Pranvera Kola
Pikët e konkursit praktik që do të zhvillohet në muajin gusht, si dhe mesatarja e Maturës Shtetërore, janë dy kriteret vendimtare për renditjen e fituesve të rinj që do të mund të vijojnë studimet e nivelit të parë “Bachelor” në dy fakultetet e Universitetit të Sporteve për vitin akademik 2020-2021. Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë kanë shpallur afatet konkrete dhe procedurat që duhet të ndjekin të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që duan të vijojnë studimet e larta në një nga programet e këtij profili. Ndryshe nga sa ndodh me universitetet e tjera, mesatarja e shkollës së mesme nuk është kriter për të aplikuar në degët e Universitetit të Sporteve. Në vendimin e miratuar dy ditë më parë, Rektorati i këtij universiteti ka përcaktuar edhe vlerësimin me pikë që do të marrë për mesataren e Maturës Shtetërore çdo kandidat që përfshihet në garë për kuotat e reja të pranimeve të 2020-s. Skemën e pikëve të vlerësimit të mesatares e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit
Kushti për të hyrë në konkurs!
Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, në testimet praktike do të mund të hyjnë vetëm kandidatët që në formularin e preferencave kanë listuar degët e këtij institucioni të arsimit të lartë. Kështu, gjatë plotësimit të formularit A2 duhet të rendisni me patjetër degët e këtij universiteti. Në përfundim të përzgjedhjes së preferencave Qendra e Shërbimeve të Arsimit, do të zbardhë listën e të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar për degët e Universitetit të Sporteve, të cilët do të vijojnë më pas procedurat e regjistrimit për të hyrë në konkurset praktike sipas datave të miratuara për secilin fakultet.
Datat kur do të zhvillohen regjistrimet
Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, është vendosur që regjistrimet për kandidatët që duan të jenë pjesë e konkurseve tek Sportet, të zhvillohen për disa ditë me radhë. Konkretisht, datat e regjistrimit të aplikantëve për konkursin e pranimeve për vitin akademik 2020-2021 janë përcaktuar sipas qarqeve. Kandidatët e qarkut të Kukësit, Shkodrës, Lezhës, Dibrës, dhe Gjirokastrës do të mund të regjistrohen në datat 11 dhe 12 gusht. Në datën 13 gusht do të bëhet regjistrimi për kandidatët e Qarkut të Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Korçës, Fierit dhe Beratit, teksa në datat 14, 17, dhe 18 gusht do të mund të bëjnë regjistrimin kandidatët e qarkut të Tiranës. Regjistrimet do të bëhen pranë zyrave të përcaktuara të këtij universiteti. Dokumentet që duhet të ketë me vete çdo kandidat që do të bëjë regjistrimin për të hyrë në konkurs, janë: fotokopje e kartës së identitetit, dy fotografi, mandat pagesa e tarifës së konkurimit, si dhe kartela mjekësore. Kjo kartelë duhet të ketë në përmbajtje të konfirmuara nëpërmjet vulave përkatëse kontrollet mjekësore që kandidati duhet të ketë kryer tek mjeku kardiolog, ai okulist, tek radiologu, ORL, grupin e analizave të kërkuara, si dhe vlerësimin final që tregon se maturanti është i aftë për të vijuar konkurrimin dhe studimet në degët e Universitetit të Sporteve. Para se të bëjnë pagesën për aplikim kandidatët duhet që të verifikojnë me kujdes listat e shpallura nga Universiteti I Sporteve.
Datat kur do zhvillohen konkurset
Sa i takon testeve praktike, bëhet e ditur se gjithashtu do të zhvillohen në ditë të ndryshme për secilin fakultet. Sipas vendimit të marrë nga Rektorati, kandidatët që do të konkurojnë për programet e Fakultetit të Veprimtarisë Fizike të Shëndetit dhe Rekreacionit do të zhvillojnë testet praktike në datat 21, 22 dhe 23 gusht. Ndërsa maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të aplikojnë për programet e Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes, testet praktike do t’i zhvillojnë në datat 24 deri në 27 gusht. Gjatë konkursit, maturantët duhet të kalojnë dy teste praktike që kanë të bëjnë me kërcim për së gjati, ku kandidatit i lejohet që të kryejë dy prova dhe nga këto dy prova mund të zgjedhë rezultatin më të mirë. Ndërsa testi i llojit të dytë është testi cirkuit, ku kandidatit i lejohet të kryejë vetëm një provë, çka do të thotë se është pa të drejtë përsëritjeje. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve me fazën përgatitore, autoritetet e këtij universiteti bëjnë me dije se të dhënat për rregulloren e konkursit, testeve praktike, kartelës mjekësore dhe fatura e tarifës konkurimit tashmë gjenden të detajuara online në faqen zyrtare të këtij institucioni të arsimit të lartë publik në kryeqytet.
Pikët e mesatares së Maturës dhe Konkursit
Sipas skemës së përcaktuar, pikët e konkursit vlerësohen me 70 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve, ndërsa ato të mesatares së Maturës Shtetërore vlerësohen me 30 për qind të ndikimit në përzgjedhjen e fituesve. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe skemën konkrete të pikëve që do të fitojë secili kandidat nëpërmjet mesatares së Maturës Shtetërore, e cila nis nga nota 5 dhe më lart. Klasifikimi i kandidatëve bëhet bazuar në sasinë e pikëve totale te grumbulluara nga të dy komponentët, të vendosur në rendin zbritës. Fitojnë kandidatët me numrin më të madh të pikëve të grumbulluara, sipas numrit të kuotave të miratuara për secilin program studimesh.
SKEMA SI DO TË VLERËSOHET ME PIKË MESATARJA E MATURËS SHTETËRORE

