E ardhmja e Shkëlzen Gashit vazhdon të mbetet ende në pikëpyetje, me mediat në Shqipëri e Itali që e japin futbollistin drejt një transfermi në Serie A, te Torino apo Sampdoria dhe ato zvicerane që ngrejnë hipotezën e një transferimi të mundshëm drejt SH.B.A. apo Kinës.
Sipas të përditshmes Blick, sulmuesi i Kombëtares pritet të transferohet përtej kontinentit të vjetër. 27 vjecari, 2 herë golashënuesi më i mirë i ekipit zviceran, këtë vit është lënë në stol nga trajneri i ri Fischer, marrdhëniet me të cilin kanë qenë shpesh të tendosura dhe largimi i tij këto ditë nga kampionët helvetë duket i sigurtë.
Blick bën të ditur se futbollisti nuk ka qenë i pranishëm me skuadrën në ndeshjen miqësore që Baseli luajti me Austrainë e Vjenës dhe arsyeja kryesore ka qenë një udhëtim i tij jashtë vendit për të mbyllur një transferim të mundshëm në këtë merkato janari. Sipas të përditshmes zvicerane, me shumë gjasa zgjedhja e Gashit do të jetë futbolli amerikan, duke qenë se në të luajnë dhe disa futbollistë zviceranë si Winter dhe Barnetta.
Ndërkohë që në Shqipëri janë të sigurtë se Gashi do të transferohet në Serie A dhe emrat e përmendur janë Torino dhe Sampdoria. Në një intervistë të dhënë këtë të premte për Sport News, trajneri kombëtares Gianni De Biasi bëri të ditur se Gashi mund të zyrtarizojë skuadrën e tij të re këto ditë duke dhënë përshtypjen se është në dijeni të bisedimeve që po bën futbollisti.
Fakti që një prej emrave të lakuar është skuadra e Torinos të bëjnë të mendosh se trajneri kombëtares mund të ketë shfrytëzuar miqësinë e tij me presidentin e klubit piemontez Urbano Cairo për ta bindur këtë të fundit që të marrë në skuadër Shkëlzen Gashin, që padyshim do të preferonte Serie A në vend të SH.B.A. sic raportojnë mediat zvicerane.
