo kandidat duhet të paraqitet pranë sekretarive mësimore të fakulteteve duke nisur nga data 19 gusht për të bërë regjistrimin me dokumentet e kërkuara. Konkurentët mund të regjistrohen deri në datën dhe orën e përcaktuar nga secili fakultet. Dokumentacioni që duhet të paraqisni për t’u regjistruar përfshin: Mandatin e pagesës ku konfirmohet shlyerja e tarifës së konkurimit, si dhe një kopje e kartës së identitetit ose pasaportës. Regjistrimi pranë sekretarive mund të bëhet nga vetë konkurenti, ose nga një person i autorizuar prej tij me një prokurë të posaçme. Kanë të drejtë të regjistrohen për në konkurset e pranimit të ciklit të parë “Bachelor”, vetëm kandidatët që janë pjesë e listës së shkakakuar nga porali “U-Albania”, pasi të përfundojnë aplikimet për raundin e parë të pranimeve në universitete.

Programet e studimit

Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, edhe për pranimet e vitit të ri akademik 2021-2022, maturantët do të mund të garojnë për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të larta në një nga 32 programet që ofrojnë tre fakultetet e këtij universiteti. Fakulteti i Arteve të Bukura në ciklin e parë të studimeve ofron 7 programe, që janë: Pikturë grafikë, Pikturë tekstil dhe modë, Pikturë multimedia, Pikturë kavaleti, Pikturë monumentale, Skulpturë, si dhe Skulpturë qeramikë. Në Fakultetin e Artit Skenik në ciklin e parë të studimeve do konkurohet në 5 programe studimi, Regji filmi dhe Tv, Regji, Aktrim, Koreografi, si dhe skenografi-kostumografi. Ndërsa në Fakultetin e Muzikës në ciklin e parë të studimeve “Bachelor” do konkurohet në këto 20 programe: Muzikologji, Kompozicion, Dirizhim, Piano, Violinë, Violonçel, Violë, Kitarë, Kontrabas, Flaut, Oboe, Klarinetë, Fagot, Korno, Trombë, Trombon, Bas-tubë, Kanto, Pedagogji muzikore, si dhe fizarmonikë klasike. Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për testet individuale që do të zhvillojnë gjatë konkurseve të pranimit, në faqen online të secilit fakultet janë shpallur tashmë rregulloret dhe temat mbi të cilat duhet të mbështeteni në fazën përgatitore.

Përzgjedhja e fituesve të rinj

Sipas kushteve të përcaktuara, pranimet në të gjitha programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” me kohë të plotë në Universitetin e Arteve, për vitin akademik 2021-2022,do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe rezultateve të fituara në konkursin e pranimit, të organizuar nga secili prej tre fakulteteve që janë pjesë e këtij universiteti. Kështu, në zbatim të urdhrit të Senatit Akademik të Universitetit të Arteve, pikët maksimale për konkurim janë 200. Sipas skemës së përcaktuar, 30 për qind e totalit ose 60 pikë i takojnë notës mesatare të viteve të studimit të shkollës së mesme dhe provimeve të maturës shtetërore, ndërsa 70 për qind ose 140 pikë i takojnë rezultateve të konkurseve të pranimit.

 Degët për të cilat mund të konkurroni në Universitetin e Arteve:

  • Bastubë · Dirizhim
  • Fagot · Fizarmonikë Klasike
  • Flaut · Kanto
  • Kitarë · Klarinetë
  • Kompozicion · Kontrabas
  • Korno · Muzikologji
  • Oboe · Pedagogji Muzikore
  • Piano · Trombë
  • Trombon · Violë
  • Violinë · Violonçel
  • Aktrim · Koreografi
  • Regji · Regji Filmi TV
  • Skenografi –Kostumografi · Pikturë Grafikë
  • Pikturë tekstil dhe modë · Pikturë multimedia
  • Pikturë kavaleti · Pikturë monumentale
  • Skulpturë · Skulpturë qeramikë

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Ne Vjesht shperthen ajo ndjenje duke na ber te rrethohemi ,
    me Suprizat / Emocionet / Caste te paharruara te jetes .
    Duket sikur po rilind perseri ai pasion i dikurshem i shqiptareve eshte kthyer perseri ne jeten e tyre ,
    mbas 30-Vjetesh maskarade e degradim te Artit e Kultures
    ne Shqiperi ,
    rrezikuar akoma sot nga vullgariteti i cfrenuar i Politikaneve i cili ne bashkpunim edhe me medie TV perben nji fytyre mjaft agresive vs shoqerise shqiptare ,

    qe mesa duket po reagon si duhet .

    Fotua e ilustruar me kujton mesuesen e muzikes .
    Gjithmone me ato syze te medha ,dhe veshur bukur me mjaft gusto …

    Studime te mbara te apasionuarve mbas artit muzikes
    Jeta eshte e bukur kur jeton Emocione

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *