Përdorimi për një kohë të gjatë i medikamenteve të ndryshme, niveli i lartë i stresit gjatë përditshmërisë, infeksionet, dhe teprimi me gotat e alkoolit, si dhe kequshqyerja, janë përgjegjësit kryesore të kompplikacioneve që shfaqen në stomak, e veçanërisht sëmundjes që njihet si gastriti kronik. Mbajtja nën kontroll e shkaktarëve konsiderohet nga bluzat e bardha si një ndër format më të mira të parandalimit të komplikacioneve që mund të vijnë nga gastriti kronik. Për lexuesit e gazetës “Dita”, mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon se nëse arrijmë të pengojmë shkaktarët e sëmundjes, mund të kemi një ecuri të mirë të trajtimit të gastrit. Në këto kushte nëse si shkaktar i gastritit është përdorimi i tepruar i alkoolit, ndalimi i konsumit të alkoolit shmang edhe pasojat e gastritit. Mund të jetë më vështirë të parandalohen disa shkaqe infektive, por një higjienë e rreptë personale, me larjen e shpeshtë të duarve, konsumimin e ushqimeve dhe pijeve të pastruara në mënyrë rigoroze ndihmojnë në uljen e riskut për t’u infektuar prej agjenteve që shkaktojnë gastritin. Sëmundja mund të nisë në faza të lehta, e nëse neglizhohet trajtimi ndërlikimet që vijnë prej saj janë të rënda.
Çfarë duhet të kuptojmë me sëmundjen e gastritit kronik?
Fillimisht do ndalemi në një informacion të përgjithshëm për ndërtimin e stomakut. Stomaku është një organ që qëndron midis ezofagut dhe duodenumit (pjesa e parë e zorrëve të holla). Ai vendoset në pjesën e sipërme të zgavrës e barkut, në të majtë. Stomaku qëndron pas diafragmës dhe po pas tij vendoset pankreasi. Në fillim dhe në fund të stomakut vendosen dy valvula, të cilat bëjnë ndarjen nga ezeofagu (valvula e sipërme) dhe zorrët e holla (valvula e poshtme). Stomaku është një organ muskular, i cili në gjendje të zbrazët dhe të relaksuar ka një vëllim prej 45 deri më 75 mililitër. Duke qenë se ai është një organ i zgjerueshëm, kapaciteti maksimal i tij tek të rriturit shkon deri në një vëllim prej një litri. Ndërsa, kapaciteti i një fëmije të porsalindur shkon deri në 30 mililitër. Ushqimi, pasi përtypet në gojë përmes ezofagut zbret në stomak. Atje çlirohen enzimat tretëse dhe acidi klorhidrik, të cilët së bashku edhe me tkurrjen e muskujve të stomakut sigurojnë përpunimin e mëtejshëm dhe tretjen e ushqimit. Në varësi të llojit të ushqimit, procesi i tretjes në stomak mund të shkojë nga dyzetë minuta deri, në disa orë. Pas procesit të parë të tretjes ushqimi zbret në zorrët e holla ku bëhet dhe thithja më e madhe e lëndëve ushqyese nëpërmjet enëve të shumta të gjakut. Ushqimi vazhdon më tej në zorrën e trashë, ku bëhet dhe thithja përfundimtare e lëngjeve dhe eliminimi i masës së panevojshme në formën e jashtëqitjes. Gastriti kronik përfshin ënjtjen (edemën) ose infeksionin (inflamacionin) e mukozës së stomakut (pjesa e brendshme e muskulaturës së stomakut). Gastriti kronik mund të jetë pa dhimbje ose me ngacmime të lehta e të vazhdueshme të stomakut. Kjo ndodh për një kohë të gjatë e të vazhdueshme, në dallim nga gastriti akut, i cili vjen në mënyrë të menjëhershme dhe të papritur. Në disa raste, gastriti kronik është i lidhur me ulcerat e stomakut dhe mund të rrisë kështu rrezikun për kancerin në stomak.
Cilët janë shkaktarët e gastritit kronik?
Si shkaktarët më të shpeshtë renditen barna të caktuara, të cilat përdoren për periudha të gjata kohore (aspirina dhe ibuprofeni), konsumimi i tepërt i alkoolit, bakteriet që shkaktojnë ulcerat në stomak (H. Pylori), infeksione të ndryshme virale në një sistem të dobët imunitar, stresi i vazhdueshëm dhe intensiv. Rreziku për gastrit kronik rritet në qoftë se ka çrregullime në mënyrën e jetesës dhe në mënyrën e ushqyerjes. Më të prirur për të zhvilluar këtë sëmundje janë personat që konsumojnë ushqime të yndyrshme, vajore, ata që konsumojnë shumë kafe, alkool, si edhe fruta të tipit të agrumeve (portokalle, limona, mandarina, kivi, etj). Personat që vuajnë nga sëmundja “Crohn”, janë gjithashtu të rrezikuar, si dhe ata që kanë kaluar përvoja traumatike dhe tepër stresante në jetën e tyre.
Me çfarë simptomash shoqërohet gastriti. A ndodh që këto shenja të neglizhohen nga pacientët?
Siç e thashë edhe më lart, në fillimet e veta, gastriti kronik mund të mos ketë shenja të qarta klinike ose mund të ketë shenja tepër të lehta, të cilat shpesh anashkalohen. Me përparimin e sëmundjes shenjat më të zakonshme janë: dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, të përziera ose të vjella, gromësira, ndjenja e djegësirës dhe e thartirës në bark, humbje e oreksit ose humbje peshe dhe në rastet ekstreme mund të kemi gjakderdhje në stomak (që mund të vihet re me të vjellat ose defekimin me ngjyrë të zezë).
Kur flitet për rastet më ekstreme të sëmundjes, dhe si duhet të veprojmë?
Pikërisht këto raste të përmendura pak më lart përbëjnë edhe urgjenca mjekësore, të cilat nuk duhen neglizhuar. Pacienti që ka dhimbje të vazhdueshme në regjionin e stomakut, vjell gjak ose defekon me ngjyrë të zezë duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku. Këta pacientë mund të kenë edhe anemi, e cila karakterizohet nga dobësia e përgjithshme, pafuqia, zbehja e lëkurës dhe mungesa e oreksit. Asnjëherë mos ngurroni të paraqiteni te mjeku juaj i familjes për të marrë ndihmën e duhur.
Si trajtohet kjo sëmundje?
Sigurisht që sa më herët të paraqiteni te mjeku, aq më e mirë do të jetë dhe ecuria e kësaj sëmundjeje, e cila shpesh neglizhohet nga vetë pacientët. Mjeku përkatës do të përshkruajë preparate, të cilat reduktojnë mjedisin acid në stomak. Me mjekun do të konsultohen edhe terapitë që mund të merrni për sëmundje të tjera dhe që mund të jenë shkaktarët e gastritit. Detyrë e çdo pacienti është që përveç zbatimit me përpikmëri të recetës së mjekut, të ketë një kujdes të madh me dietën e përdorur. Ushqimet që duhet shmangur në rastin e gastritit kronik përfshijnë: Ushqimet e skuqura në përgjithësi e në veçanti, patatet ose perimet e skuqura në vaj, lëngjet e gatshme të frutave, agrumet (mollë, portokalle, mandarina, kivi), kafja, çokollatat, coca-cola, alkooli. Ndër ushqimet e rekomanduara në këto raste do të përmendja të gjitha perimet e ziera ose të pjekura, frutat me përjashtim të agrumeve, makarona dhe oriz me pak ose aspak yndyrë. Pra në përgjithësi rekomandohet që të ndiqet një dietë ushqimore e varfër në yndyra, pasi vetëm në këtë formë tretja e tyre do të jetë më e lehtë dhe nuk do të përballemi me komplikacionet e shkaktuara nga gastriti.
Cila është ecuria e sëmundjes?
Sekreti i një ecurie të mirë qëndron në dietën e ekuilibruar sipas këshillave të mësipërme, në kufizimin e alkoolit dhe një jetë aktive me sa më shumë aktivitete fizike, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në pakësimin e stresit të përditshëm, i cili renditët ndër shkaktarët kryesorë të gastritit kronik.

Pershendetje, kam gastrit kronik ,perseritur MBAs 15 Viet, me djeg , dhimbje te lehta, rendohet, gromsina, pa gjumesi, shenja keto vetem gjate nates, cf are medikamentesh mund te perdor, faleminderit