Licenca për ushtrimin e profesionit të mësuesit do të ketë në përmbajtje edhe notën me të cilën është vlerësuar kandidati në provimin e shtetit. Në mungesë të një urdhri profesional për arsimtarët, kompetencat e lëshimit të licencës i janë ngarkuar Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit për grupin e profesioneve të rregulluara të mësuesit në AKP, kandidatit i jepet licenca për ushtrimin e profesionit sipas profilit përkatës ku dhe është diplomuar. Krahas ndjekjes së studimeve të nivelit master, kandidatët që duan të ushtrojnë këtë profesion duhet të përmbushin edhe detyrimet e kryerjes së praktikës profesionale, si dhe të kalojnë në provimin e shtetit, në të cilin kanë të drejtë të marrin pjesë deri në 5 herë. Nëse dështon edhe në provën e pestë, kandidati i diplomuar në mësuesi duhet të heqë dorë nga profesioni.
Bashkangjitur shkrimit gjendet edhe modeli zyrtar i përcaktuar për licencat e reja në mësuesi. Licenca ka në përmbajtje: “Emërtimin e titullit profesional, gjeneralitetet e kandidatit, bazën ligjore ku mbështetet dhënia e këtij dokumenti, të dhënat për përfundimin e studimeve të ciklit të dytë në fushën përkatëse, datën e kryerjes së provimit të shtetit për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit, vlerësimin me notë, të marrë në përfundim të provimit, datën e lëshimit të licencës për ushtrimin e profesionit, si dhe numrin e licencës për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit”. Sipas përcaktimeve të bëra nga autoritetet e arsimit, dokumenti i licencës për ushtrimin e profesionit të mësuesisë përmban një numër unik për çdo kandidat, i cili përbëhet nga dhjetë shifra.
Dy shifrat e para tregojnë vitin e dhënies së provimit, dy shifrat e dyta kodin e profilit dhe gjashtë shifrat e mbetura numrin individual të kandidatit. Do të jetë pikërisht Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucioni që do të përgatisë licencën për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit sipas profileve përkatëse, me elemente të veçanta sigurie, ndërkohë që më pas të dhënat e kandidatëve plotësohen nga drejtoritë arsimore rajonale.
Referuar afateve të përcaktuara, kandidati ka të drejt të marrë në dorëzim këtë dokument brenda 45 ditëve që nga momenti i dhënies së provimit të shtetit, ku dhe ka rezultuar kalues. Një kopje e licencës ruhet në arkivin e agjencisë së provimeve. Agjencia Kombëtare e Provimeve do të hedhë në një regjistër kombëtar të dhënat e plota për pjesëmarrjen e kandidatëve në provimin e shtetit dhe për licencat, duke filluar që nga viti që provimi i shtetit është dhënë për herë të parë.
Licenca do shpërndahet edhe për kandidatët që i janë nënshtruar provimit të shtetit gjatë dy viteve të shkuara, që nuk janë pajisur ende me licencë. Konkretisht bëhet fjalë për kandidatët pjesëmarrës dhe fitues në sezonet e provimit të shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit, dhjetor 2013 dhe korrik 2014. Në nisje të vitit të ri mësimor, të gjithë mësuesit e rinj që janë pajisur me këto licenca mund të konkurrojnë pranë institucioneve shkollore për të fituar një kontratë punësimi sipas profileve të kërkuara.
Përzgjedhja e mësuesve për vendet e lira do përcaktohet nga konkurrimi me anë të dosjes, si dhe praktikave konkrete mbi modelet e zhvillimit të orës mësimore. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e mëparëshme, për të dhënë mësim në arsimin parauniversitar, duke filluar që nga klasat e parashkollorit mësuesit duhet të kenë mbaruar studimet edhe studimet universitare të ciklit të dytë.
Ndryshimet në programet e mësuesisë, kreditet sipas cikleve të studimit
Reforma e arsimit të lartë do të prekë edhe organizimin e programeve të mësuesi. Në projektligjin e kaluar tashmë në qeveri, komisioni i reformës ka parashikuar një sërë ndryshimesh për kandidatët që do të kërkojnë vijimin e studimeve të larta në programet e mësuesisë. Programet e studimit në fushën e mësuesisë për arsim parashkollor dhe arsim fillor do organizohen në dy cikle, ku përfshihen studimet e nivelit të parë “Bachelor”, në varësi të drejtimit të zgjedhur si mësues të arsimit parashkollor ose fillor, i cili formon ndihmës- mësues, si dhe studime në nivelin e dytë “Master profesional” me 60 kredite. Ndërsa program i ciklit të dytë “Master shkencor me 120 kredite, do të shërbejë për formimin e mësuesve që do të japin mësim në arsimin fillor. Programet e studimit në fushën e mësuesisë të arsimit të mesëm të ulët dhe gjimnazit, do të organizohen si programe të ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave në mësuesi”, në fushën e formimit të shkencës përkatëse, që do të vlerësohen me 120 kredite. Pas ndjekjes së këtij cikli studimesh, si dhe shlyerjes së detyrimeve të praktikës profesionale dhe provimit të shtetit, të gjithë këta kandidatë do mund të pajisen me licencën profesionale për ushtrimin e profesionit të mësuesit në shkollat e arsimit të mesëm të ulët dhe shkollave të mesme.
Kodi sipas çdo profili në profesionin e mësuesit:
Gjuhë angleze kodi 01
Gjuhë italiane kodi 02
Gjuhë frënge kodi 03
Gjuhë gjermane kodi 04
Gjuhë greke kodi 05
Gjuhë shqipe dhe letërsi kodi 06
Shkenca sociale kodi 07
Histori kodi 08
Gjeografi kodi 09
Histori-gjeografi kodi 10
Histori-gjeografi, edukatë kodi 11
Matematikë kodi 12
Fizikë kodi 13
Matematikë, fizikë kodi 14
Informatikë kodi 15
Matematikë informatikë kodi 16
Kimi kodi 17
Biologji kodi 18
Biologji-kimi kodi 19
Edukim fizik kodi 20
Arte figurative kodi 21
Muzikë kodi 22
Arsim fillor kodi 23
Licenca që lejon ushtrimin e profesionit të mësuesit

Me duket se po shoh ender. KA MUNDESI TE REALIZOHEN KETO NE SHQIPERI?!!!!
Uroj me gjithe shpirt te behen realitet keto mundesi!!!.
Me respekt per te gjithe intelektualet profesionist qe na krijuan mundesin te besojme se edhe ne Vendin tone mund te ndodhin reforma te tilla. S u k s e s e te gjitheve.
Me respekt dhe dashuri per ata qe punuan per te arritur keto rezultate V.Duka.