Gareth Bale është njeriu i momentit te Real Madrid, pas golit kundër Barcelonës, i cili i dha trofeun e parë të sezonit skuadrës së tij. Tani uellsiani 24-vjeçar pret me padurim ndeshjen kundër Bajernit, në gjysmëfinalen e Champions League. “Gjithmonë e kam ndjekur Realin dhe arsyeja pse erdha këtu ishte që të fitoja trofe. Kjo më bën shumë të lumtur. Gjëja më e rëndësishme është që të qëndrojmë me këmbë në tokë. Bajerni është një skuadër e madhe dhe ne duhet ta marrim çdo ndeshje një e nga një”, tha Bale. Me golin e shënuar në “Mestalla”, Bale i bindi të gjithë ata që vinin në dyshim nëse vlente 100 milionë euro, shifra që Reali pagoi për ta blerë nga Totenhami, ndonëse vetë lojtari thotë se nuk është shqetësuar shumë nga pikëpyetjet e ngritura rreth tij: “Me të vërtetë që nuk shqetësohem nga ato që thonë njerëzit. Për mua është e rëndësishme të përqendrohem në lojën time dhe të evitoj presionin”.
