Nëna e Ida Dervishit, gruas që u vra nga bashkëshorti oficer i Gardës, tregon se krimi në familje ka qenë i paralajmëruar. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Feride Spahiu tregon të gjitha momentet e dhunës ekstreme që vajza e saj Ida përjetonte vazhdimisht nga i shoqi.
“Ishte krim i paralajmëruar. Dhe jo një herë, por disa herë, e askush nuk e mori mundimin ta parandalonte këtë që ndodhi, e të shpëtonte vajzën time nga ai njeri. E kam marrë vesh nga televizori, duke parë lajmet në mëngjes. Por unë e mora vesh sikur ajo ishte plagosur dhe ishte jashtë rrezikut për jetën”, thotë ajo, duke shtuar se ishte diçka që e priste.
“Sapo kam parë këtë lajm, kam marrë taksi dhe jam nisur për te shtëpia e vajzës që të merrja fëmijët. Gjithnjë me shpresën se ajo ishte gjallë. Thosha vazhdimisht me vete që ime bijë eshtë e re dhe do të shpëtojë. Do t’ia hedhë edhe kësaj here”, thotë ajo.
Mes lotësh nëna tregon se ai e ka vrarë vajzën me gjakftohtësi, ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe herë të tjera. Sipas saj, e bija kërcënohej cdo natë. “Sa herë ia jepte truri. Atë dhe djalin e vogël. Asaj i thoshte: “Do të vdesësh e re, moj qyqe”. Ndërsa të birit, vetëm 5 vjeç, i thoshte: “Mami do të vdesë shumë shpejt. Ty do të të rrisë një mami tjetër”.